E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje mes UT-së dhe Spitalit Amerikan për studentët

Nëse studentët do të kenë një kartë me të dhënat e tyre dhe me logon e Spitalit Amerikan do të përfitojnë 20 % ulje të çmimit për vizitat dhe trajtimin shëndetësor në këtë spital. Kjo në sajë të një marrëveshje midis rektoratit të Univeristetit të Tiranës dhe Spitalit Amerikan.

Në fjalën e tij rektori i UT z.Dhori Kule i drejtoi një falenderim të veçantë Drejtorit të Përgjithshëm të Spitalit Amerikan z.Klodjan Allajbeu për vizionin e tij dhe të spitalit që ai drejton, duke shprehur bindjen se hapësira bashkëpunimi do të konkretizohen në një të ardhme të afërt, jo vetëm me shërbimin klinik shëndetësor, po edhe me atë akademik.

"Ne sot firmosëm një marrëveshje me Spitalin Amerikan, që njihet në Shqipëri për një shërbim e gadishmëri të nivelit të lartë. Thelbi i marrëveshjes është që stafi dhe studentët tanë do të kenë privilegjin që në shërbimet që do të kryhen në Spitalin Amerikan të jenë të privilegjuar nga pikëpamja e çmimit të këtij shërbimi, pra me çmime të reduktuara krahasuar me pacientët e tjerë dhe kjo do të sigurohet nëpërmjet pajisjes që Spitali Amerikan do ti bëjë personelit tonë me Kartën Vital. Me këtë rast une dua që stafit dhe studentëve t`ju uroj të jenë sa më të shëndetshëm po për rastet kur ata do te kene nevojë, sepse jeta i ka nevojat e shërbimit shëndetësor, në rastin kur do kenë nevoja të tilla mua më vjen mirë që gjejmë në tregun e shërbimit shëndetësor në Shqipëri një aktor, i cili sillet në mënyrë jashtëzakonisht sociale dhe ka përzgjedhur stafin dhe studentët e Universitetit të Tiranës. UT ka pjesë të tij dhe Fakultetin e Mjekësisë, ndaj natyrshëm mund të lindë pyetja, ju keni spitalin që është pjesë e fakultetit, ky bashkëpunim nuk është zëvendësues i shërbimeve që njerëzit në mënyrë normale kryejnë në Q.S.U.T, por është një kontribut dhe shërbim shtesë . Spitali Amerikan tashmë është i dallueshëm për shërbimet që bën në fushën e shëndetësisë në Shqipëri”- pohoi Dhori Kule.


Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu u shpreh i kënaqur nga ky bashkëpunim dhe deklaroi se do të ketë dhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen.

"Në këtë marrëveshje që po nënshkruajmë me Rektoratin e UT përfshihen kontrolle falas për kujdesin shëndetësor të stafit akademik, por gjithashtu do të ofrohen edhe shërbime të tjera, të cilat do të jenë me një çmim ndjeshëm të reduktuar. Kjo marrëveshje e finalizuar sot është vetëm fillimi i një bashkëpunimi, i cili do të vazhdojë në të ardhmen edhe në drejtime të tjera, si bashkëpunime e organizime të seminareve, konferencave të thelluara në mjekësi ; shkëmbim eksperiencash dhe ofrim mundësish për mjekët specializantë, duke iu ofruar standartet e Spitalit Amerikan”-tha Klodjan Allajbeu.


Por çfarë është karta VITAL?

Karta VITAL është një mjet identifikimi i personalizuar, e cila mundëson ulje të çmimeve për shërbimet e ofruara pranë çdo Spitali Amerikan. Me kartën VITAL ju jeni jo vetëm mbajtës i një karte prestigjioze, por edhe përfitues i shumë avantazheve që ju njeh karta.
Falë Karta VITAL fitoni të drejtën të trajtoheni në mënyrë preferenciale në 2 Spitalet Amerikane në Tiranë, por edhe në Spitalin Amerikan në Durrës dhe Fier duke përfituar ulje të tarifave për shërbime diagnostikuese, nga momenti i marrjes së kartës VITAL deri në dy vitet e ardhshme. Në çdo rast të paraqitjes suaj në recepsion ju paraqisni kartën VITAL dhe një mjet identifikimi dhe përfitoni uljen prej 20% në shërbimet që do të merni. Me kartën VITAL ju bëheni pjesë e një database ku Spitali Amerikan do ju informojë me përparësi kohore për çdo ofertë, shërbim apo fushatë promocionale, si dhe studime apo statistika.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›