Mark Gjonaj, asamblist në Nju Jork

Gjonaj ka thënë për Kosovapress se shqiptarët që jetojnë në Nju Jork kanë dhënë shumë që ai të vijë në pozitën që tashmë është zgjedhur.
“S’ka fjalë që mund ta dëftoj atë gëzim që e kam sot, s’ka fjalë që mund ta gjej me ia shpërblyer atyre shqiptarëve që prej ditës së parë, jo vetëm që e kanë dhënë kohën e tyre, e kanë punuar me zemër e me dëshirë, por me të gjitha mundësitë që i kanë pasur. Unë sonte jam krenar dhe jam borxh te ta, jo vetëm për ndihmën e tyre, por për mbështetjen që e kanë dhënë edhe bazën që e kanë krijuar për mua që unë të eci përpara”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket planeve të tij pas marrjes së detyrës si asamblist i Nju Jorkut, ai ka premtuar se do të punojë shumë për komunitetin shqiptar që jetojnë në këtë qytet amerikan.
“Planet e mia janë të thjeshta, me shpërvjelë mëngët edhe me punu fortë për komunitetin tonë, për të gjithë që jetojnë në lagjen e Brons-it dhe të gjithë që jetojnë në kryeqytetin e Nju Jorkut”, ka thënë ai.
Pas zgjedhjes së tij si asamblist i qytetit të Nju Jorkut, ai para elektoratit ka thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë dhe zgjedhja e tij, sipas Gjonajt, vjen falë besimit të elektoratit të tij.
Ai u ka thënë mbështetësve të tij se kurrë nuk do të jetë në gjendje t’i nxjerrë fjalët ashtu siç ndihet. Ai po ashtu i ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar dhe sakrifikuar në këtë drejtim, duke u premtuar se kurrë nuk do t’i lë pas dorës.
Për më tepër, Mark Gjonaj, është shqiptari i parë që ka fituar në zgjedhjet lokale për asamblist në qytetin e Nju Jorkut. Gjatë këtyre zgjedhjeve ai kishte një garë të fortë me rivalen e tij, Naomi Rivera. Mark Gjonaj fitoi me rezultat 47.5 për qind kundrejt rivales së tij që kishte 44.4 për qind të votave