Nisin rokadat në Ambasadat e Kosovës

Së paku pesë ambasadorëve do t’iu skadojë mandati në misionet e jashtme të Kosovës të cilët pritet të përgatisin valixhet. Disa do të nisen për misione tjera ndërsa, ndërkaq, për disa të tjerë ende nuk dihet se ku do të sistemohen apo do të ketë riemërime.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës pritet të bëjë disa lëvizje brenda stafit diplomatik në Misionet e jashtme të Kosovës. Së paku pesë ambasadorëve do t’iu skadojë mandati ligjor ndërsa ministria pritet të nis procedurat e emërimeve të reja dhe sistemimit të ambasadorëve. Me Ligjin për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, neni 22 që përcakton kohëzgjatjen në misionet diplomatike, përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në misionet e tyre për një periudhe kohe katër vjeçare. Ndryshe mund të veprohet sipas kërkesave dhe nevojave të posaçme të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Burime të portalit Standardi.info kanë mësuar se tashmë ka filluar një rifreskim i misioneve të jashtme. Mirëpo përkundër përpjekjeve tona, nuk arritëm të marrim një përgjigje zyrtare nga ministria e jashtme. Aktualisht pesë ambasadorëve gjatë muajve në vijim u skadon ky mandat dhe pritet të përgatisin valixhet. Megjithëse ende nuk dihet se nga do të transferohen. Burime të Standardi.info, bëjnë të ditur se fjala është për Muhamedin Kullashin ambasador i Republikës së Kosovës në Francë, Naim Malaj ambasador në Zvicër, Sabri Kiqmari në Austri, Nexhmi Rexhepi në Holandë dhe Valdet Sadiku në Kroaci.
Po ashtu në këtë rreth hynë edhe ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci por që ky rishtazi është emëruar përfaqësues i zyrës ndërlidhëse në Serbi, ndonëse nuk dihet nëse ai paraprakisht është tërhequr nga shteti ku ka shërbyer. Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëkoordinim me presidencën e Kosovës pritet të rrumbullakojë këtë proces brenda një periudhe të shkurtër. Kjo sipas burimeve tona nënkupton që ministria e jashtme për çdo lëvizje duhet ti procedojë presidencës propozimet për emërime të reja.
Emërimet dhe lëvizjet e stafit diplomatik parashihet edhe me nenin 21 i Ligji për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës sipas së cilës transferimi, lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm bëhet me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme, në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm. Në çdo rast, propozimi shoqërohet dhe mbështetet në vlerësimin e punës të paraqitur nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i nëpunësit. Procedurat e kryerjes së transferimit, lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.
Jozyrtarisht bëhet e ditur se ka filluar procedura për lëvizje. Kështu ambasadori i Kosovës në Kroaci së shpejti duhet të paketojë valixhet dhe të largohet nga Zagrebi. Gjithnjë sipas informacioneve jo zyrtare ai do të dërgohet në një mision tjetër atë të Australisë. Aktualisht misionin i atjeshëm udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës Skender Durmishi. Ndërsa për katër ambasadorë tjerë nuk dihet nëse do të riemërohen apo do të sistemohen në ndonjë shtet tjetër. Tani për tani megjithë posteve vakante, ato ende nuk janë plotësuar pavarësisht emërimeve që janë bërë. Megjithëse Vjosa Dobruna është emëruar ambasadore ajo ende nuk është dërguar në ndonjë mision të jashtëm.
Me ligj përcaktohet që, përzgjedhja për postet e ambasadorëve ose shefave të tjerë të misioneve nuk kufizohet për shërbyes civilë. Megjithatë, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të reja të shefave të misioneve, nga data pesë vite pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit Diplomatik të Kosovës. Megjithatë ende mbetet e paqartë se në bazë të cilave kritere do të bëhet vlerësimi. Një tjetër problem ka të bëjë edhe me emërimet e ambasadorëve që duhet të kalojë përmes filtrit të komisionit për politik të jashtme, ku zakonisht çdo lëvizje bëhet në baza partiake dhe jo të interesit të përgjithshëm që përcaktohet edhe me Kushtetutë. Veç kësaj ende mbetet e paqartë se çfarë do të ndërmarrë diplomacia e jashtme e Kosovës për sa i përket gradimeve, ose edhe degradimeve, sidomos të stafit politik të cilët janë duke shërbyer në misionet e para diplomatike./Indeksonline/