E Diel, 1 Nëntor 2026

Antonelli, një pikë larg titullit/ Piloti italian fitoi Çmimin e Madh të SHBA në Formula 1

U fitua gara e kampionëve, por ende nuk e ka marrë trofeun. Kimi Antoneli, gjithsesi, hodhi hapin më të madh deri tani drejt titullit në Formula 1, duke triumfuar me autoritet në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Teksas, e duke qenë tani vetëm 1 pikë larg arritjes së qëllimit.

Sipas të gjitha mundësive, adoleshenti italian do të jetë kampioni i ri i këtij sporti fundjavën e ardhshmë, në 1 nëntor në Meksikë, në Çmimin e Madh të radhës.

Kjo do ta bënte atë rekordmenin si më i riu në të gjitha kohët që ia del, në moshën 19-vjeçare.

Sipas shefit të skuadrës Mercedes, kjo në pistën në Ostin, ishte paraqitja më e mirë e Antonelit gjatë gjithë karrierës së tij të shkurtër në Formula 1. Ai u nis nga vendi I parë, pasi fitoi provat zyrtare një ditë më parë, dhe arriti një sukses me dominim.

Sharl Lëklerk i Ferrarit doli i dyti me 13 sekonda vonesë, dhe Maks Verstapen i Red Bullit i treti me më shumë se 17 sekonda. Gjithsesi, Rasëll dhe Hamilton morën aq pikë sa të mos lejonin që Kimi të shpallej kampion që në Amerikë.

Antoneli kryeson renditjen e Botërorit me 365 pikë, 123 pikë më shumë sesa vendi i dytë që mbahet nga shoku i tij i skuadrës, Xhorxh Rasëll, që është një pikë mbi Ljuis Hamiltonin e Ferrarit.

Për skuadra, Mercedesi kryeson kampionatin e Formula 1 me 607 pikë, ndaj 474 të Ferrarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›