Tabaku: Rama kishte përgjegjësinë të vepronte përpara se tensioni të mbërrinte këtu!

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, denoncoi sot dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestave, duke kërkuar hetim të plotë të ndërhyrjeve policore dhe përgjegjësi politike nga kryeministri Edi Rama.
Në konferencën për shtyp, Tabaku theksoi se përshkallëzimi i situatës është pasojë e një pakënaqësie të gjatë dhe e mungesës së reagimit të qeverisë ndaj kërkesave të protestuesve. Sipas saj, pas 150 ditësh protestë dhe gjashtë ditësh përplasjesh, përgjegjësia e kryeministrit shkon përtej ngjarjeve të fundit.“Qeveria kishte përgjegjësinë të vepronte përpara se tensioni të mbërrinte këtu. Prandaj përgjegjësia politike e Edi Ramës fillon shumë përpara datës 13 tetor”, deklaroi Tabaku.
Ajo solli në vëmendje shqetësimin e familjeve shqiptare, të cilat, krahas pasigurisë për të ardhmen e fëmijëve, sipas saj, po përballen tashmë edhe me frikën për sigurinë e tyre gjatë protestave dhe në ambientet e policisë. Tabaku bëri të ditur se, së bashku me këshilltarët e PD-së në Kuvend, ka përgatitur një raport mbi ndërhyrjet e Policisë së Shtetit gjatë datave 13–18 tetor, mbështetur në pamje filmike, dëshmi, raportime, deklarata zyrtare dhe kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët.Tabaku denoncoi edhe presionin ndaj medias. Sipas saj, janë identifikuar 27 raste dhune ose kërcënimi ndaj gazetarëve, në 25 prej të cilave përgjegjësia i atribuohet policisë. Ajo njoftoi se raporti do t’i përcillet Komisionit Europian, Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Duke dënuar njëkohësisht sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës, Tabaku bëri thirrje për vazhdimin paqësor të protestës. Ajo kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës dhe hapjen e një procesi për një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa u zotua të ndjekë rastet e denoncuara dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet.