E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje apo vazhdim i dialogut, ende e paqartë

Vazhdon të mbetet i paqartë vazhdimi ose jo i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njësoj siç mbetet i paqartë qëndrimi i Serbisë karshi marrëveshjes që ka derivuar nga ky proces në Bruksel. Palët vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për marrëveshjen, e cila është pranuar nga Prishtina, përderisa Beogradi vazhdon ta kundërshtojë. Në Bruksel, shpresojnë për një përafrim të shpejtë të qëndrimeve.Marrëveshja e ofruar në Bruksel pas tetë raunde bisedimesh ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë së jashtme të BE-së, mund të mos ndodhë, nëse deri në fillim të javës së ardhshme, Serbia nuk pajtohet me parimet bazë të propozuara nga Brukseli.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, mendon se në këtë rast duhet të ketë një plan B dhe marrëveshja që ka derivuar nga ky proces të arrihet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, transmeton RTK.

“Ne duhet njëanshëm njësoj siç e kemi implementuar Pakon e Ahtisarit ta filojmë ta implementojmë atë që e kemi dakorduar në Bruksel”, tha Çitaku.

Nga ana tjetër, në Bruksel, nuk ka ndonjë zhvillim të ri sa i përket mundësisë së vazhdimit edhe të një raundi bisedimesh. Por, atje ka shpresa për arritjen e pajtueshmërisë mes palëve. Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, ka shprehur besimin se marrëveshja do të arrihet brenda javës së ardhshme.

“Unë shpresoj që brenda disa ditëve, siç po shihet të hënën, ne, do të

përshëndesim arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kacin.

Ndërkohë, të martën më 16 prill, Komisioni Evropian pritet ta miratojë raportin për Kosovën dhe Serbinë.

Njohësi i çështjeve integruese Shenoll Muharremi, beson se Kosova nuk do të pengohet në procesin e integrimit, për fajin e Serbisë.

“Kosova nuk duhet, nuk bën dhe nuk besoj se do të pengohet, në rast se Serbia nuk e pranon marrëveshjen. Thjesht, është çështje e Serbisë”, tha Muharremi.

Por, 16 prilli, sipas kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq, nuk do të jetë dita kur do të shuhen ëndrrat e Serbisë, edhe për Kosovën edhe për BE-në. Ai ka kërkuar që propozimi i ofruar për marrëveshje të ndryshohet, duke insistuar në dhënien e përgjegjësive ekzekutive për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë që propozimi i Brukselit nuk e parasheh.

Prishtina, në anën tjetër, ka thënë se nuk do të lejojë kompetenca të tilla për këtë mekanizëm. Mungesa e marrëveshjes, Serbisë mund t’i kushtojë me mosmarrjen e datës për anëtarësim në BE.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›