E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedohet 56-vjeçari, “kërcënonte” me mesazhe erotike

09/04/2010 DURRES- Një shtetas me banim në Tiranë është vënë nën përgjegjësi penale, pasi ai është denoncuar nga një femër në Durrës lidhur me mesazhet e dërguara. Shtetasi 56-vjeçar që është bërë objekt i policisë quhet Mehmet B. Ai banon në Tiranë në njësinë bashkiake numër 7, atje ku edhe është njohur me femrën që e ka denoncuar. Sipas policisë, 40-vjeçarja me inicialet H. A. nga Durrësi ka dy javë që shqetësohet nga thirrjet në telefon dhe mesazhet telefonike. Ajo një ditë më parë ka vendosur të padisë për në gjykatë shtetasin Mehmet B. me të cilin kishte njohje prej disa vitesh. Nuk janë dhënë shumë detaje lidhur me akuzën që 40-vjeçarja durrsake ka bërë ndaj një mashkulli me të cilin edhe kishte shkëmbyer biseda kohë më parë. Për agjentët e policisë ka qenë i mjaftueshëm leximi i disa mesazheve që i janë dërguar femrës durrsake për të drejtuar më pas gishtin ndaj keqbërësit Mehmet B. Një pjesë e këtyre sms-ve ishin presion ndaj durrsakes, ndërsa kishte edhe mesazhe erotike për të joshur 40-vjeçaren. Por teksti i mesazheve erotike duket se nuk ka bërë asnjë efekt në të mirë të tiranasit Mehmet B. Femra nga Durrësi kishte vendosur të linte mënjanë njohjen me 56-vjeçarin tiranas, madje për të “shpëtuar” prej tij e kishte bërë objekt të kallëzimit në polici. Në cilësinë e provës materiale policia thotë se ka sekuestruar edhe disa letra postare që 56-vjeçari ka dërguar në adresë të beqares durrsake. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë regjistruar një nga një të gjitha mesazhet e ruajtura në telefonin celularë të denoncueses, letrat e postuara nga 56-vjeçari, si dhe disa nga datat dhe orën e kryerjes së thirrjeve telefonike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›