E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Marie Kraja” 17 konkurrentë nga bota në garën e madhe

President i Festivalit këtë vit do të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha

Kur nisi për herë të parë, “Marie Kraja” s’ishte veçse një festival kombëtar, që do t’u hapte dyert këngëtarëve lirikë shqiptarë drejt të ardhmes së tyre operistike. Por vetëm një vit më pas, suksesi dhe vlerësimi që iu bë kësaj iniciative, nga emra me famë ndërkombëtare, nga muzikantë e kritikë të shquar botërorë, të cilët ishin pjesë e jurisë së atij edicioni të parë, producentja Zana Çela mori vendimin që dyert të hapeshin edhe drejt botës. Ishte një vendim aspak i gabuar. Kështu do të niste rrugëtimi drejt Tiranës i këngëtarëve nga e gjithë bota, që në kthimin e tyre do ta përcillnin famën e këtij festivali jo vetëm në Itali, Turqi, Francë, Spanjë… por deri dhe në Amerikën e largët, Kinë e Singapor. Tashmë që “Marie Kraja” ka mbërritur në edicionin e 12-të të saj, mund të thuhet me bindje të plotë që ky festival shqiptar është bërë trampolina më e mirë drejt karrierës internacionale të pjesëmarrësve dhe fituesve të këtij festivali. Prej shumë vitesh laureatët e çmimit të parë janë kontraktuar nga teatrot më të famshëm botërorë, duke e kthyer këtë event në një institucion artistik të njohur në çdo vend të botës. E shkuara duket e suksesshme. I tillë pretendon të jetë edhe ky edicion i radhës, që do të zhvillohet në datat 28-29 tetor në sallën e Akademisë së Arteve, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili do të jetë dhe president i këtij festivali operistik. Janë rreth 17 konkurrentë nga e gjithë bota që do të nisin garën e tyre për çmimin “Marie Kraja”. Lista e konkurrentëve për këtë edicion ka qenë tejet e gjatë. Në fazën e parë kanë marrë pjesë 150 këngëtarë që janë përzgjedhur nga 5 juri profesioniste të stacionuara në kryeqendrat botërore si New York, Paris, Madrid, Milano dhe Tiranë dhe në fazën artistike janë përzgjedhur 17 këngëtarë lirikë. Këngëtarët vijnë nga Amerika Veriore, Amerika e Jugut , Afrika, Azia, Europa me CV profesionale ku dallohen qartë kryerole në teatrot e vendeve të tyre, por shumë prej tyre dhe me karrierë internacionale. Konkurrentët do të këndojnë live të shoqëruar nga orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, nën baketën e dirigjentit të famshëm italian Leonardo Quattrini.

Konkurrencë e fortë

Atanas Mladenov: Bariton, është diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë Kombëtare të Muzikës në Sofje. Ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme në Vjenë, Budapest, Bratislavë, Kiev, Itali, Gjermani, Bullgari, Spanjë, Greqi dhe Estoni, si dhe ka kënduar në shumë e shumë vepra të mëdha operistike, si në "Madama Butterfly" të G. Puçinit në skenën e Teatrit të Operas Shtetërore të Stara, në operën “Tosca” në Gjermani, Francë, Svicër e Austri etj.

Albane Carrère: Vjen nga Vjena. Pasi kreu studimet për sociologji, ndoqi Konservatorin e Muzikës Mbretërore të Brukselit. Në të njëjtën kohë, firmosi kontratat e para me festivale dhe teatro. Roli i parë që iu besua në fund të studimeve muzikale ishte “Tereza” e Massenet në Operën Mbretërore të Wallonias. Tashmë punon si soliste e re në Operan e Rouen-it në Francë.

Igor Stroin:Vjen si solist i Operas Shtetërore të Bratislavës. Punoi si korist për disa vjet, deri sa më në fund arriti të fillojë karrierën jashtë vendit. Për të kënduar në shumë vende të Europës, vepra të mëdha si “Flauti Magjik”, “Eliziri i dashurisë”, “Traviata”, “Turandot” etj. etj.

Baritoni Axier Sánchez: Vjen nga Spanja, pasi ka performuar në disa prej teatrove më të rëndësishme dhe më të mëdha të botës. Disa nga rolet më të shquar të repertorit të tij operistik janë Don Giovanni, Cosí fan tutte, Conte Almaviva “Dasma e Figaros”, Belcore “Elisir d´amore”, Dottore Malatesta “Don Pasquale”, Fígaro “Berberi i Seviljes”, Marcello “La boheme”, etj.

Ricardo: Ka realizuar rolin e Kontit të Almavivës te “Dasma e Figaros”, me Mames Opera&orchestra. Ka interpretuar oficerin Fiorello te “Berberi i Sevilies”, Morales te “Karmen” etj.

Umut Tingur: Vjen nga Izmiri. Në të njëjtin vit që u diplomua në konservatorin e Izmirit ka filluar punë në Teatrin e Operas së Izmirit, ndërsa më vonë fitoi konkursin në Teatrin e Operas në Stamboll, ku disa nga veprat e para të rëndësishme që do të shënoheshin në repertorin e tij ishin “Traviata”, “Martesa e Figaros” etj.

Blerta Zhegu: Diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ka interpretuar shumë role në vepra që janë vënë në skenat italiane. Është fituese e çmimit special të jurisë në kategorinë Canto Lirico në edicionin e 6-të “Rasegna Concertistica” në Montichiari. Së fundi, ka qenë pjesëmarrëse në Operastudio-n LTL mbi “Opera per tre soldi” të K. Weill, Pisa.

Ardiana Bytyqi: Ka kryer studimet në Akademinë e Muzikës në Detmold të Gjermanisë. Ka marrë pjesë në Audicionin prestigjioz “Hans Gabor Belvedere” në Vjenë, ku mes 3500 konkurrentëve u kualifikua për në finale, për Operën dhe Operetën në mesin e 20 më të mirëve. Ka interpretuar Karmen-in në Teatrin “Opern ëerkstatt Am Rhein”. Mag, nga opera “Falstaff” e Juseppe Verdit, Adeleide-n nga opera “Arabella” Maddalena nga opera “Rigoletto” të Giuseppe Verdit etj.

Dëshira Ahmeti: Vjen nga Dibra e Maqedonisë, si e diplomuar në Akademinë e Tiranës. Pas studimeve u kthye në Maqedoni ku filloi të punojë si soliste në Teatrin e Operas në Maqedoni. Ka interpretuar rolin e Nikaeles nga opera "Karmen" e Bizes, dhe më pas në rolin e Paminës në operën "Flauti magjik" e Moxarti, rolin e Nedes në operën "Paliaci", Ruggero apo dhe Leonorën në operën "Forca e destinit”, etj

Flaka Goranci: Është kosovarja të cilën lufta e solli në Tiranë për të gjetur udhën e saj drejt muzikës, për të nisur studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ende pa mbaruar studimet interpretoi në Teatrin e Operas rolin e Rozinës te “Berberi i Seviljes”. Ndërsa, menjëherë pas diplomimit, fitoi bursën nga shkolla e Filarmonisë së Izraelit. Gjatë studimeve në Tel-Aviv filloi dhe aktivitetin koncertor dhe operistik.

Lada Kyssykova: Vjen nga Kazakistani. Debutimi i saj i parë profesional ishte ai më 2002, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit “Abai’’. Tashmë është soliste në këtë teatër dhe laureate e çmimit ndërkombëtar operistik “Romansiada”.

Luçiana Distante: Ka lindur në Brazil, vend të cilit i detyrohet për pasionin, dashurinë për muzikën, ritmin dhe ngrohtësinë njerëzore, por është rritur në Itali pranë familjes adoptuese.

Romina Boscolo: Debutimin e saj të parë e ka pasur në 20-vjetorin e teatrit ‘Gustavo Modena’ në Genova. Në të njëjtin vit ajo u ftua nga teatri ‘Carlo Felice’ në Genova. Ka marrë çmime internacionale e ka interpretuar në shumë festival operistike e teatro italiane.

Sara Heaton: Vjen nga Amerika. Ka arritur një audiencë të lartë këtë vit me Mirandën në premierën amerikane të Tod Machoverit me Death and the Poëers në ART në Boston. Ka fituar disa çmime të rëndësishme dhe ka interpretuar role të mëdha në vepra të mëdha.

Tsakani Masëanganyi: Është nga Soveto i Johanesburgut. Ka studiuar muzikë në universitetin e Prettorias, duke qenë njëkohësisht në korin e Teatrit Shtetëror. Gjatë studimeve ka dhënë gjithashtu koncerte në teatro të ndryshëm në Amerikën e Jugut, ka kënduar për Nelson Mandelën e për kancelarin Schroeder. Ka fituar çmimin e parë të Konkursit Lirik Ndërkombëtar Salicedoro. Lorena Valero Hernández: Vjen nga Spanja. Gjatë viteve që ka studiuar në Vjenë ka kënduar si soliste në teatrot kryesore të Spanjës. Ka performuar në recitale të shumta si përfaqësuese e muzikës spanjolle në Vjenë, Salzburg, Baden dhe Mynih. Rolet e saj janë të shumta, që nga “ Madame Butterfly”, “Don Giovanni”, “Dasma e Figaros” e “Carmen”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›