E Diel, 1 Nëntor 2026

Për një epistemologji të re të shkencave universitare



Prej disa kohësh bota universitare shqiptare ka hyrë në procesin e zbatimit të parimeve të Kartës së Bolonjës. Është një rrugë që hap perspektiva të reja si në demokratizimin e saj, ashtu edhe për një lidhje më të përshtatshme me tregun dhe nevojat e shoqërisë, sikurse edhe në kuptimin e integrimit të saj me arsimin evropian.

Sado që diskutohet shumë për mekanizmat e administrimit të veprimtarisë universitare, sepse në fakt ka një mal me probleme të mbledhura prej vitesh, një grumbull shqetësimesh të tanishme që kërkojnë drejtim, përsëri, në thelb, nuk duhet harruar se themelore është ndryshimi i përmbajtjes së shkencave universitare si edhe ngritja e mësimit dhe shkencës universitare në nivele të tjera, shumë më të larta ngase janë sot.

Nuk mund të mos konstatohet se krahas zhvillimeve tepër të vështira të deritanishme, fryt i punës së pedagogëve dhe drejtimeve universitare, gjendja ende është larg asaj që do të kërkonte detyra për ta bërë stokimin, transmetimin dhe ripërtëritjen e shkencës kombëtare në nivele krejt të tjera nga ato që janë sot.

E kemi fjalën këtu, veç të tjerash, sidomos për rinovimin e metodologjisë së shkencave, nëse duhet thënë ndryshe, të epistemologjisë të shkencave universitare, në lëmenj të tillë si shkencat humane, shkencat sociale, si edhe shkencat e quajtura të natyrës.

Pa dyshim që është ana më e vështirë e ndryshimit universitar, e cila deri më tani është lënë mënjanë në shqyrtimet profesionale brenda hapësirave publike të diskutimit.

E ngre këtë problem, sepse disa ngjarje dhe probleme krejt të pazgjidhura në lëmin e kujtesës sonë kombëtare apo edhe dilema aktuale të mbetura pa përgjigje ose të shoqëruara me përgjigje infantile, kanë një bazë më të thellë nga sa ajo që duket dhe shfaqet. Kam bindjen se kemi një pamundësi të shkencave shqiptare për të dhënë përgjigje ndaj këtyre sfidave për arsye pikërisht se ndërsa informacioni shkencor ka ardhur në ndryshim e sipër, bile ka qenë tepër fluktuant, pra me flukse të rëndësishme prurjesh, logjika e përpunimit të tij, në pjesën më të madhe të rasteve, ka mbetur ajo që ka qenë më parë ose pak a shumë e njëjta.

Të tilla probleme dolën në mënyrë urgjente gjatë debateve politiko-profesionale lidhur me të famshmin tekst historie për shkollat e mesme. Përtej vogëlimave subjektive të nxjerra në shesh, u shfaqën edhe probleme lidhur me kuptimin e marrëdhënieve mes fakteve të quajtura «objektive» dhe kuptimit të historisë, lidhur me kuptimin e kohës historike, një sërë problemesh që kanë të bëjnë me emërtimin e ngjarjeve historike etj.

Prej kohësh nuk po mundet të zgjidhet çështja e datës së çlirimit të vendit me mbarimin e Luftës së Dytë botërore.

Ka mbetur enigmë për shembull, shtimi i numërimit të vetëvrasjeve në periudhën e tranzicionit.

Nuk po gjen një shpjegim bindës fakti se përse Evropa e bashkuar krijon një ritëm tjetër më të ngadaltë për vende si Shqipëria dhe Bosnja lidhur me liberalizimin e vizave.

Shqetësime konceptuale ka edhe për të orientimin e politikave sipas modeleve të majta dhe të djathta, të cilat mbesin ende të pastrukturuara si duhet në mendim dhe në praktikë.

Për të mos thënë se ka pak fare studime lidhur me modelin që duhet të ndjekë ekonomia shqiptare në kushtet e krizës së sotme financiare. Nuk ka asnjë shpjegim të plotë për shkaqet e kësaj krize dhe ndikimet e ndërsjella të saj mbi vendin.

Kakofonia mbretëron edhe për të kuptuar se cili është në fakt statusi i marrëdhënieve mes feve të ndryshme, harmonia, mirëkuptimi, toleranca apo indiferentizmi fetar.

Këtu të mos zgjatemi shumë për çështje të mëdha të historisë së Shqipërisë, ku ende nuk po kuptohet si duhet marrëdhënia mes miteve tona kombëtare dhe realitetit profan të kohëve të shkuara.

Ende flitet për albanologji, ndërkohë që ka vend të mendohet nëse ka shkenca kombëtare apo shkenca është universale dhe se problemet shqiptare nuk janë veçse çështje të objektit të shkencave, jo të metodës së tyre, pra nuk e prekin natyrën universale të tyre. Mos duhet të flasim edhe për shkenca maqedonase, kineze, çeke etj.?

Tekstet në përdorim të filozofisë, ekonomisë etj. ende fluktuojnë në mënyrë eklektike sa nga një shkollë te tjetra e mendimit pa gjetur një koherencë qoftë edhe të përkohshme në aspektin së paku pedagogjik.

Fjalë disi të kapërcyera në fjalorin shkencor të sotëm, si «e vërteta objektive», «pasqyrimi i realitetit», «shkaku», «ligji fizik», «ligjësia e domosdoshme», «ligjësia historike», «substanca», «universaliteti», «objekti», etj., ende mbeten sundimtare të vjetruara në kuptimin që u jepet rrjedhave të mendimit në shumë fusha të shkencave universitare te ne.

Për të mos thënë që ka një turbullirë të paparë të mënyrës se si duhet administruar informacioni i ri shkencor. Nuk ka një përqasje racionale për atë që përbën logjikë të zbulimit shkencor si një marrëdhënie kritike mes stokimit të deritanishëm të dijes dhe informacionit dhe prodhimit të elementeve të reja të tij. Notohet në një pozitivizëm klasik të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që sikurse thoshte Rudolf Karnap, logjicieni dhe shkencëtari i shquar nuk është gjë tjetër veçse shprehja e infektimit të shkencës me ideologji dhe me fe. Tautologjia në përcaktimin e tematikave shkencore, mungesa e problematikave empirike të matura në mënyrë sasiore, kërkimi i lidhjeve mes fjalëve në mënyrë të shkëputur nga testimi dhe verifikueshmëria e tyre shkencore dhe empirike, kakofonia e koncepteve shkencore të marra në kuptime krejt heteroklite, të gjitha këto po bëjnë kërdinë brenda shkencës universitare, pa folur këtu për atë çka ndodh në kthinat e vogla të mendimit ku mësuesit e shkollave të mesme apo tetëvjeçare shpjegojnë sipas tyre probleme që kapërcejnë dukshëm, të shkretët, limitet që koha dhe kushtet e jetës dhe të punës u imponojnë padrejtësisht.

Sigurisht që kuptohet se metodologjia e shkencave universitare, quajeni si të doni, epistemologjia e shkencave apo logjika e tyre, është gjëja më e vështirë për t’u transformuar dhe për të ndjekur zhvillimet e sotme në këtë fushë. Na ka ndodhur në mënyrë të natyrshme që në një fazë të parë të këtyre dy dekadave, pra, për njëzet vjet, vëmendja të përqendrohet më shumë në marrjen e informacionit shkencor që vjen nga bota perëndimore. Ka qenë një detyrë e vështirë, sepse duhej të ngriheshin jo vetëm antenat përthithëse të këtij informacioni, por edhe të përpunohej me një shpejtësi marramendëse baza kuptimore vendase që do ta bënte të mundur asimilimin e këtij informacioni. Në këtë pikë një urgjencë e dytë tërhoqi edhe ajo vëmendjen, pra pa u thelluar ende fort mirë në marrjen e këtij informacioni, pa bërë dot një thellim të kuptimit të tij në kontekstin ku është krijuar, shkencave universitare shqiptare iu vu detyra e pashmangshme për të reflektuar për realitetin shqiptar, e për më tepër, pa qenë ende vetë e stabilizuar, ta transmetonte si mundej këtë dije te brezat e rinj të studentëve.

Nuk mund të mos mendohet se e gjitha kjo bën që progresi të kryhet nëpërmjet lëkundjeve dhe pasigurive të jashtëzakonshme.

Kriza e tekstit të historisë në fakt është shenja e krizës të të gjitha teksteve tona, udhëkryqi i shkencave universitare shqiptare në kushtet që përshkrova me shpejtësi më lart. Është në të vërtetë një situatë udhëkryqi e lidhur me kahjen e zhvillimit, jo me atë të rënies, por e pakuptuar dhe e vlerësuar si duhet, pa dyshim që mund të sjellë një tronditje të pashërueshme në ndërgjegjen shkencore të kombit.

Baza metodologjike dhe epistemologjike e shkencave mbeti pothuajse ajo që ka qenë. Shkenca universitare kërkoi më shumë fakte të reja për të rishpjeguar të kaluarën dhe të tashmen, tona, fakte të mbuluara nga censura, dhe nuk e ka marrë seriozisht ende nevojën e ndryshimit epistemologjik, pra të mënyrës logjike të kuptimit të fakteve. Këtu e çara është kulturore në krahasim me shkencën e sotme evropiane dhe sistemet e frenimit psikologjik te ne janë shumë të forta dhe lidhen me traditat tona, sa të lavdërueshme, aq edhe frenuese.

Mos harrojmë se shkenca evropiane ka një themel epistemologjik që frymëzohet nga tradita shekullare të një mendimi të krishterë dhe hebre. Ndërsa te ne, që prej shekujsh ka pasur një traditë të ndryshme kulturore e cila qëndron në mënyrë të padukshme në bazë të arsyetimit të çdo kombi. Kulturat protestante dhe hebre që kanë pasur aq shumë ndikim në logjikën e shkencave amerikane dhe evropiane, kanë kaluar si puhizë e pandjeshme mbi kulturën shqiptare. Rilindja jonë, një monument i respektueshëm, u mbështet fort në një bektashizëm patriotik panteist, jo vetëm aty sigurisht, që sidoqoftë është një dukuri lokale me parametra logjiko-heuristikë krejt të tjerë nga ato të botës evropiane të kohës.

Studimet epistemologjike janë më të vështirat. Shkencëtarët e fushave të veçanta e kanë të vështirë të hyjnë atje, për arsye të simbolikës logjiko-matematikore dhe formalizmit silogjistik shumë të avancuar që ato përmbajnë. Troç, pa një formim të specializuar, ato janë të palexueshme sado i shquar të jetë shkencëtari përkatës i një fushe të veçantë. Ndërkaq, ne nuk kemi shkollë të logjistikës dhe specialistët e saj janë pothuajse të paqenë. Latinishtja dhe greqishtja e lashtë, bazat linguistike të logjikave të shkencave të sotme, janë krejtësisht të fshira nga programet tona mësimore në nivel të formimit të përgjithshëm.

Fatkeqësi e vërtetë kulturore!

Në këtë mënyrë, jemi ende shumë larg kapaciteteve intelektuale për të menduar jo më sipas logjikës formale aristoteliane, por duke e pajisur e zhvilluar atë me të gjitha arritjet e epistemologjikës postaristoteliane.

Duke i ikur kuptimit të thjeshtësuar të shkakësisë lineare për të mbërritur te shkakësia rrethqarkulluese.

Për t’i ikur mitologjisë së origjinës së kulluar dhe për ta kuptuar fenomenin në forma bashkëveprimi ndëraktiv ku termi i dytë pas origjinës ndryshon edhe vetë origjinën, e cila bëhet kështu joorigjinale.

Për t’i ikur objektivizmit natyralist të faktit e për të shkuar drejt një bashkëveprimi të pashmangshëm psiko-fizik midis botës së fenomeneve dhe subjektit njerëzor.

Për të ndërfutur kuptimësinë jo vetëm atomike, me pika të veçuara konceptuale, por edhe atë në formë fushash bashkëveprimi ndëraktiv në shkencat e sotme, sociale, humane etj.

Për të ikur nga nocioni i objektit si zbulesë e kërkimit shkencor drejt konceptit të ndërtimit të këtij të fundit në formën e një marrëdhënieje penetruese subjekt-objekt.

Për t’i ikur idesë së sigurisë absolute shkencore për të shkuar drejt konceptit të së vërtetës si pranueshmëri sa më e gjerë prej komunitetit në bazë të testueshmërisë shkencore të fjalive protokollare.

Për të kuptuar se pyetja «Çfarë?» që kërkon shkakun substancial, në thelb mbetet bosh, sepse shkenca nuk gjen dot të vërtetën e substancave të veçuara bektashiane, por mund të kërkojë vetëm lidhjet formale, operacionale, funksionale midis fenomeneve. Gjen formën e bashkëveprimit dhe jo përmbajtje të izoluara substanciale.

Të vërtetat fondamentale të kulturës dhe të shkencës nuk mund të vërtetohen shkencërisht. Duhet kuptuar më së fundi se jetojmë në një botë themelet e së cilës janë të pranuara vetëm me marrëveshje. E vërteta e fundit duhet t’ia lërë vendin epistemologjisë së «kontratës gjuhësore», e cila realizohet nga sistemi i kulturës dhe i shkencës si mekanizma persuasivë dhe utilitarë.

Nuk mund të ketë kalueshmëri tërësore të kuptimësisë së informacionit shqisor drejt arsyetimit logjik. Shqisat dhe fjalitë logjike nuk kanë të njëjtën përqasje në përvetësimin e informacionit të jashtëm.

Logjika e algjebrës dhe ajo e gjuhës së shkencave sociale nuk kanë barazi mes tyre. Çdo imponim barazie mes tyre do të sillte paradokse shkencore nga të cilat vuajmë aq shumë sot. Logjika e numrit dhe ajo e klasave logjike në formën e fjalëve dhe termave të shkencave sociale janë shumë të ndryshme prej njëra-tjetrës. Ndërkohë, konfondimi i termave gjuhësorë, që në fakt u përkasin niveleve logjiko-lingustike të ndryshme, po e alienon rëndë arsyetimin shkencor dhe atë që kryhet në hapësirën publike.

Numërova vetëm disa nga fushat ku gjykoj se ka nevoja urgjente që të ecë reforma epistemologjike e shkencës universitare. Por, problematika e vërtetë është shumë më e gjerë sesa kaq.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›