E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja detare me Greqinë, PBDNJ kundër PS

Çështja e shumëpërfolur për delimitimin e hapësirave detare dhe shelfit kontinental me Greqinë nuk duhet të shfrytëzohet nga opozita për të nxitur frymën ksenofobiste mes dy vendeve. Deklarata vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë opozitare, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, një ditë pasi selia rozë e mbeshtetur nga disa subjekte jo parlamentare, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen që përcakton kufinjtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas zotit Solis, kjo çështje po shfrytëzohet nga kreu i socialistëve në dëm të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Solis “Opozita nuk duhet të nxisë frymën ksenofobiste, duke dëmtuar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, pasi Rama nuk është më nacionalist se Berisha dhe Meta që kanë dhënë një kontribut tepër të madh për çështjen kombëtare.”
Për zotin Solis hetimi i kësaj marrëveshjeje të nënshkruar muaj më parë në Tiranë mes ish-ministrit të Jashtëm Lulzim Basha dhe shefes greke të Diplomacisë Dora Bakojanis është një e drejtë Kushtetuese për opozitën. Për këtë arësye Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të drejtat e njeriut deklaron se nevoja e një ekspertizë të mirëfilltë ndërkombëtare do të përcaktonte qartazi nëse bëhet fjalë për një spekulim apo një akt juridikisht i bazuar në parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht të Konventën e OKB-së për Detin.
Solis “Nuk jemi kundër hetimit madje të këtë dhe një ekspertizë ndërkombëtare, por jo të spekullohet, pasi e drejta e hetimit është e bazuar në Kushtetutë.”
Deklarata e drejtuesit të Partiesë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vjen në një kohë kur Partia Socialiste dhe disa subjekte të tjera jo parlamentare ankimuan në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë me argumentin se nëpërmjet saj, cënohet pavarësia territoriale e Shqipërisë, duke i kaluar hapësirën detare shtetit helen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›