E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tre turistëve izraelitë iu pëson makina defekt dhe humbin në pyjet e Krujës, gjenden nga policia

Policia e Krujës iu ka ardhur në ndihmë tre turistëve izraelitë që kishin humbur orientimin në pyllin e fshatit Brret.

Shërbimet e Policisë kanë mundësuar edhe tërheqjen e automjetit të turistëve pasi makina me të cilin ata udhëtonin, kishte pësuar defekt në zonën malore të fshatit Brret.   

Të tre turistët kishin kërkuar ndihmën e Policisë, sepse kishte humbur orientimin në pyll, si pasojë e defektit të automjetit me të cilin udhëtonin.

Pas marrjes së telefonatës shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet për të lokalizuar 3 turistët.

“Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në pyllin e fshatit Brret, 3 shtetasit izraelitë Sh. H., 38 vjeç, M. Y., 30 vjeç dhe M. H., 38 vjeç, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë tërhequr automjetin e këtyre shtetasve, që kishte pësuar defekt, dhe i kanë shoqëruar të tre ata, deri në qytetin e Krujës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja e sotme me tre tursitët izrealitë vjen pas ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit, ku një turist holandez humbi jetën si pasojë e ujit të rrëmbyer në lumin Osum.

Trupi i tij i pajetë është gjetur ditën e sotme nga palumbarët e RENEA-s, të cilët kërkuan për disa ditë me radhë në këtë zonë. Ai ishte bashkë me bashkëshorten, por fatmirësisht kjo e fundit arriti të dalë nga ujërat e Osumit.

Ndërkaq dy turiste të huaja njëra belge dhe tjetra franceze gjetën vdekjen teksa përpiqeshin të kalonin në shtigjet e Valbonës dhe Thethit. Trupat e tyre u nxorën ditën e djeshme pas përpjekjeve të ekipeve të shpëtimit të Kosovës me autoritetet vendore shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›