E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motta: Mafies merrini pasurinë, se është më e rëndë se liria

Takimi Kreu i policisë diskuton me prokurorin italian për operacionet e radhës dhe pasuritë kriminale

“T’u marrësh pasurinë mafiozëve është më e rëndë sesa t’u heqësh lirinë”. Ky është mesazhi që Prokurori i Antimafias italiane në provincën e Leçes ka përcjellë dje paradite në Tiranë. Cataldo Motta erdhi në Tiranë për të zhvilluar takim me zyrtarë të policisë shqiptare në kuadër të thellimit të bashkëpunimit përtej kufijve, për t’iu kundërvënë trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Duke iu përgjigjur interesimit të medias, për ligjin “Antimafia”, Motta u shpreh se aspekti më i rëndësishëm i këtij ligji është goditja e pasurive mafioze, sepse kufiri i ri i kontrastit të këtyre formave të reja të kriminalitetit është që të godasësh organizatën kriminale te burimet e tyre pasurore, kjo është më e rëndësishme se privimi i lirisë personale. Lidhur me punën e bërë 5 vitet e fundit nga Shqipëria për goditjen e trafikut të drogës, Motta evidentoi se në vitet e fundit goditja kundër drogës është përmirësuar mjaft. “Kjo për meritë të autoriteteve shqiptare. Kam ardhur këtu me ftesë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit policor dhe gjyqësor mes dy vendeve. Arritëm të organizonim disa operacione shumë të rëndësishme, veçanërisht me ndihmën e Policisë Shqiptare. është aspekt shumë i rëndësishëm. është shumë e vështirë të arrihet një bashkëpunim i tillë mes dy vendeve, si ai mes Shqipërisë dhe Italisë”, shtoi Motta. Për operacionin “Sun Rise”, prokurori italian vuri në dukje se “do dorëzohet dhe një letërporosi. Ky ishte rasti i parë pilot dhe pamë që mund të vazhdojmë në këtë rrugë. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, lidhur me takimin e zhvilluar, theksoi se qëllimi i ftesës ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve. Kohët e fundit kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer mes Policisë Shqiptare dhe autoriteteve policore (Misionit Interforze dhe Gurdia di Finanza) dhe gjyqësore italiane, që është treguar edhe me rezultate konkrete. Biseduam gjithashtu dhe për fusha të tjera që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit dhe jo vetëm atij të organizuar, por dhe për çështje të tjera, me qëllim thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat”. Gjatë takimit, Burgaj theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe në fusha të tjera, si shkëmbimi i të dhënave për personat e arrestuar apo të dënuar në Itali, në mënyrë që strukturat përkatëse të fillojnë veprimet për sekuestro sipas ligjit “Antimafia”. Prokurori italian, dr.Cataldo Motta, vuri në dukje jo vetëm nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit, por dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi si në aspektin policor, ashtu dhe në aspektin gjyqësor. “është vështirë që mes dy vendeve të arrihet një bashkëpunim në të tilla nivele, siç është mes dy vendeve tona. Vlera më e mirë e këtij bashkëpunimi qëndron në faktin se është një bashkëpunim si në nivelin policor, ashtu edhe në atë gjyqësor. Kjo bën që ndërhyrja ndaj krimit të jetë e dyanshme si në fushën e parandalimit e goditjes për sa i takon aspektit policor, ashtu dhe në fushën e drejtësisë për sa i takon aspektit gjyqësor”, tha Motta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›