E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet SHBA-Koreja e Jugut dhe kërcënimet e Veriut

Presidenti amerikan Barack Obama dhe presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-ye, gjatë festimit të 60 vjetorit të aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, i bënë thirrje Koresë së Veriut t’i japë fund kërcënimeve dhe t’i eliminojë armët bërthamore. Dy presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit që zhvilluan në Shtëpinë e Bardhë.

Të dy presidentët shprehën solidaritet dhe dënuan kërcënimet e Phenianit për sulme me armë bërthamore.
Në javët e fundit, Koreja e Veriut e ka kërcënuar me sulme Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë amerikanë në Azi në shenjë hakmerrjeje për intensifikimin e sanksioneve ndaj Phenianit, që pasuan një provë bërthamore në fillim të këtij viti.

Presidenti Obama tha se Koreja e Veriut nuk mundet të krijojë përsëri një krizë dhe të përfitojë lëshime.

“Nëse Pheniani mendon se kërcënimet e tij të fundit do të dëmtojnë marrëdhëniet e mira midis Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, ose në njëfarë mënyre të shtojë respektin ndërkombëtar, takimi i sotëm është një provë e mëtejshme se Koreja e Veriut sërish ka dështuar”.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë plotësisht të afta për të mbrojtur veten e tyre.

Presidentja Park tha se nëse Koreja e Veriut në të ardhmen bën provokime, Seuli do t’i përgjigjet atyre.

Të dy udhëheqësit thanë se mbështesin një përmbysje të konsiderueshme të planeve bërthamore të Phenianit.

“Ne mbetemi të hapur ndaj mundësisë që Koreja e Veriut të zgjedhë rrugën paqësore të çarmatimit bërthamor, të respektojë angazhimet ndërkombëtare, t’i ribashkohet bashkësisë ndërkombëtare”.

Që kur mori detyrën në muajin shkurt, presidentja e parë grua e Koresë së Jugut ka mbështetur ndërtimin e besimit me veriun. Ajo e ka lënë të hapur mundësinë e dërgimit të ndihmave në Korenë e Veriut dhe për nisma ekonomike me këtë vend, nëse ka përparim në trajtimin e çështjes bërthamore.

Zyrtarët amerikanë thonë se Koreja e Veriut ka ulur tensionet në ditët e fundit, duke hequr disa raketa balistike me rreze të mesme veprimi nga një vend  për hedhjen e tyre, pas përgatitjeve për një provë të mundshme me to. Marcus Noland, i cili punon në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se Pheniani duhet të heqë dorë nga kërcënimet, para se negociatat të mund të fillojnë.

“Mendoj se, në fund të fundit, koreanoveriorët duan të gjejnë një mënyrë për të deklaruar fitoren, dhe pastaj do ta ndalnin retorikën kërcënuese. Atëhere ne do të mund të jemi në gjendje të flasim me njëri-tjetrin”.

Presidenti Obama dhe presidentja Park vlerësuan bashkëpunimin e kohëve të fundit të Kinës dhe Rusisë në lidhje me çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›