E Diel, 1 Nëntor 2026

Marin Haxhimihali: Trashëgimia nuk shërohet me shkrirje institucionesh

Debati\ Sipas drejtorit të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, reforma shkon në kah të kundërt me përvojën botërore që vjen nga UNESCO apo ICOMOS. Marin Haxhimihali propozon rivlerësim të sistemit dhe të standardeve

Marin Haxhimihali, aktualisht drejtor i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, i bashkohet debatit mbi draft-reformën për sistemin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. I pranishëm në disa tryeza diskutimi me specialistë, të mbajtura në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Haxhimihali pranon se ka vend për korrigjime në sistemin aktual, por kahu ku kërkohet zgjidhja është i gabuar. Sipas tij, shkrirja e institucioneve, e veçanërisht e zyrave të administrimit dhe koordinimit të parqeve arkeologjike, shkon në kundërshtim me të gjitha përvojat botërore të menaxhimit të pasurive kulturore në terren. “Ndoshta ka nevojë për vendosjen e disa standardeve të reja për zonat që mund të konsiderohen parqe arkeologjike, por jo të kërkohet shkrirja e njësive menaxhuese”, thotë Haxhimihali.

Një projekt-reformë për sistemin e trashëgimisë diskutohet mes specialistësh. është i nevojshëm, i vonuar apo...

Shqetësimi në zanafillë, i ngritur edhe në këtë projekt-reformë, është i drejtë: ky sistem që kemi ka boshllëqe, anomali, gjëra që duhen korrigjuar. Unë personalisht jam i bindur se nuk mund të korrigjohet sistemi me shkrirjen e institucioneve, siç është ky projekt. Unë do të isha i mendimit që është më e dobishme të përmirësohen strukturat ekzistuese, madje të bëhet një ridimensionim i tyre.

Kjo reformë parashikon shkrirjen e zyrave të administrimit dhe koordinimit të parqeve arkeologjike. Ju si do ta komentonit këtë veprim?

Në punën tonë, që prej katër vjetësh tashmë në parqet arkeologjike, kemi arritur të kuptojmë që trashëgimia kulturore mbrohet në terren. Ky është rregulli bazë, të cilin duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që propozojnë. Por personalisht mendoj se nuk shkojmë në drejtimin e duhur nëse propozojmë shkrirjen e zyrave të administrimit dhe koordinimit të parqeve arkeologjike. Unë jam dakord që të rishihet statusi i këtyre zyrave, sidomos në ato pjesë të territorit të Shqipërisë ku vizitueshmëria nuk e justifikon shpalljen si park arkeologjik, aq më tepër në këndvështrim të turizmit kulturor. Nga 9 parqe që janë sot, jo të gjithë e meritojnë të kenë një strukturë të tillë, kështu që në këtë prizëm unë do të propozoja përcaktimin e disa standardeve të reja, që të jenë në harmoni edhe me atë çka institucionet botërore të specializuara të fushës, si UNESCO dhe ICOMOS, kanë si standarde bazë për përcaktimin e zonave park arkeologjik.

Varësia administrative ka qenë një problem i vazhdueshëm në këtë sistem, përfshirë këtu edhe parqet arkeologjike. Propozimi i ri do të zgjidhte gjë në këtë drejtim?

çështjen e varësisë administrative e shoh si një tjetër anomali në projekt-reformën e propozuar. Në këtë rast kemi të bëjmë me kundërshtim të plotë me parimet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore në botën e qytetëruar. është shumë e qartë që UNESCO, për të gjitha qendrat, pjesë e listës së trashëgimisë botërore si Butrinti, Gjirokastra, Berati, jep orientim themelor krijimin e njësive menaxhuese në terren. Ky është sistemi më i pranuar në të gjithë botën e qytetëruar, në menaxhimin e vlerave kulturore dhe në këtë rast përputhet me përparësinë e qeverisë shqiptare për turizmin kulturor, si një nga vektorët më të qenësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Shqipërisë. Për fat të keq, unë konstatoj se propozohet një model në të cilin ka doza të forta të reminishencës së një sistemi që tashmë i ka kaluar koha, me një hierarki shkallë–shkallë: nis me qendrën e madhe në Tiranë, pastaj qendra e vogël në një rajon që në rastin e Apolonisë do të ishte Vlora, e në rastin e Butrintit, Gjirokastra, dhe pastaj është terreni i cili konsiderohet si vendi ku do të operojnë thjesht punëtorë pastrimi, biletashitës dhe një përgjegjës muzeu.

A mund të menaxhohet Apolonia në distancë?

Me këtë skemë është absolutisht e pamundur të menaxhohen qendra të mëdha si Butrinti apo Apolonia, që vizitohen nga dhjetëra vizitorë në vit. Mendoj se anomali sot do ketë edhe me qytete mesjetare si Berati, Gjirokastra apo kalaja e Krujës. Instituti i Monumenteve, ose siç parashikohet të jetë Instituti i Trashëgimisë Kulturore, është një strukturë shkencore me profil të qartë kërkimor-shkencor dhe në stadin aktual nuk ka asnjë strukturë që të lidhet me vizitueshmërinë ose me punën aktuale që bëjnë zyrat e administrimit, ku ka elementë të mjedisit, të marketimit turistik, një njësi menaxhuese që bën akordimin me pushtetin lokal përveç arkeologjisë dhe restaurimit. Menaxhimi kulturor është një profesion më vete, nuk mund të ngatërrohet me restaurimin. Pak javë më parë fati e solli që një nga specialistët më të mirë të parqeve arkeologjike të Mesdheut, përgjegjësi për menaxhimin e të gjitha strukturave të trashëgimisë kulturore në Sicili, një nga pasuritë më të mëdha që ka një problematikë të ngjashme me Shqipërinë, në kuadër të një projekti të PNUD-it dhe UNESCO-s erdhi në Shqipëri dhe ka bërë një ekspertizë në bazë të tri misioneve të kryera në terren. Ai ka arritur në konkluzionin se, nëse vërtet shoqëria shqiptare është e interesuar të favorizojë turizmin kulturor, parqet si Butrinti, Apolonia, deri diku edhe Bylisi, e meritojnë të fuqizohen në nivelin e strukturës administrative të terrenit. Sipas këtij raporti, propozohet një strukturë me 10 specialistë në bazë: parku të ketë edhe arkitektin e vet, përveç arkeologut, restauruesit, specialistit të mjedisit dhe kështu do të merrnin pamje parqet kryesorë.

Sa i nevojshëm është një diskutim publik i kësaj draft-reforme para se të vihet në zbatim?

është absolutisht i domosdoshëm një diskutim i gjerë, ku të thonë fjalën e tyre specialistët, gjithë personat që në një mënyrë ose një tjetër merren me trashëgiminë kulturore. Në këtë kuadër ia vlen të përshëndetet nisma e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili si rrallë kolegët e tij ka iniciuar tryeza debati, ku secili ka qenë krejtësisht i lirë të shfaqë mendimet. Tani është krijuar një frymë e shëndoshë, ku specialistët e fushës janë të mirorientuar në atë çfarë ndodh, çfarë propozohet dhe kjo frymë ka krijuar një lloj shkundje pozitive. Do të ishte vërtet për të ardhur keq sikur mendimet e një brezi të ri që po afirmohet tashmë prej disa vitesh në fushën e trashëgimisë kulturore të mos merreshin parasysh. Nuk mund të rrimë pa konstatuar se përtej kundërshtimeve personale ka edhe një mospërputhje midis vizionit që ka një grup specialistësh që i përkasin një brezi që po i afrohet pensionit, pa dashur të vë në diskutim kontributin e tyre që për kohën ka qenë i çmuar, me vizionin e brezit të ri, që është në kontakt të përditshëm me atë që ndodh nëpër vendet rreth nesh. është mirë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë në të kaluarën me reforma arbitrare.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›