Marrëdhëniet Greqi-Turqi/ Mitsotakis dhe Erdogan: Të lëmë mënjanë armiqësitë dhe të shtrijmë dorën e miqësisë

Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë duket se do të hyjnë në një epokë të re, teksa liderët e të dy vendeve janë shprehur të gatshëm për të shtrirë dorën e bashkëpunimit.
Një intervistë për Associated Press kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis tha se synimi i tij është t’i “zgjatë dorën e miqësisë” fituesit të zgjedhjeve të ardhshme në Turqi, nëse edhe ai vetë rizgjidhet, në të njëjtën kohë.
“Por unë nuk jam naiv”, tha kryeministri grek, duke sqaruar gatishmërinë e tij për të qenë i hapur për bisedime me cilëndo figurë politike që fiton betejën zgjedhore të së dielës në Turqi.
Nga ana tjetër, edhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka shprehur dëshirën për të nisur një epokë të re në marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë. Në një deklaratë për median greke “Kathimerini”, Erdogan u shpreh se të dy vendet mund t’i lënë mënjanë armiqësitë dhe të ecin përpara.
“Ne mund të lëmë mënjanë armiqësitë dhe garat me Greqinë, pasi këto kanë dëmtuar ndjeshëm të dy vendet dhe nuk duhet të vazhdojnë. Shpresoj që zgjedhjet në Greqi dhe Turqi të shënojnë fillimin e një epoke të re. Nga Turqia i dërgojmë Greqisë përshëndetjet tona të ngrohta dhe miqësore”, ka thënë ai.
/rtsh.al/