Marko Veshoviçi; Beçkoviç... e tjerë elitë serbe duhen në Hagë!
“Millosheviçi ishte pronar absolut dhe zotërues i elitës serbe. Më vjen keq se Qosiçi e Beçkoviçi nuk do të shkojnë kurrë në Hagë për tërë atë që kanë bërë serbët në Mal të Zi, të cilët ende shpresojnë ta kthejnë këtë shtet nën dominimin serb. Ata po ashtu mendojnë se çështja e Kosovës nuk është mbyllur”. Ky është pohimi më i fundit që na vjen prej një nga kundërshtarët më të ashpër të Millosheviçit, nga shkrimtari malazez që qëndroi bashkë me popullatën e Sarajevës 44 muaj i rrethuar nga militarët serbë. Ai është intelektuali dhe shkrimtari Marko Veshoviçi, i cili me tone denoncuese, ekskluzivisht, rrëfehet për “standard”, në një moment kulmor për drejtësinë e Hagës, kur është shtyrë deri në fillim të 2010-s thirrja në gjyq e Karaxhiçit.
Elita serbe ka bërë masakër luftënxitëse. Para se Sllobo të niste spastrimin etnik në Kosovë, intelektualët, elita e Serbisë, ka nisur “fushatën” psikologjike mbi popullatën serbe duke e ushqyer me urrejtjen kundër shqiptarëve duke i konsideruar si “insekte” që duhen vrarë - derisa u poqën “kushtet” që Millosheviçi të niste i qetë spastrimin, me bekimin e elitës dhe miratimin e popullatës në vend. Por kjo sot u ka dështuar, edhe pse nuk e kanë dashur, kur Bosnje-Hercegovina doli nga lufta, e pavarur, po ashtu dhe Mali i Zi e Kosova.
“Millosheviçi ishte pronar absolut dhe zotërues i elitës serbe. Më vjen keq se Qosiçi e Beqkoviçi nuk do të shkojnë kurrë në Hagë për tërë atë që kanë bërë serbët në Mal të Zi, të cilët ende shpresojnë ta kthejnë këtë shtet nën dominimin serb. Ata po ashtu mendojnë se çështja e Kosovës nuk është mbyllur”. Ky është pohimi më i fundit që na vjen prej një nga kundërshtarëve më të ashpër të Millosheviçit, nga shkrimtari malazez që qëndroi bashkë me popullatën e Sarajevës 44 muaj i rrethuar nga forcat serbe. Ai është intelektuali dhe shkrimtari Marko Veshoviçi, i cili ekskluzivisht rrëfehet për “standard”, në një moment kulmor për drejtësinë e Hagës, kur është shtyrë deri në fillim të 2010-s thirrja në gjyq e Karaxhiçit. Por, më shumë në këtë intervistë, shkrimtari na njeh me pjesën e errët, atë që bren një komb kur elita intelektuale nuk funksionon për ndriçimin dhe çlirimin e vetëdijes, për krimet dhe kriminelët.
Veshoviçi i njeh mirë intelektualët serbë, ata që janë vënë në vijën e parë të mbrojtjes dhe heshtjes ndaj krimeve të Millosheviçit, duke mos shpresuar as te morali i tyre intelektual, aq dhe tek letërsia që mund t’i tregojnë botës.
Ndërsa e sheh letërsinë e sotme, tirazhet milionëshe si “memoaret e lavireve”, që nuk kanë lidhje me vlerat dhe shkrimtarin, ndërsa nxit rolin që ka një poet në ndryshimin e vetëdijes së një kombi. E njeh mentalitetin dhe letërsinë ballkanike, e në këtë vështrim njeh dhe letërsinë shqiptare, atë që shkruan Ismail Kadare, duke e konsideruar si një shkrimtar të madh evropian, po ashtu do të na veçojë dhe dy poetët e Kosovës, Enver Gjerqekun dhe Ali Podrimjen.
Dr. Marko Veshoviçi, poet, shkrimtar, kritik letrar, eseist, publicist, profesor universitar është lindur në vitin 1945 në fshatin Pape, të Bijelo Poles, Mali i Zi. Gjimnazin e ka mbaruar në këtë qytet, Fakultetin Filozofik në Sarajevë, studimet postdiplomike në Fakultetin Filologjik në Beograd. Në vitin 1976 zgjidhet asistent në Fakultetin Filozofik, ku ka punuar deri në vitin 1986, kur emërohet redaktor në shtëpinë botuese "Veselin Maslesha" të Sarajevës. Në Fakultetin Filozofik rikthehet në vitin 1992. Në vitin 2002 mbron titullin e doktoraturës me temën "Gjuha e poezisë së Radovan Zogoviçit ". Është autor i dhjetëra titujve librash me poezi, prozë, eseistikë, përkthime, hartues i shumë antologjive. Poezitë e tij janë përkthyer e përfshirë në shumë gjuhë botërore. Është një personalitet shumë i respektuar në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë, madje konsiderohet si një vertikale morale e kësaj hapësire, për shkak të qëndrimit të tij të drejtë e të rreptë kundër politikës serbomadhe. Gjithashtu, ai është kundërshtar dhe është pozicionuar kundër krimeve të Millosheviçit e të Karaxhiçit ndaj popullatës së pambrojtur myslimane gjatë kohës së luftës në Bosnjë e Hercegovinë, duke mbetur me popullatën civile të Sarajevës, i rrethuar për 44 muaj, duke shkruar, duke dhënë qindra intervista kundër politikës së krimeve e gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë.
Z. Veshoviç, jeni njëri nga nënshkruesit e aktit themelues të Pen Qëndres së Bosnjës e Hercegovinës, në vitin 1992, ku nënshkrues ishin shkrimtarë të përkatësive të ndryshme etnike, të bindjeve të ndryshme politike dhe të synimeve të ndryshme artistike. Cilat ishin dy parimet themelore që u miratuan në Kartën tuaj?
Fare nuk më kujtohet! Si do të mund t’i kujtoja. Granatat binin. Por, kujtoj diçka tjetër. U nisa në mbledhje, gjysma nuk erdhën në hotelin “Holliday In”. Karaxhiçi e dinte tërë atë që atje ndodhte, dinte për mbledhjen, ndërsa granatat binin pandërprerë mbi qytet. Por e di se çfarë kam folur? Kam folur dhe tekstin pastaj e kam botuar. Kam thënë se nga koha e Homerit ka ndërruar gjendja: atëherë është rrënuar Troja dhe Homeri ishte ai i cili e ka përshkruar atë. Homerët modernë, sot e rrënojnë Trojën. Ja, kjo më kujtohet. Përndryshe, asgjë tjetër nuk më kujtohet. Më vjen mirë që kam arritur në atë mbledhje, sidomos për faktin se në atë tubim kam qenë malazezi i vetëm. Kishte pak malazezë para luftës në Sarajevë, të cilët gjatë luftës ikën, dhe natyrisht, unë e kam bartur bajrakun (flamurin), të them ashtu. Të tjerat nuk më kujtohen, kush do t’i kujtonte ato.
Cilët, kush janë, sot, malazezët pas pavarësisë së Malit të Zi, a janë ndërprerë synimet që t’i shndërrojnë, t'i konvertojnë malazezët në nënlloj të serbëve, kurse Malin e Zi si një dalje serbe në det?!
Nuk di së çfarë mendojnë serbët në Serbi, e as që më intereson shumë kjo gjë. Mali i Zi është pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe kujtoj se në këtë tregim është vënë pika, pra është mbyllur çështja. Se a e kanë vënë pikën ata nuk e di, por serbët në Mal të Zi nuk e kanë vënë. Kujtojnë se kjo ishte vetëm gjysmëloja, ngjashëm siç mendojnë së gjysmëlojë ishte edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, kurse gjysmëloja e dytë, sipas tyre, do të jetë kthimi nën zgjedhën serbe. Mendoj se ata janë budallenj, por se çfarë lloj budallenjsh janë, nuk e di. As tash nuk kanë hequr dorë për asnjë çast nga kjo pikëpamje: që serbët ta kthejnë Malin e Zi nën dominimin serb, kurse malazezët edhe më tej të jenë serbë të zgjedhur. Çfarë mbetet të thuhet për një marrëzi të tillë, apo ndoshta nuk është marrëzi, sepse ka të ngjarë të marrin para për këtë, pra, të kenë ndonjë fitim nga kjo. Nuk besoj që ata ta besojnë këtë rrëfim. Nuk besoj në këtë tregim. As që e thonë ashtu pa lidhje, nëse nuk e kanë përkrahjen e këtyre serbëve. Njëmend nuk di e as që më intereson se çfarë serbët në Beograd, a mendojnë për Malin e Zi.
Si e komentoni deklaratën e poetit të njohur politik malazezo-terazias, Matija Beçkoviç se nuk ekziston kombi malazez dhe se ai personalisht është më i vjetër sesa ky komb?!
Dhe se do ta mbijetojë, - ashtu thotë profecia e tij. Njeriu ka të drejtë të thotë atë apo këtë, ashtu apo kështu. Mund të jetë malazez, mund të jetë serb, mund të jetë serbozez, mund të jetë zioserb, që janë të llojeve të ndryshme. Mirë, kur ka thënë se është më i vjetër sesa kombi malazez sigurisht është ndier i pavdekshëm, nga ai ka folur shpirti epik, i cili është më i vjetër sesa ai me mijëra vjet dhe i cili do të mbijetojë me mijëra vjet. Përndryshe, unë atë e llogaris, e konsideroj nazist e jo nacionalist. Unë atë e konsideroj nazist hitlerian. Fakti se është poet i shkëlqyeshëm, është tjetër çështje. Së këndejmi ai sigurisht ka medituar si një shpirt epik se është i pavdekshëm, i cili do ta mbijetojë kombin malazez. Por jo, nuk do ndodh kështu. Pas luftës, kur projekti serbomadh i Millosheviçit përjetoi disfatën ushtarake, ai vajtonte se në asnjë profeci nuk ka qëlluar. Mendoj se ashtu duhet. Ai, i cili ka talent shumë të madh për humor, ironi etj, ka marrë pozën, qëndrimin e profetit dhe e ka marrë atë detyrë. Profecitë e tij, për mua ishin jashtë arsyes, ato profeci ishin shprehje e marrëzisë së tij. Dua të them: nëse e përkrah një çështje të tillë, deshe nuk deshe duhet të bëhesh i marrë, të bëhesh maskara dhe budalla. Ka folur edhe për pavarësinë e Kroacisë, për ëndrrën e tyre nga shekulli V-të. Mirë, sot edhe kroatët bëjnë shaka me këtë. Beçkoviç ka thënë bukvalisht: "Kjo ëndërr, si çdo ëndërr duhet të mbetet ëndërr dhe do të mbetet ëndërr". Dihet se çfarë ka ndodhur pastaj. Çdolloj profeci e tij është rrënuar, do s’do, do të rrënohet edhe kjo profeci. Ai do të jetoj gjatë, që është një tregim tjetër, nuk dua ta elaboroj. E di se Beçkoviç do të jetojë 90 vjet, ndoshta 100, por do të rrënohet edhe nga kjo profeci e tij, që do ta mbijetojë kombi malazez, nga arsyeja e shkaku i thjeshtë se është marrë me një punë për të cilën nuk është i lindur. Ai është i lindur për humor, barsoleta, ironi, shaka, por jo për profeci. Kujtoj se të gjitha profecitë e tij, që vazhdojnë nga ardhja e Sllobos, se janë shprehje e një marrëzie të paparë, në të cilën duhet rënë po që se e përkrah një projekt të tillë, që është aq antinjerëzor, aq antilogjik, antiracional aq sa duhet të jesh budalla derisa thua profeci në emër të serbëve- si të një populli të zgjedhur.
Para disa vitesh keni deklaruar se nuk ekziston shteti i Bosnjës. Si qëndron puna tash me shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës?
Qëndron më keq së kurdo më parë. Këtë nuk e them vetëm unë, por të gjithë njerëzit që janë rreth meje. Fatbardhësisht janë zbrazur të gjitha granatat dhe të gjithë plumbat. Ajo që ndodh tani në Bosnjë, është ajo që ne të gjithë e kemi përjetuar, që ka ndodhur në prag të luftës. Pra, është e qartë se atëherë, në Dejton është bërë shteti inekzistent në Bosnjë e Hercegovinë. Tash si është, çfarë është nuk mund të ekzistojë. Mund të ekzistojë kur të sjellë trupat NATO dhe kur t’i sjellë, që është një virtualitet, ekziston virtualiteti i shtetit, që është një shtet artificial. Një ditë ose do të krijohet shteti i njëmendët ose ky që është tani do të shpërbëhet, të likuidohet. Tash për tash nuk e di. Shumë më thonë së Dejtoni ishte një messhkallë drejt likuidimit të Bosnjës. Sot mendoj se vërtetë është bërë në Dejton diçka që nuk mund të ekzistojë, e pastaj të huajt të thonë: ja e shikoni, e patët shansin e siç po shihet nuk ka gjasa të ekzistojë. Nuk e di si do të jetë, porse Bosnja nuk ekziston si një shtet i mirëfilltë, kjo është e vërtetë.
"Na gjuajnë, na godasin shkrimtarët, na godasin bardët serbë", - keni shkruar në një vjershë gjatë rrethimit të Sarajevës. Cili ishte roli i elitës serbe në dramën e luftës dhe në vuajtjet e civilëve të pafajshëm në Sarajevë, Bosnjë e më gjerë?
Radomir Konstantinoviçi, një figurë madhore, për të cilin e kam ditur gjithmonë se është filozof i shkëlqyeshëm, para luftës që të gjithë këta i ka pagëzuar me emrin e vërtetë: "Llumi intelektual luftënxitës i Millosheviçit". Çdo gjë është këtu. Millosheviçi ishte pronar absolut dhe zotërues i asaj elite. Dhe ishte elitë maskarenjsh luftënxitëse, disa ishin të zjarrtë në atë punë, disa ishin në plan të dytë, disa kanë filozofuar për therjet, disa i kanë nxitur therjet, masakrimet, këtu ka gjëra të ndryshme, por nuk dyshoj se të gjithë së bashku e kanë merituar të quhen me përcaktimin e përbashkët llumi intelektual luftënxitës. Si të mos jetë maskara intelektual e luftënxitës Dragoslav Mihailloviçi, romancieri e tregimtari i njohur serb, i cili ka shkruar "Sh(q)iptarët janë insekte të rëndomta, që të gjithë duhen vrarë". Këtë e ka shkruar shumë më parë sesa që Slloba ka filluar pastrimin e Kosovës nga shqiptarët. Ata, trurin e tyre, mendjen, titujt i kanë shfrytëzuar si llumi i fundit që t’u bëjnë sa më shumë të zeza joserbëve, por sot, si shihet për Zotin, sa shumë të këqija ju kanë shkaktuar edhe vetë serbëve, që është një çështje e posaçme. Ata janë prezantuar si një llum fitimtar, që sot e shohim se është kthyer edhe kundër vetë serbëve. Këtë nuk e kanë dashur.
Në këtë kontekst, cili është roli i Qosiçit dhe i Beçkoviçit?
Unë kam shkruar: “Më vjen keq se ata dy nuk do të shkojnë kurrë në Hagë për tërë atë që kanë bërë. Sepse, dihet, sipas Hagës, ekziston përgjegjësia komanduese, nuk ka kurrfarë përgjegjësie tjetër. Unë, për ata dy kam thënë: “Do të më vijë keq dhe do shtrihem në varr me këtë pikëllim që ata, që kanë merituar me të gjitha të jenë në Hagë, nuk do të shkojnë atje, kur dihet mirë së çfarë kanë bërë”. Pos kësaj askujt nuk i shkon ndërmend se Qosiçi ka qenë president i atij shteti, nuk e di sa kohë gjatë, por ka qenë president i shtetit kur kanë ndodhur të gjitha ato gjëra. Por, kjo sikur nuk i intereson Hagës! I intereson vetëm: ku ka ushtri ka edhe përgjegjësi komanduese, kurse tash sikur Serbia nuk ka qenë në luftë dhe sikur ai nuk ka mundur të urdhërojë këtë apo atë. Këto çështje nuk i interesojnë Hagës. Nuk i interesojnë. E di se objektivisht, sipas sasisë së të së keqes që kanë bërë e shkaktuar kudo dhe e kanë përmbyllur në Kosovë, se edhe sipas së drejtës njerëzore dhe së drejtës së Zotit kanë merituar të gjenden në Hagë.
A do ta komentoni deklaratën tuaj se "miti i Kosovës është në shërbim të hakmarrjes nacionaliste ndaj mbeturinave të qeverisjes turke dhe se ky është esenca e marrëzisë serbe dhe të nacionalizmit serb"?
Unë nuk di se si gjërat qëndrojnë atje, kam folur, natyrisht nga Bosnja e Hercegovina, sepse e di se si gjërat janë zhvilluar këtu. Prandaj, kjo ishte leva kryesore propaganduese e Karaxhiçit, ai i ka quajtur turq, që e kemi para disa herë në televizion, kur vinte mes luftëtarëve, duke i pyetur: "Si sillen turqit"? "Çfarë bëjnë turqit?". Është fjala për boshnjakët, myslimanët e Bosnjës, quaj si të duash, sipas tij ata janë turq, ata janë pasojë e okupimit turk. E, serbi ishte rob i turkut për pesë shekuj. Nëse mbesni në shtetin e Aliut (Izetbegoviqi), këto ishin gjërat që i propagandonte Karaxhiçi, ju do të jeni skllavë të shtetit të Aliut, kurse serbët do të përfundojnë në haremet turke. Unë e di se kjo, ky fjalor është thënë për fshatarët, jo për qytetarët, por duhet ditur se mbështetja e tij kryesore, pra ata që ishin ekzekutues të krimit, respektivisht kryesitë e punëve të Karaxhiçit ishin fshatarët. Ai kishte rrëfimin e gatitur, të konceptuar për veshin fshataresk. Para e pas rrëfimit të tillë, njeriu nga qyteti vetëm ka mundur të kryqëzohet nga çudia, por nuk është se u kanë interesuar këto idera... Së këndejmi është e padiskutueshme se Beteja e Kosovës është shfrytëzuar si një vend për mprehjen e thikës (kamës) për myslimanët, nëse shprehem kështu.
A flitet mjaftueshëm hapur e publikisht për krimet?
Po, nuk e di. Çfarëdo të jetë Haga, ajo ka bërë disa gjëra të mira. Unë kam menduar se Karaxhiçi kurrë nuk do të gjendet në Hagë. Megjithatë, ai u gjend atje.
Nga koha kur është atje, të them të vërtetën nuk më intereson më. Më duket sikur jam bërë monoton ndaj vetes me këtë rrëfim. Unë nuk kam dëshirë të flas më për të, por kur t’i mbledh dhe redaktoj tekstet për Karaxhiqin, sigurisht do të përpiloj një libër. Por, unë nuk kam dëshirë ta bëj këtë. Mua, Karaxhiçi nuk më intereson. Atje do t’i shqiptohet dënimi, nuk ka rëndësi se çfarë do t’i thuhet në gjyq, por e di se ai nuk do të dalë nga burgu. Ai ka për të vdekur në burg. Tjetër gjë nuk më intereson. Megjithatë, këtu ka edhe diçka tjetër. Çfarë ndodh në Serbi, pak më intereson. E di së këtu, në gjysmën serbe të Bosnjës, të asaj Bosnjeje, e cila gjoja ekziston, nga viti ‘95 deri sot nuk është ndërmarrë ndjekja e askujt, as e një të vetmi person. Nuk është sanksionuar asnjë kriminel lufte që ishin aq të shumtë. Çdokush e ka gjysmën e vet, ai atje është pop, këndej është Tihiqi: pop unë-pop ti, çfarë ke ti të më thuash, çfarë kam unë të të them. Kështu është puna sot. Unë nuk e di, por për mua, kjo nuk është atmosferë e mirë. Unë jam malazez. E, pse jam malazez? Kam folur për këtë malazez është ai i cili mban mend 200 vjet të keqen që ia ke bërë. Çfarë do të thotë 200 vjet? Nuk kujtoj vetëm unë, por kujton edhe fëmija im, edhe fëmija e tij. Nëse nis ndonjë bisedë për luftën, askush nuk do të dëgjojë më për të. Unë bëj shaka, meqë janë miqtë e mi. Mahitem me ta, ndonëse mundem të kuptoj këtë. Njerëzve u ka ardhur në majë koke lufta, edhe mua gjithashtu. Ata të gjithë janë miqtë e mi, por sikur nuk shoh të kenë aq dëshirë që ta kujtojnë atë - luftën. Pse them kështu: Lëre, lëre, i tërë Durmitori është me karaxhiçë.
Nuk është ky as i pari as i fundit. Nëse ky u ka mbushur mendjen, do të ketë edhe të tjerë. Nuk shoh që politikanët boshnjakë të angazhohen aq shumë sa drejtësia të përmbushet, sepse kanë gjëra më të rëndësishme... Dhe me sa duket, më me rëndësi për ta është se ku mund të plaçkitin, kjo është evidente.
E keni refuzuar shpërblimin letrar "Risto Ratković", i cili para jush i është akorduar kriminelit nga Durmitori, Radovan Karaxhiç. A doni ta komentoni këtë gjest tuajin?
Kjo është e qartë si dita, pse e kam refuzuar. Mua më thoshin miqtë: “Ka këtu njerëz të ndershëm e shkrimtarë të mirë që e kanë marrë shpërblimin”. A e dini çfarë u kam thënë?: “Se ata vetë e kanë vendosur nëse do ta marrin apo jo”. Karaxhiçi nuk i ka gjuajtur, nuk i ka qëlluar ata, as fëmijët e tyre. Karaxhiçi nuk i ka gjuajtur as qëlluar bashkëqytetarët e tyre. Karaxhiçi nuk i ka mbajtur të rrethuar për 44 muaj. Karaxhiçi nuk i ka mbajtur ata të uritur, nuk i ka mbajtur në terr e në të ftohtë. Së këndejmi, ata mund të vendosin se a do ta marrin apo ta refuzojnë. Unë për vete nuk mund ta merrja këtë shpërblim. Kam përshtypjen, se tani po flas si nëna ime; se dora do të më thahej sikur ta merrja shpërblimin. Vetëm nga fakti se fëmija im, duke lënë të gjitha të zezat e tjera që ka bërë Karaxhiçi, për atë që në luftë ka përjetuar fëmija im - dora do të më thahej sikur ta merrja atë shpërblim. O njeri, të tjerët mund të harrojnë sa të duan, unë nuk dua të harroj asnjë vaj të fëmijës tim nën granata dhe atë se si ka ikur kur fillonin të binin granatat. Së këndejmi, është e qartë si dita se as i marrë nuk do të pranoja atë shpërblim. E, kush e pranon, le ta pranojë, ajo është çështje e tij.
Gjatë kohës së luftës rregullisht keni shkruar kundër kriminelëve serbë. Gjatë luftës, në Sarajevën e rrethuar keni shkruar librin "Vdekja është mjeshtër nga Serbia", e keni cituar Biblën: "Thashë dhe e shpëtova shpirtin tim". A kanë mundur këto shkrime të kenë ndonjë ndikim?
Flas vetëm për atë që di. Kujtoj se librat askujt nuk i kanë ndihmuar. Megjithatë, flas për njerëzit që i kanë lexuar tekstet që i kam botuar në gazeta.
Po sjell vetëm dy raste: Njëri tha: “Ti e ke shpëtuar shpirtin tim që të mos i urrej të gjithë serbët. Kur i lexoja tekstet tuaja kam qenë i vetëdijshëm se ata që na therin, na presin nuk janë të gjithë vrasës, se ka njerëz normal dhe për këtë shkak nuk kam mundur t’i urrej të gjithë serbët. A e kuptoni se çfarë dua të them?” Një grua më tha: “Kur i lexoj tekstet tuaja, deri në gjysmë qesh dhe nga gjysma tjetër qaj”, por edhe ky ishte një ilaç për mua. Qajnë nga trishtimi dhe unë nuk e kam ditur, sepse nuk mund të vë në tekst vetëm trishtime. Për këtë shkak kam bërë shaka me therësit, me vrasësit me ata që kanë ushtruar gjenocid. Kjo është e vetmja që ka mbetur nga mbrojtja. Për këtë arsye lexuesit kanë gjysmëqarë, gjysma kanë qeshur - ky ishte efekti real. Ishte efekt në shpirtin e atyre njerëzve, nga të cilët shumë nuk më kanë njohur. Sa i përket asaj se a kam kontribuar në mbrojtjen e qytetit - si mund të kontribuoj kur unë këtu jam vetëm, e kur atje janë divizionet e shkrimtarëve serbë. Prandaj, çfarë kam mundur të bëj? Kam mundur njëmend vetëm aq sa të dihet se kjo është më e rëndësishmja që mund të bëhet në luftë: që të mos jem me ata, kjo mbetet përgjithmonë dhe nuk mund të më ngatërrojnë, të më përziejnë me kriminelët, me therësit, me ata që na kanë asgjësuar të gjithëve ne.
Për librat tuaj thonë se paraqesin një dokument letrar të dorës së parë, që Sarajeva e as Bosnja të mos harrohen, të mos fshihen nga kujtesa. A mendoni se një detyrë e tillë është e letërsisë?
Po, është detyrë e letërsisë, por kujtoj se është e kotë. Do të sjell një shembull. I kam vizituar hendeqet, kam qenë 25 ditë me ushtrinë boshnjake jashtë Sarajevës për të parë se si ishte atje. Kur të shkruash për diçka, duhet të dish, që pastaj të mund të imagjinosh se ku është hendeku, ku është strehimi nëntokësor, ku është komanda etj. Një nga miqtë e mi më të mirë, Mirza Ibrahimoviçi, më ka çuar në pozicion.
Unë i kam vizituar, kam shkuar me ata njerëz e kam biseduar me to. Atje ishte një vendroje, ku qëndronte ushtari – aty më treguan librin e Rodolub Çollakoviçit, geleri kishte përftuar nëpër të, jo nëpër të tërin: përmes letrës nuk mund të kalojë as plumbi as granata. Çfarë kishte ndodhur? Pra, diçka e thjeshtë; nuk mund ta penetrosh librin me plumb, që për mua paraqet edhe një metaforë. Ushtari ma tregoi librin duke thënë: “Po e lexoj këtë libër”. Çuditërisht ai më tha: “Të gjithë shkruajnë këtu, por askush nuk lexon”. Ai kishte lexuar vetëm Rodolub Çollakoviçin. Ai kishte lexuar atë se si Mustafa Dovaxhinë, partizanin mysliman e kishin pjekur në hell çetnikët. Nga tërë ajo që shkruhej në libër, ishte e qartë që më vonë u ka ndodhur myslimanëve-boshnjakë, quaje si të duash, se çfarë atyre u është bërë. Prandaj, le të mbetet e shkruar dhe kush do, le të lexojë. Askënd nuk duhet ta detyrosh të lexojë. Unë personalisht mendoj se kjo është e rëndësishme. Ka edhe një gjë - të gjitha i kam harruar! Betohem se 90 për qind të gjërave që i kam shkruar në librin tim të luftës nuk ekzistojnë më në kokën time. Unë i kam shkruar, i kam shpëtuar nga harrimi, nga vetëharresa, atë luftë dhe 90 për qind të saj. Duhet që ajo të fshihet, nuk mund të jetohet me të, truri është dashur këtë ta fshijë dhe njerëzve nuk u mbetet pos asaj të shkruarës.
Keni shkruar së tërë jetën ia keni kushtuar një qëllimi: të kuptoni së çfarë është poezia. A e dini se cili është vendi i saj sot? Studentëve shpesh u keni thënë se poezisë i ka kaluar koha. Për ç'arsye?
Ndoshta jo ende edhe te ne. Unë flas për popujt e mëdhenj. Atë që e di për Amerikën, ku kam miq, edhe në Francë - atje poezia nuk paraqet asgjë në kohën e lejueshmërisë ose jolejueshmërisë, por shitja e librit është masa kryesore se a ka vlerë apo jo një libër. Pra, ka teknika të ndryshme të reklamimit: e paguajnë njeriun që në TV të thotë çfarë është e mirë. Dhe, kur dikush e boton romanin dhe e shet 2 milionë ekzemplarë. Në të njëjtën kohë poeti që është i rangut të njëjtë, të mos them edhe më i mirë, sesa ai romancier – romani shitet 200 ekzemplarë të librit të vet. Në këtë kuptim, poezia nuk ka asnjë shans. Ka edhe çështje të tjera, shumë më të rëndësishme, por nuk do të flas për to. Te ne është diçka tjetër. Nuk duhet të frikësohemi se poezia do të zhduket. Te ne askush nuk lexon, as prozën, as poezinë, te ne asnjë lloj shitjeje nuk mund të jetë masë, suksesi i romancierit llogaritet po qe se shet 1000 kopje. Ka natyrisht edhe gjëra të tjera, nuk është i rëndësishëm vetëm mosleximi. Të gjithë në hapësirën e ish-Jugosllavisë ishin sipas definimit - jo lexues. Një gjë tjetër është edhe më e keqe: këto luftërat e kanë rrënuar shtresën e mesme, atë që lexon, atë që jep, që i lind talentet, talente për çdo gjë, shtresën e mesme e cila jeton me kulturën. Ata sot janë lypsarë. Sot askush nuk lexon, nuk lexohet as proza, as poezia, prandaj është krejtësisht njësoj. Nuk mendoj se do të zhduken poetët në gjuhët tona të vogla, por njerëzit konsiderojnë se poezia është zhdukur, në të vërtetë se ka pushuar të jetë ajo që ishte, për arsyet e përmendura dhe për arsye tjera. Te ajo që kishte domethënie - te popujt ku ka 40, 50, 60 milionë njerëz, atje ku askush nuk interesohet më. Nëse je shkrimtar, tani do të thotë romancier, madje jo, as rrëfimtar. Çdo gjë është reduktuar në roman dhe memoare. Kam një mike në Francë, e cila më thotë se më mirë kalojnë në tirazhe milionëshe memoaret e lavireve. Kjo është letërsia më e lartë nëse masë kryesore është shitja. Shkojnë shpejt 2 milionë kopje që i ka shkruar lavirja.
A keni njohuri për rrjedhat e poezisë e përgjithësisht të letërsisë shqiptare dhe çfarë mendoni për arritjet e saj?
Flas vetëm për atë që ishte deri para luftës. Gjatë luftës, nuk kam lexuar asgjë, pas luftës kam pasur infarkt dhe që atëherë shkruaj shumë, 14 orë rri ulur pranë kompjuterit, kështu që lexoj pak. Mund të flas pra për atë që dikur e kam lexuar. Kur flasim për poezinë, e kam lexuar tërë atë që ishte në gjuhën time. Po, kam lexuar shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare, dy romane të tij "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe "Kështjella". Ai është shkrimtar i madh evropian. Jo nga shkaku se ashtu e trajtojnë. Mua nuk më intereson fama e askujt, lexoj për vete: ka madhështi evropiane sa të duash, që mua nuk më interesojnë, nuk janë të mëdhenj për mua. Prandaj Ismail Kadare për mua është shkrimtar i madh, sa i përket prozës. Sa i përket poezisë, flas për poetët shqiptarë nga Kosova, nuk e di nëse kanë vepra në prozë, por e di se proza është përkthyer shumë më pak, dhe se më shumë është përkthyer poezia. Dhe e kam lexuar të gjithë këtë poezi. I kam lexuar të përkthyer sllovenët, maqedonasit dhe shqiptarët, pra të gjithë. Mendoj se është fjala për poezi të shkëlqyeshme.
Pyes, pse është kështu? Shikoni, pothuaj gjendje identike është edhe me maqedonasit. Maqedonasit janë popull i vogël, por kanë poezi të jashtëzakonshme dhe a e di pse është ashtu? Maqedonasit mes bullgarëve e serbëve është dashur që të ndërmarrin diçka.
Janë paraqitur shumë talente të jashtëzakonshme, sepse gjuha verifikohet e dëshmohet në poezi, kështu që ka një falangë të poetëve të shkëlqyeshëm që kanë dashur të tregojnë: kjo është kultura jonë, kjo është gjuha jonë. Është e qartë se poezia mund ta vërtetojë qenien kombëtare, që përmes poezisë mund të dëshmohet identiteti kombëtar. Unë mendoj se edhe me shqiptarët në Kosovë ishte diçka e ngjashme. Aty ishin serbët e kështu më radhë. Shqiptarët ishin në një hapësirë të rrahur nga erëra dhe kjo sipas meje ishte nga arsyet pse tek ata janë paraqitur një sërë poetësh të jashtëzakonshëm. Së pari ta përmend Esad Mekulin, i cili për shqiptarët paraqiste atë që Konevski paraqet për maqedonasit. Kërkoj falje për të tjerë poetë, pasi veçova dy nga ata, por kam të drejtë për këtë sipas shijes sime: dy poetë janë nga Kosova, Enver Gjerqeku dhe Ali Podrimja. Nuk ka ndodhur të shkoj në ndonjë vend e të mos kem gjetur përkthimet e tyre e të mos i lexoj. Nuk janë të vetmit, por dua të them se ata janë, siç thuhet në Mal të Zi, të mëvetësishmit e mi, kështu thuhet për dikë që ke një prirje të veçantë.
Pyetja e fundit, çfarë mendoni për pavarësinë e Kosovës e të Malit të Zi?
Unë, për këtë pyetje kam pranuar ta jap këtë intervistë. Vetëm nga shkaku që ta them publikisht atë që e kam thënë në tryezën e rrumbullakët kur isha në Kosovë, një muaj para shpalljes së pavarësisë. Atje ishim si redaksi e “Sarajevske sveske” dhe atëherë kam thënë: Le ta kuptojnë serbët se krimet ndëshkohen, se e kotë është t'ua thuash, t'u shpjegosh në diskutime, tash duhet ta kuptojnë se nuk shpërblehen bash gjithmonë krimet. Janë shpërblyer për krimet në Bosnjë, ku kanë bërë aq gjëra të përgjakshme dhe e kanë fituar gjysmën e Bosnjës. Le ta dinë se kur definitivisht u shpall pavarësia e Kosovës, me këtë u vu pika përgjithmonë. Ata shpresojnë se jo, le ta marrin vesh, të kuptojnë se të besh krime nuk shpërblehesh gjithmonë.
Çështja e dytë: Slloba e ka vënë në kartë, në lojë letrash Kosovën dhe ka humbur në këtë lojë letrash dhe këtë serbët e dinë. Kush u ka faj tani, kur ata vetë ia kanë dhënë në dorë tërë pushtetin. Askush, ndonjëherë në Ballkan nuk ka pasur pushtet më absolut sesa Millosheviçi. Së paku, unë nuk di.
Nuk e di se si do të ndodhë në të ardhmen, por tani e dinë se nganjëherë shpërblehesh të kallësh, të dëbosh e të vrasësh e nganjëherë, qe besa jo. Fjala e urtë thotë: Atë që e fiton në urë, e humbsh në qupri. Ata në Bosnjë e kanë fituar në urë, kurse në Kosovë e kanë humbur në qupri. Ky do duhej të ishte mësimi më i mirë. Por, ata nuk heqin dorë, ndoshta në atë mënyrë burrështetasit mbahen në pushtet. Si duket, ata ende nuk kanë ndërmend t’i heqin vijën e fundit vetes e të thonë: e kryer. Në kokën e tyre kjo ende nuk ka mbaruar dhe kushedi çfarë dobie kanë prej saj. Dhe, natyrisht se nuk është vetëm kjo. Unë e kam theksuar arsyen sipas meje më të rëndësishme për pavarësinë e Kosovës, ndonëse nuk është vetëm kjo arsye. Ekzistojnë edhe 99 arsye tjera, por për mua kjo është më e rëndësishmja, kjo e njëqindta: nuk mundesh gjithmonë në mënyrë të pandëshkuar të therësh njerëz. Kujtoj se ata duhet të jenë pak më të mençur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por si duket nuk janë.