Marjana Koçeku letër ambasadave: Të mbrohen të drejtat e të miturve, të hetohet dhuna policore ndaj studentëve dhe të identifikohen civilët që ndërhyjnë në protesta

Marjana Koçeku u drejtohet me letër të hapur përfaqësive diplomatike në Shqipëri: Kërkon hetim të dhunës policore ndaj studentëve dhe identifikimin e personave civilë që ndërhyjnë në protesta
Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, u ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive më të larta diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor.Letra, e datës 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.
Në dokumentin zyrtar, Koçeku shpreh shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë, keqtrajtimin gjatë ndalimeve dhe raportimet për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.Përmes gjashtë kërkesave konkrete, deputetja u bën thirrje përfaqësive ndërkombëtare të dënojnë publikisht dhunën policore, të kërkojnë hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme, të mbrojnë të drejtat e të miturve të ndaluar dhe t’i ngrenë këto shqetësime pranë qeverisë shqiptare përmes kanaleve diplomatike.
Ajo kërkon gjithashtu ndjekjen e rezultateve të hetimeve dhe monitorimin ndërkombëtar të respektimit të të drejtave të njeriut.
Në përfundim të letrës, Koçeku thekson se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë nuk mund të ndahet nga respektimi i lirive themelore, parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.
Sipas deputetes, reagimi institucional ndaj dhunës policore dhe ndërhyrjeve të personave të paidentifikuar do të jetë një tregues i rëndësishëm i përkushtimit të Shqipërisë ndaj standardeve demokratike dhe evropiane.