Ndikimi i zgjedhjeve portugeze në marrëdhëniet me Venezuelën
Pak ditë më parë, ambasadori i Venezuelës në Lisbonë, Lucas Rincón Romero, u përpoq të qetësojë komunitetin portugezo-venezuelian duke i garantuar se marrëveshjet dypalëshe në fuqi do të respektohen, dhe që pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Portugali, procesi i thellimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve do ta vijojë edhe në vitet pasuese. E thënë me fjalë të tjera, interesat politike dhe ekonomike qëndrojnë mbi dallimet ideologjike apo parapëlqimet vetiake. Tamam ashtu si Charles de Gaulle, Lucas Rincón Romero në fakt po dëshmon se “shtetet nuk kanë miqësi, por interesa të përbashkëta”. Në vitet e fundit, Portugalia ka fituar peshë në rritje si importuesi i mallrave dhe shërbimeve në Venezuelë, ndërkohë që nga ana tjetër, eksportet portugezë po rriten në mënyrë të dukshme. Kështu, pavarësisht nga rezultati që do të ofrojnë zgjedhjet e pritshme parlamentare, vlera gjithnjë e në rritje e shkëmbimeve tregtare kushtëzon politikën e jashtme të të dyja vendeve dhe e bën të detyrueshme mbarëvajtjen e marrëdhënieve dypalëshe.
Megjithatë, në realitet, çështjet janë pak më të ndërlikuara. Nuk është rastësi që e vetmja gjë që shqetëson ngutshëm bashkësitë numërpakta të portugezëve të shtrira anekënd, si dhe në ndikimin e marrëdhënieve dypalëshe, është një qeveri e ardhshme PSD-CDS të jetë pro-venezueliane. Në pamje të parë, shqetësimi i tyre qëndron. Në segmente me peshë në radhët e PSD-së dhe CDS-së, Hugo Chávez shihet me dyshim të pa fshehur, si individualisht ashtu dhe ideologjikisht. Nga ana tjetër, pavarësisht rritjes së ndjeshme të nivelit të shkëmbimeve tregtare, njëkohësisht mund të vlerësohen si të pakënaqshme rezultatet e synuara nga portugezët në tregun venezuelian.
Gjithsesi, mosbesimi vetjak dhe ideologjik është një salltanet që nuk mbërrin në nivelet e atyre që ushtrojnë funksione qeveritare. Në thelb, një qeveri e PSD-CDS ka gjasa të vijojë të orientohet ashtu si qeveria paraardhëse e PS-së, pjesërisht për shkak se do të vazhdojë t’i mëshojë diplomacisë ekonomike. Në rrethana normale, thellimi i marrëdhënieve me Venezuelën do t’i përmbahet kësaj rrjedhe, ndoshta edhe me ndoca ndryshime të vogla të natyrës politike. Në këtë mënyrë, për të ndodhur një ndryshim i konsiderueshëm i nivelit të marrëdhënieve dypalëshe, vendimi do të merrej në Karakas dhe jo në Lisbonë. Venezuela është një shtet “neopatrimonial” nën hyqmin e një udhëheqësi karizmatik që vendos gjithçka në kokë të vet apo përmes hallkave të fryra burokratike, për linjat e orientimit politik të brendshëm e të jashtëm. Në këtë kuptim, vendimet e marra do të jenë, me gjasë, më të paparashikueshme dhe të paqëndrueshme.
Them kështu, pasi ka edhe shumë “ndryshesa” që vështirë t’i përllogaritësh, megjithatë nuk parashoh që marrëdhëniet dypalëshe të vihen në dyshim nga ana e Venezuelës. Me apo pa ndryshimin e krahut politik të qeverisë në Portugali, ato nuk do të fashiten. Marrëdhëniet diplomatike me Lisbonën do të vijojnë të kenë vlerë politike dhe ekonomike për Hugo Chávez-in. Në këtë kuptim, një tkurrje e përafrisë vetjake dhe ideologjike me një qeveri të krijuar nga formacionet politike PSD-CDS nuk është e papërfillshme. Pak kohë pasi mori postin e Ministrit të jashtëm të Brazilit (duke i zënë
vendin Celso Amorim-it, në 1 janar 2011), z.António Patriota bëri me dije se do të vazhdonte rrugën e ndjekur nga pararendësi i tij, por tregoi kujdes të theksonte se “vazhdimësi” nuk do të thoshte “përsëritje”. Ka mundësi që pasrendësi i Luis Amados (ministër i jashtëm portugez) t’i bëjë të vetat këto shprehje, kryesisht për marrëdhëniet e
Portugalisë me Venezuelën.
Autori është Drejtor i Institutit Portugez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Sigurisë (IPRIS)