Shifrat e Eurostat: Deficiti grek, akoma më i thellë
Greqia ka kaluar dje një ditë të vështirë pas rishikimit që u ka bërë Bashkimi Europian shifrave të borxhit. Kjo e ka çuar koston e borxhit në vlera rekord. Një situatë e tillë e rëndë po e afron ditën kur Athina do të kërkojë ndihmën e paketës financiare që është vendosur për t’iu dhënë Greqisë nëse ajo do të ndodhej në prag të falimentimit si shtet. Si pasojë e përkeqësimit të situatës edhe përqindja e huamarrjes pritet që të rritet më shumë. Qeveria e Athinës preferon që të çojë deri në fund manovrat e saj për ndryshimin e situatës dhe jo të t’i drejtohet për ndihmë Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar me paketën e shpëtimit. Por investitorët po kërkojnë përqindje shumë të lartë për kredinë ndaj mundësia e marrjes së paketës po rritet çdo ditë e më shumë. “Greqia është në mesin e një tjetër jave shumë të vështirë dhe tani zor se mund të ketë zgjidhje tjetër për problemet e saj përveçse të kërkojë ndihmën e paketës së shpëtimit të BE-së dhe FMN-së. Megjithatë çështja e deficitit buxhetor është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe për qeverinë bëhet fjalë për një detyrë kolosale dhe shumë delikate”, ka deklaruar një analist ekonomie në një bankë gjermane. Agjencia e statistikave të Bashkimit Europian Eurostat bëri të ditur se deficiti buxhetor i vendit në vitin 2009 kapi shifrën 13.6% të prodhimit kombëtar bruto, ndërkohë që sipas grekëve, kjo shifër ishte vetëm 12%. Ky nivel deficiti është thuajse 4 herë më i madh se ai i lejuar nga Bashkimi Europian për vendet që janë anëtare të Eurozonës. Athina pas masave shtrënguese që ka marrë ngulmon që të ulë këtë vit deficitin me 4% dhe për këtë qeveria ka marrë një sërë masash që i kanë shtrënguar shumë shpenzimet. Riparja nga ana e europianëve e situatës së borxhit grek vjen ndërsa punonjësit e sektorit publik organizuan dje greva duke mbyllur shkolla, spitale e institucione të tjera. Megjithatë, bëhet fjalë për protesta shumë më të vogla nga ato që prekën Greqinë vitin e kaluar apo qoftë edhe nga ato që u organizuan gjatë ditëve që qeveria vendosi marrjen e masave të rëndësishme për shkurtimin e buxhetit financiar. Lajmi i rishikimit të shifrave të deficitit grek nga Eurostat ishte pikërisht ai që çoi në qiell edhe përqindjen e huadhënies. Këto përqindje të larta, në fakt janë një indikacion i frikës që ekziston se Greqia mund t’ia dalë që të arrijë të paguajë huanë. Por, ndërkohë një dështim i shtetit grek do të ishte një goditje e rëndë për Eurozonën, e cila ka edhe shtete të tjera që po përballen me shifrat e larta si Italia dhe Portugalia apo edhe Irlanda.
#