E Diel, 1 Nëntor 2026

Bursa nga qeveria franceze për studentët shqiptarë

Në kohën kur ju duhet që të zgjidhni se ku do të regjistroheni për të vazhduar studimet e larta apo studimet e thelluara, një ofertë e mirë janë edhe universitet franceze. Mbi 260 000 studentë të huaj, rreth 12% e popullsisë studentore, kanë vendosur të studiojnë në Francë, çka e bën këtë të fundit vendin e tretë pritës, pas SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar. Franca ka traditë në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik, si dhe një sistem të lartë arsimor të një cilësie të lartë. Shkollat inxhinierike: veçori franceze me një nivel të lartë cilësor. Franca është një vend në zemër të Europës, ka një cilësi jete të admirueshme, ka finamizëm kulturor, infrastrukturë cilësore në një mjedis të ruajtur mirë dhe është destinacioni i parë turistik në botë. Një mundësi e mirë për të mësuar gjuhën frënge është dheAleanca Franceze e Tiranës, e cila ndodhet në zemër të kryeqytetit shqiptar dhe ku punohet me metoda bashkëkohorë dhe me profesorë të specializuar. Diploma e marrë pranë AF të Tarinës, DELF apo DALF, do të jetë një pasaportë e mirë për të trokitur në dyert e universiteteve franceze. Për një informacion më të detajuar rreth mundësive që ofrohen për të studiuar në Francë, çelet sot në Hotel “Sheraton” në Tiranë, Panairi Studentor “Ditët udhëtuese studentore 2011”, që organizohet nga ambasada francezë në Shqipëri, Instituti Francez i Bullgarisë, Instituti Francez i Shkupit, Instituti Francez i Serbisë me pjesëmarrjen e Agjencisë Campus Francë Paris. Në këtë panair, studentët shqiptarë do të informohen për formimet universitare në Francë dhe për programet frankofone që propozohen në rajon.

600 studentë shqiptarë ndjekin sot studimet në Francë

Franca është vendi i 6-të pritës për studentët shqiptarë. 600 studentë ndjekin sot studimet në Francë. Shumë prej tyre janë me bursë nga ambasada e Francës në Shqipëri apo nga Agjencia Universitare e Frankofonisë. Marrëveshje bashkëpunimi janë lidhur mes: Institutit Francez të Administrimit (Universiteti Politeknik i Tiranës) dhe Universitetit Bordo IV (Bordeaux), Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë dhe Fakultetit të Drejtësisë Bordeaux IV, Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë dhe ESTP Paris, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Tiranës dhe Universitetit “Blaise Pascal”, në Klerman Ferran (Clermont-Ferrand) dhe Universitetit të Strasburgut. Universitetet franceze që do të jenë të pranishme në këtë panair për të ofruar mundësi studimi për të rinjtë shqiptarë janë: Universiteti i Bordosë (Bordeaux), Universiteti i Orleanit (Orleans), Universiteti i Versajës (Versailles Saint-Quentin-en-Yvelines), Universiteti bregdetar në veri të Francës (Littoral Côte d’Opale), Kolegji universitar i shkencave politike, Kampusi Europian- Europa Qendrore dhe Lindore në Dizhon(Dijon), Shkolla Qendrore e Nantës, Instituti Kombëtar i Shkencave të Zbatuara (INSA) Ruen (Rouen), Rrjeti i Instituteve Inxhinierike N+i , HEC – ESCP, ESC Brest, NOVANCIA, Grupi EAC, Shkolla e Kulturës, Komunikimit dhe Luksit, Mod’Art International Paris – Shkolla e Krijimit dhe Menaxhimit të Modës. Por gjithashtu, prezent do të jenë edhe universitete shqiptare dhe bullgare që ofrojnë programe frankofone për formimin e studentëve si, Programi frankofon Inxhinieri elektrike dhe Inxhinieri informatike, Universiteti teknik i Sofjes, Instituti Frankofon i Administrimit dhe Drejtimit (IFAG), Sofje,

Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti Bordo 4, Instituti Francez i Administrimit (IFG), Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit Tiranë dhe ESTP Paris, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Universiteti i Strasburgut etj.

Kam studiuar edhe unë në Francë

Nga Jusuf Vrioni, Rexhep Meidani, Mentor Petrela, Kastriot Islami e deri te Kryeministri i vendit, Sali Berisha

Jusuf Vrioni, diplomat dhe përkthyes, u vendos në Paris në vitin 1925, pasi i ati Iliaz Bej Vrioni u emërua Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor, Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris, dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d'Études Politiques të Parisit.

Sali Berisha, kryeministër i vendit, u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 1967. Ai u specializua në degën Kardiologji dhe më pas u emërua si asistent/profesor mjekësie në të njëjtin universitet dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës. Në vitin 1978, ai fitoi një bursë nëntëmujore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trajnime në Paris.

Rexhep Meidani ish-president, pas diplomimit në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Fizikë, ka kompletuar studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Kanës në Francë. Për sa i përket jetës profesionale, Meidani ka punuar si profesor, dhe drejtues i Departamentit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në periudhën 1966-1996.

Mentor Petrela, mjeku i njohur, i cili nën kujdesin e Prof. Ch. Kurti, nisi specializimin në neurokirurgji për t’i kompletuar më pas studemet e tij në Francë me Akademikun R.Houdart dhe Profesorët J.Cophigonon dhe A. Ray. Në vitin 1997, ai mori CNU në Paris dhe u bë Profesor në “Universite-Praticien Hospitalier, Paris, Francë.

Skënder Gjinushi Ish-kreu i Kuvendit të Shqipërisë, ish-zëvendëskryeministër, disa herë deputet është diplomuar në vitin 1972, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë. Në periudhën 1973-1977, ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin “Pjer Mari Kyri” të Parisit. Në vitin ’83, mori titullin Doktor Shkencash dhe në ‘86-ën titullin Profesor.

Mirela Kumbaro, përkthyese librash letrarë dhe të shkencave humane. Ndër autorët e përkthyer prej saj mund të përmenden Beckett, Kundera, Zaoui, Braudel, etj. Ka studiuar në Shkollën Superiore të Interpretëve dhe Përkthimeve, Paris III, Sorbonne Nouvelle. Pedagoge e përkthimit në UP, ajo njihet si eksperte ndërkombëtare në fushën e projekteve universitare, studiuese në fushën e komunikimit, dhe si publiciste.

Kastriot Islami, politikan, deputet, i përket grupit të politikanëve shqiptarë që janë arsimuar në Francë. Në vitin 1976 është diplomuar në Fizikë në Universitetin e Tiranës. Më 1983 ka marrë diplomën e Studimeve të Thelluara (DEA) në fushën e Fizikës Atomike dhe Molekulare, Universiteti Paris XI, Orsay Francë. Më 1985-ën, Titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e Fizikës Atomike e Molekulare në Universitetin Paris XI, Orsay-France.

Et’hem Ruka, ish-ministër dhe ish-deputet, është diplomuar në vitin 1971 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Biologji-Kimi. Ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin “Pjer Mari Kyri” të Parisit dhe që nga viti 1994 mban titullin Docent Profesor Doktor. Për 21 vjet, z.Ruka ka dhënë mësim në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 1997-2001 ka qenë ministër i Arsimit dhe Shkencave. Ka qenë disa herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Henri Çili gazetar, analist, administrator i Universitetit Europian të Tiranës, ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare në filozofi politike në Universitetin Paris 8 në Francë. Kjo ese ka në bazë të saj temën diplomës për studime pasuniversitare në filozofi politike, që autori ka mbrojtur në Universitetin Paris 8, Francë, në vitin 2004.

Ilda Mara Drejtoreshë e revistës kulturore “Art & Trashëgimi. Është diplomuar në Paris, në Institutin e Gjuhëve dhe Civilizimit Oriental (INALCO) dhe në Institutin e Studimeve Politike të Parisit. Ka punuar në përjavshmen franceze “Courier International”, si konsulente e UNESCO që prej 2002 deri në 2006-ën, aktualisht bashkëpunëtore në “Politique Internationale”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›