E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje për përfshirjen e romëve në jetën ekonomike e sociale

09/04/2010 Dita Ndërkombëtare e Romëve

Integrimi dhe përfshirja e komunitetit rom në jetën social-ekonomike dhe kulturore të vendit do të shërbejë si pikënisja kryesore e zbatimit të një sërë projekteve të hartuara jo vetëm nga institucionet tona, por edhe nga organizmat ndërkombëtare. Ndonëse janë bërë premtime të shumta, integrimi i kësaj shtrese mbetet në nivele të papërfillshme. Më problematike rezultojnë të jenë: pjesëmarrja në arsim, tregun e punës, regjistrimi në gjendjen civile. Megjithatë, dje, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, është nënshkruar ndërmjet ministrit të Punës, Spiro Ksera dhe përfaqësueses së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Coslet, një marrëveshje për fillimin e një projekti për mbështetjen dhe zhvillimin e komunitetit rom dhe egjiptian në vendin tonë. Ky program është i fokusuar në mobilizimin e komunitetit për zbatimin e projekteve të infrastrukturës në zonat ku është përqendruar komuniteti rom, regjistrimin e anëtarëve të këtij komuniteti, mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe format më të këqija të punës, sigurimin e arsimimit në mosha të hershme për fëmijët, promovimin e punësimit nëpërmjet ofrimit të kurseve profesionale etj. Përfitues të këtij projekti, që kap vlerën e rreth 2.7 milionë dollarëve të financuara nga OKB-ja, do të shtrihet në rajonet e Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Durrësit. Gjatë inaugurimit të një segmenti rrugor në lagjen “Rrapishtë” të Elbasanit, zonë kjo e banuar kryesisht nga komunitetit rom, ministri Ksera ka deklaruar se pas anëtarësimit të Shqipërisë në Dekadën Rome, pikërisht dy vjet më parë, tashmë Shqipëria ka hartuar dhe miratuar edhe një plan të detajuar veprimi, i cili është fokusuar në katër fusha prioritare: arsimin, punësimin dhe mbrojtjen sociale, shëndetin, strehimin dhe infrastrukturën. Realizimi i këtyre objektivave do të zbatohet në bashkëpunim të instancave shtetërore përgjegjëse me njëra-tjetrën, të instancave qendrore me ato vendore, me shoqërinë civile, veçanërisht shoqatat rome, si dhe me mbështetjen e donatorëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›