E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Markez: Trupi reagoi mirë

Marc Márquez dukej i lodhur, por i kënaqur me vendin e tij të gjashtë në garën e Çmimit të Madh të Amerikës. Nuk ishte pozicioni i tij i ëndrrave, por duke parë se shkoi në vendin e fundit në fillim të garës, ai kishte arsye që ta shijonte mirë, vendin e tij të gjashtë. Ai sqaron momentin e vështirë në nisje. “Kemi pasur një problem teknik. Honda po heton se çfarë ka ndodhur, edhe pse pak a shumë e dinë. Ishte një gabim në nisje por më pas për mua ka qenë si një garë sprinti ku kam dhënë gjithçka.

Rezultati nuk është ai që kishim shpresuar, por nëse shohim se ku ishim në fillim dhe ku përfundova, mendoj se dolëm shumë të sigurt nga kjo fundjavë. Qëllimi im këtu ishte të ktheja besimin tim, të përpiqesha të mos kisha asnjë përplasje gjatë gjithë fundjavës. Edhe pse mjekët më thanë se gjithçka ishte në rregull, por unë kisha frikë për kokën time” – ka thënë piloti spanjoll. Marc ka qenë tepër i kënaqur jo vetëm me rezultatin e arritur në garë por edhe me mënyrën si ka reaguar trupi i tij, kur ka dy gra pa marrë pjesë.

“Isha i qetë dhe para garës u ndjeva mirë. Të përfundosh garën në këtë mënyrë është shumë mirë. E dija që për mua kjo është pista më e mirë për të rikthyer besimin, prandaj nxita të kthehesha këtu. Tani duhet të kuptojmë se ku është niveli ynë në pistat evropiane, nuk mendoj se mund të luftoj për fitore në çdo garë” – ka thënë Marquez, i cili më pas shton se nuk mund të parashikojë asgjë për objektivat e tij në këtë kampionat.

“Ajo që kam mësuar është se me këtë kampionat, me këto motorë, nuk mund të parashikosh një Çmim të Madh. Nuk mund të vish në një pistë dhe të thuash, unë mund të fitoj ose mund të futem në 5 më të mirët. Qëllimi im është të jem gjithmonë në podium, por tani për tani nuk është koha për të luftuar gjithmonë për podiume” – ka mbyllur intervistën e tij 8 herë kampioni i botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›