Paskuqan, mur mbrojtës ndaj vërshimeve të lumit
Një mur mbrojtës për t’u mbrojtur nga rreziku i vërshimit të lumit në zonën ku ata jetojnë. Banorët e Bregut të Lumit në Paskuqan që jetojnë në varfëri të tejskajshme, tashmë nuk do të shqetësohen më për problemin e përmbytjes së shtëpive nga lumi, sa herë që bie shi. Falë ndërhyrjes së Karitasit Shqiptar në bashkëpunim me GTZ-në gjermane është bërë e mundur ndërtimi i një muri mbrojtës që ndalon depërtimin e ujit në shtëpitë e banorëve. “Ne realizuam një ndërhyrje që është e qëndrueshme dhe jep zgjidhje, por kërkohet vëmendja e institucioneve publike që të ndihmojnë zonat në vështirësi ekonomike”, - thotë Albert P. Nikolla, drejtori i Karitasit Shqiptar. Më tej, zoti Nikolla është shprehur: “Komuniteti rom është një problem që u përket të gjithëve dhe ne kryem hapin e parë të dhënies së ndihmës për këtë zonë”. Rreth 70 familje rome jetojnë në këtë zonë informale, me shtëpi të ngritura me dërrasa, ku një pjesë e fëmijëve jetojnë vetëm me nënat. Të gjithë këta individë që jetojnë në këtë lagje, duhet të përballen çdo ditë me baltën, plehrat dhe vërshimin e ujit të lumit. Sipas zotit Nikolla, të gjithë banorët e kësaj zone na kanë parë si shpresën e vetme për të zgjidhur problemet dhe se e kanë mirëpritur me entuziazëm ndërtimin e murit për të bllokuar ujin. Kjo pjesë e shoqërisë shqiptare duket se është lënë në harresë, pasi nuk ka asnjë mbështetje apo ndihmë nga pushteti vendorë dhe ai qendrorë. Të ardhurat e vetme të këtyre familjeve burojnë nga shitja e kanoçeve që mbledhin në mbeturinat që shkarkohen aty. Për ironi të fatit plehrat e Tiranës që derdhen atje, kanë bërë që këta banorë të mbajnë familjet e tyre, në pamundësi për të gjetur vende pune. Të pranishëm në përurimin e murit mbrojtës ishin Ismail Beka, përfaqësues i GTZ-së si dhe Imzot Xhorxh Frendo presidenti i Karitasit Shqiptar. Imzot Frendo është shprehur: “Nuk duhet harruar së i varfri është imazh i Zotit e kjo s’duhet harruar asnjë çast”. Kjo pjesë e shoqërisë duket se është lënë në harresë, pasi nuk ka asnjë mbështetje nga pushteti vendor dhe ai qendror. Kjo organizatë ka dy vjet që mbështet këtë zonë me ndihma ushqimore dhe veshmbathje si dhe ka mundësuar rregullimin e disa shtëpive. Karitasi Shqiptar ka ngritur 55 qendra shëndetësore në zonat më të varfra të Shqipërisë dhe vazhdon të japë ndihma bashkë me ndihmën e vullnetarëve për familjet e varfra. Ai, gjithashtu, punon kundër fenomenit të trafikimit, organizon aktivitete sociale dhe kulturore nëpër burgje dhe një sërë ndihmash që shtrihen në fushat e tjera të jetës.