“Marigoja” dhe “Griselda” si një Përrallë nga e Kaluara në oborrin e Edi Ramës

Çfarë lidhjeje mund të ketë Kryetari i Partisë Socialiste me filmin e mirënjohur shqiptar “Përrallë nga e Kaluara”? Në një akt makabër dhe të stisur politikisht, Edi Rama me oborrin e Partisë Socialiste u përpoq edhe kësaj radhe ta njolloste Shqipërinë. Nuk janë më zvarritjet dhe ulërimat e grevës së urisë në mes të bulevardit qendror të Kryeqytetit. Nuk janë antimitingjet kundër Nato-s, nuk janë më skenarët gjakatarë të 21 janarit. Tashmë është rimarrja nga një skenar filmi, ai i “Marigosë” ku sajohet një shtatzani veç për t’u çliruar nga pesha e opinionit, një operacion që ka si dorasë njerëzit dhe mekanizmin mediatik të Edi Ramës. Mashtrimi më spektakolor dhe më i përbindshëm i të gjitha kohërave është prezantuar nga shpura e Edi Ramës në gjirin e një familjeje të keqpërdorur dhe të përfunduar moralisht. Në vend të Marigosë u gjet një vajzë nga Kavaja që si rastësisht ishte edhe gruaja e kandidatit socialist që garoi për Kryetar tek një bastion i së djathtës. Skenari makabër, i menduar dhe i ideuar nga Edvini, që kërkon me çdo kusht të turpërojë vendin e vet, u shfaq në teatrin e Tiranës, një qytet që Edvini sërish kërkon ta kthejë në pervers sipas shijeve të tija egoiste. Një turp i paprovuar ndonjëherë dhe i inicuar nga një kryetar partie i çartur që po e merr në qafë demokracinë shqiptare, u pasqyrua rrufeshëm nga mediat e kontrolluara prej tij, madje u kalua edhe tek mediat europiane. Ky pra është profili i Edi Ramës, që i tronditur nga humbja elektorale po kalon në fazën e normalitetit, duke kërkuar të marrë në qafë gjithë Shqipërinë. Rast unikal duhet të jetë ky në perversitetin politik të një partie maoiste në zemër të Europës. Rasti i rikthimit të një Përralle nga e Kaluara me pasoja të rënda për sistemin demokratik dhe kthimi për 24 orë i saj në një realitet të besueshëm vrasjesh, rrëmbimesh e dhunuesish fëmijësh e grash, duhet të jetë edhe kambanë për gjithë komunitetin ndërkombëtar. Një provë e gjallë se çfarë monstrash dhe speciesh të rrezikshme rriten në oborrin politik të Partisë Socialiste të Edi Ramës. Ky është njeriu halucionalist që kërkon të jetë Kryeministër i Shqipërisë, pasi më parë ka bitisur të përdhunojë për disa vjet të tjera kryeqytetin. Si mund të shpëtojmë tashmë nga një pervers kësisoj, siç është mendja që drejtoi Griseldën të bëjë një akt të tillë mashtrimi? Kjo duhet të na mundojë të gjithëve dhe bashkë me ne edhe partnerët tanë të nderuar ndërkombëtarë, që duan të na shohin jashtë perversitetit politik të një mashtruesi publik që fshihet nën petkun e një partie të madhe siç është Partia Socialiste.