E Diel, 1 Nëntor 2026

Mario Mitaj, më në fund titullar/ Mbrojtësi kuqezi luan që nga minuta e parë në Serinë A

Kjo ditë do të vinte, por ai mezi e priste. Mario Mitaj më në fund e pati herën e parë si titullar në Serinë A të Italisë, dhe po ashtu luajti minutat e tij të para në ligë.

Trajneri i Xhenoas, Daniele De Rosi, u bind që ta aktivizonte mbrojtësin e kombëtares shqiptare që nga fillimi, në duelin në shtëpi ndaj Venecias, që u fitua 1-0.

Futbollisti ynë ishte në mesfushë, në fakt, në një përballje që u zgjidh nga goli i shënuar nga ish-lojtari i Venecias, Elertson, në prani të gati 29 000 tifozëve në stadiumin “Luixhi Ferraris”. Mitaj luajti 81 minuta dhe në përgjithësi u paraqit mirë, ndonëse ende nuk është përshtatur siç duhet me ritmin e Serisë A.

Pas ndeshjes ai u shpreh i lumtur me faktin që luajti minutat e para në kampionat dhe që ishte në formacionin bazë, duke treguar se iu desh kohë për t’u përshtatur në krahasim me futbollin që ka luajtur në Rusi dhe në Arabinë Saudite.

Deri tani, Mitaj kishte luajtur titullar vetëm në ndeshjet e Kupës së Italisë, kundër Askolit dhe Zydtirolit, e duke mos qendruar në fushë deri në fund. Pikërisht ndaj Askolit shërbeu edhe asistin e tij të parë dhe të vetëm deri tani në Apenine, nga një goditje nga këndi në suksesin 4-1. Ndoshta, trajneri De Rosi do të bindet ta aktivizojë më shumë edhe në Serinë A.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›