Meshari i Gjon Buzukut, në Shqipëri për 100-vjetorin e Pavarësisë
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi në vizitën e tij në Selinë e Shenjtë në Vatikan me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Vatikanit dhe Shqipërisë ka zhvilluar një takim edhe me drejtuesit e Bibliotekës së Vatikanit, duke u kërkuar zyrtarisht këtyre të fundit që libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, Meshari i Gjon Buzukut që gjendet në këtë bibliotekë, të sillej në Shqipëri vitin e ardhshëm (për ekspoze) me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, një kërkesë që u morr në konsideratë. Gjatë vizitës së tij në Selinë e Shenjtë, ministri Bumçi mori pjesë në meshën e zhvilluar me këtë rast, drejtuar nga dekani i Kolegjit të Kardinalëve, një nga figurat më të larta të Selisë së Shenjtë, Kardinal Sodano. Të pranishëm në meshë ishin dhe kardinali Ivan Dias, nunsi i parë apostolik në Shqipëri, si dhe Arqipeshkvi Metropolit, imzot Rrok Mirdita e Ipeshkvi i Sapes, imzot Lucian Avgustini. Me praninë e tyre nderuan dhe një numër i madh ambasadorësh të akredituar në Vatikan, si dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh. Gjatë vizitës në Vatikan, ministri Bumçi u takua me homologun e tij, kardinal Ravasi, i cili vlerësoi marrëdhëniet mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe njoftoi se së shpejti do të vizitonte Tiranën si pjesë e një projekti që nxiste dialogun ndërmjet Kishës dhe shoqërisë. Forume të kësaj natyre ishin zhvilluar më parë në qytetet e Parisit, Bolonjës, Bukureshtit dhe Romës .