E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja me Serbinë, Thaçi i dorëzon dokumentin Jahjagës

PRISHTINË-Kryeministri Hashim Thaçi i dorëzoi sot Presidentes Atifete Jahjaga dokumentin e nënshkruar, i cili dërgohet për ratifikim në Kuvend, për zbatimin e marrëveshjes së arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo theksohet në njoftimin zyrtar nga Presidenca kosovare, ku bëhet e ditur se Presidentja priti në një takim kryeministrin e Kosovës, i cili e njoftoi për rrjedhën e takimit në Bruksel me kryeministrin e Serbisë.

Në takimin e sotëm, presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi biseduan edhe për përgatitjen e zgjedhjeve lokale për asambletë komunale dhe për kryetarët e komunave, që do të mbahen njëkohësisht në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe katër komunat në veri të vendit, dhe për caktimin e datës së mbajtjes së tyre në harmoni me planin e zbatimit të marrëveshjes brenda afatit të përcaktuar ligjor.

Qeveria kosovare miratoi sot Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
“Miratimi dhe procedimi i këtij projektligji për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nënshkrimi nga Presidentja, hap rrugën e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje nga institucionet e Kosovës dhe nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX, nga KFOR-i dhe nga Misioni i OSBE-së në Kosovë”, ka theksuar kryeministri Thaçi në mbledhjen e qeverisë.

Plani i zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit të parafuar nga kryeministri kosovar dhe ai serb në Bruksel, është miratuar nga qeveria e Kosovës të premten, ndërsa në mbrëmjen e së dielës nga qeveria e Serbisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›