E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja për Miqësi dhe bashkëpunim ruso-maqedonas

Konkretizimi i Marrëveshjes për Miqësi dhe Bashkëpunim midis Rusisë dhe Maqedonisë, plani për bashkërendimin e politikës së jashtme, bashkëpunimi ekonomik nëpërmjet projektit të gazifikimit si dhe investimet ruse në sferën e energjetikës kanë qenë temat kryesore të takimit të zhvilluar pasditen e së mërkurës në Ohër midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov. Takimi me kryeministrin Nikolla Gruevski, sipas burimeve mediatike ka zgjatur jashtë protokollit të parashikuar. Nëpërmjet një njoftimit të shërbimit për informim të Qeverisë theksohet se Gruevski dhe Lavrov kanë vlerësuar marrëdhëniet e mira politike, dhe nevojën për intensifikimin e tyre edhe në planin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Ata kanë biseduar edhe për konkretizimin dhe përmbylljen e tekstit të Marrëveshjes për miqësi dhe bashkëpunim midis dy vendeve që pritet të nënshkruhet deri në fund të këtij viti nga presidentët Gjorgje Ivanov dhe ai rus Dimitri Medvedev. Përfshirja e Maqedonisë në gazsjellësin “Rrjedha jugore” nëpërmjet GAZPROM si dhe investimet në planin energjetik kanë qenë temat e tjera të takimit. Gjithashtu është theksuar edhe nevoja për finalizimin e projekteve për hapjen e Qendrave kulturore informative në Shkup dhe Moskë si dhe për çështje tjera. Shefi i diplomacisë ruse ka rikujtuar se në Shkup ka qenë në vitin 1999, dhe se sipas tij, afërsia krishtero-ortodokse e dy popujve është një faktor plotësues, duke marrë parasysh Maqedoninë si destinacion turistik. Ministri rus Lavrov këto komente i bëri pas nënshkrimit të një plani të përbashkët midis dy ministrive për konsultime të rregullta gjatë periudhës 2011-2012 në fushën e politikës së jashtme. Lavrov gjatë qëndrimit në Shkup u takua edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, realizoi një vizitë në Ohër dhe Manastir. Prania e ministrit të jashtëm rus në Maqedoni ishte në kuadër të turit ballkanik, ku vizitoi Serbinë, Malin e Zi dhe më pas Slloveninë
 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›