Marku: PD po sillet sikur populli u ka bërë padrejtësi. Berisha nuk po e lëshon partinë
Ish- deputeti demokrat, Mark Marku, tha në një intervistë televizive se Partia Demokratike po sillet sikur populli u ka bërë një padrejtësi.
Marku ishte i ashpër edhe me seancën e fundit të Kuvendit, duke theksuar se Berisha nuk po ia lëshon drejtimin e partisë Bashës.
Berisha deri më tani nuk ka ndonjë shenjë që do tia lërë drejtimin e partisë zotit Basha. Ky i fundit nuk ka fuqi të bëjë opozitë deri sa të ketë kontroll të plotë brenda strukturave të PD-së. Është lideri që ka legjitimitetin më të madh se gjithë liderët e tjerë por ka pushtetin më të vogël. Në gjykimin tim nuk ka kurrfarë autoriteti.
Para tre ditësh Basha tha që do kemi opozitë konstruktive, ndërsa pas tre ditësh zoti Berisha u dha urdhër deputetëve dhe i nxori nga salla. Krijoi atë skemë që më tepër se zotit Rama, i drejtohej zotit Basha për ti thënë se opozita nuk do jetë siç do ti, por siç dua unë. Berisha vazhdon të ketë ndikim shumë të madh në PD, tha Marku për News 24.
Duke ju referuar votimit për zgjedhjen e Ilir Metës kryetar Kuvendi, Marku theksoi se ka pasur rrjedhje votash tek PD dhe do të ketë prapë të tjera.
Kriteret me të cilat i ka zgjedhur Berisha deputetët ishin vlerësimi i emrave më sa më pak personalitet. Këta njerëz që nuk kundërshtojnë, kur ti humbet pushtetin, të braktisin të parët. Vetë konfigurimi i grupit parlamentar të PD është i mjerueshëm e nuk premton asgjë. Ka disa personalitete, por janë të komprometuar me pushtetin e nuk bëjnë dot opozitë./ep