E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet SHBA-Rusi thuajse të bllokuara

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për momentin kanë kaluar në plan të dytë, për shkak të krizës në Lindjen e Mesme.

Përmirësimi i marrëdhënieve me Moskën për presidentin amerikan, Barack Obama, ishte një gurë-themel i politikës së tij të jashtme. Gjatë 4 vjetëve të fundit, i ashtuquajturi "rifillim" në marrëdhëniet dy paleshe solli një marrëveshje të rëndësishme për kontrollin e armëve dhe shtim të bashkëpunimit në çështje si Afganistani dhe Irani.

Në të njëjtën kohë, analistët thonë se ende ekzistojnë disa mosmarrëveshje të rëndësishme, si për shembull si të zgjidhet kriza në Siri dhe çështja e mbrojtjes nga raketat, që është mbështetur nga administrata Obama.

Disa analistë ngrenë pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara do t’u japin energji marrëdhënieve me Rusinë, siç ndodhi gjatë mandatit të parë të Obamas. Profesori i Universitetit Columbia, Robert Legvold e përshkruan gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi si të "paparashikueshme."

"Që zhvillimet në marrëdhëniet dypalëshe të shkojnë mirë, do të kërkohet vëmendje dhe iniciativa. Dhe nëse kjo nuk bëhet, marrëdhëniet SHBA-Rusi mund të pësojnë zmbrapsje, madje edhe të acarohen nga ngjarje të paparashikueshme", theksoi Legvold.

Analistët mendojnë se një gjë është e sigurt: marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përmirësuar aq shumë gjatë 20 vjetëve të fundit, saqë ata thonë se rikthimi në ditët e Luftës së Ftohtë të mbushura plot tendosje, është thuajse i pamundur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›