E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tom Ford

Më parë, stilisti mendonte vetëm për aspektin material të jetës, ndërsa tani ka zbuluar edhe atë shpirtëror. Kjo, falë hyrjes në kinema, në rolin e një regjisori të suksesshëm me filmin “A single man”
Tom Ford është një njeri që, si drejtor krijues i “Gucci”-t, diti ta merrte firmën e famshme në prag të shkatërrimit dhe t’i rikthente magjinë dhe identitetin që kishte humbur gjatë viteve. Por jo vetëm kaq, vendosi t’i jepte më shumë. Me 16 koleksionet e tij në vit, me këpucët, bizhuteritë, kostumet dhe fushatat publicitare, jashtëzakonisht provokuese dhe gjithmonë elegante, Ford në vitet ‘90 ishte bërë jo vetëm stilisti më i suksesshëm i brezit të tij, por një arbitër i shijes bashkëkohore. Në vitin 2004, pas një kalimi të shkurtër tek Yves Saint Laurent, (kur kjo u bë pjesë e “Gucci”-t), Ford u largua dhe në moshën 43-vjeçare, i pashëm, i pasur dhe i famshëm.
Por, i papunë. Për këtë shkoi të blinte menjëherë shkopinjtë e golfit, por pas disa ndeshjeve, hoqi dorë. Pastaj vendosi të hapte linjën e tij “Tom Ford Menswear” dhe nxori në treg edhe parfume dhe syze. Tani që ka filluar të hedhë hapat e parë në kinema, ai nuk e ka problem të pranojë se ka qenë një periudhë vërtet e vështirë, që i ka kushtuar shumë: “Nuk kisha më zërin tim në kulturën bashkëkohore”. Por tani, zëri i tij është rikthyer fuqishëm, por jo në modë, por në një tjetër fushë, atë të kinemasë. Historia e Hollivudit është e pasur me individë që, pasi kanë fituar para dhe kanë gjetur suksesin në fusha të tjera, kanë vendosur t’i hynë kinemasë, por nuk kanë rezultuar të suksesshëm, sepse industria e Hollivudit është e pamëshirshme. Por, përshtypjen e atyre që ishin shumë të sigurt e kishte edhe Tom Ford dhe, nuk gaboi.
Filmi i tij, që ka si protagonist aktorin Colin Firth, po përballet me një vlerësim të jashtëzakonshëm të kritikës, aq sa ka fituar edhe nominimin për “Golden Globe”. “Një debutim vërtet mbresëlënës”, ka shkruar “Variety”, për filmin e frymëzuar nga romani me të njëjtin titull të Christopher Isherwood. Një film që mund t’i sjellë edhe çmimin “Oskar”. Interpretimi në filmin e parë të stilistit Tom Ford, i Colin Firth, mund t’i vlejë nominimin për çmimin “Oskar” në kategorinë “Best actor”.
“A single man” tregon ditën e fundit të jetës së George, një profesor i letërsisë angleze në një universitet amerikan në vitet ‘60, që pas vdekjes së shokut të tij përgatitet për vdekjen e tij. Në moshën 8-vjeçare, Tom Ford duket se e ka gjetur plotësisht veten, por me një profesion të ri. Ja se ç’tegon ai për motivimet, shpresat dhe keqardhjet. Ai nuk harron edhe për përvojën për ta nisur gjithçka nga fillimi.
Para se të nisim të flasim për botën tuaj të re, rikthehemi pak në profesionin tuaj të vjetër, për të na treguar se cilët, sipas jush, janë njerëzit më elegantë në këtë fillim dekade?Lapo Elkann. Vishet në mënyrë ekstravagante. është një njeri që ka besim te “look”-u i tij, që e di kush është dhe ka një stil shumë individual dhe ironik.
Por nga gratë?
Michelle Obama. E adhuroj.
Le të flasim për “A single man”. A mund të na tregoni diçka nga dita juaj e parë në sheshin e xhirimeve në rolin e regjisorit? çfarë ndjetë? Frikë, ankth?
Nuk do të doja të dukesha arrogant, por m’u duk diçka shumë e natyrshme. Moda është një zanat kolektiv, ku duhet të shprehësh vizionin tënd dhe pastaj ta transmetosh me ndihmën e grupit që ke përreth. Kinemaja është njëlloj, ashtu si moda kërkon shumë kapacitet organizativ. Pastaj nuk ishin herët e mia të para. Në shkollë kam fituar çdo garë për shkrimet dhe komunikatat e shtypit për sfilatat i kam shkruar gjithnjë vetë. Të bësh modë do të thotë edhe të drejtosh “show” dhe të merresh me publicitetin. Nëse ke ndërmend ta realizosh atë çfarë ke për zemër, duhet të punosh fort. Vetëm kështu mund të bësh të ndodhë gjithçka.
Por nëse je një emër i njohur, gjërat janë më të lehta?
Që vite më parë, kur vendosa të bëhesha regjisor, i shoh filmat me një sy tjetër: jam i kujdesshëm ndaj skenave, planeve, ngjyrave, personazheve. Kam lexuar shumë libra për të mësuar të shkruaj një skenar dhe më shërbeu shumë njëri që ishte shkruar nga David Mamet. Prej 15 vjetësh e ndiej që moda nuk më bën të tregoj atë që dua të shpreh, kjo sepse gjërat që mendoj në fushën e modës janë kalimtare. Por kinemaja jeton përgjithmonë dhe jam i kënaqur që kam jetuar një përvojë të tillë. Nga të gjitha gjërat që kam krijuar në jetën time, ky film është ai për të cilin jam më krenar.
Përse pikërisht “A single man”?
E kisha lexuar librin kur isha 20 vjeç dhe që atëherë isha dashuruar me George, me protagonistin dhe autorin që më pas pata rastin ta njoh. Kur vendosa të drejtoja një film, nisa të lexoja shumë skenarë deri kur një ditë, kur isha në makinë, m’u rikthye ndër mend George, ndaj vendosa që ta çoj deri në fund këtë ide. E rilexova librin, që 20 vjet më vonë më dha shumë kënaqësi shpirtërore. është një eksplorim i thellë i shpirtit njerëzor dhe kulturës sonë perëndimore, që na ka programuar për të qenë të lumtur, vetëm kur arrijmë disa qëllime dhe blejmë disa produkte të caktuara. Por që nuk na lejon të ndalemi për ta vlerësuar jetën.
A ka brenda “A single man” ndonjë pjesë të jetës tuaj?
Duhet të flasim për atë që njohim dhe kam futur në film edhe elementë të jetës sime. Kur George vendos të vrasë veten dhe merr në dorë pistoletën, bëhet fjalë për një skenë të marrë nga jeta ime familjare, që me këtë rast kishte përgatitur edhe veshjet për funeralin e tij, mes të cilëve edhe diçka që i kisha dhuruar unë. Skena të tjera janë nga përvoja ime.
Për filmin tuaj të parë zgjodhët një aktor të vërtetë dhe jo një protagonist homoseksual...
Po ky nuk është një film gay, por një histori njerëzore, një histori izolimi. Isherwood është një shkrimtar shumë para për kohën e tij, që e përshkruan homoseksualitetin me terma shumë specifikë.
A është e vërtetë që keni investuar në film 7 milionë dollarë nga kursimet personale?
Mendoja se nuk do ta kisha pasur problem të gjeja investitorë, por ishte e vështirë. Isha shumë i dashuruar me projektin ndaj hoqa dorë, hodha aty gjithçka kisha.
A ekziston dëshira për të bërë një tjetër?
Kam disa ide në kokë, por pas disa kohësh mendoj se do t’i realizoj. Nuk dua ta lë modën, sepse e dua ende punën që bëja më parë. Do doja të bëja një film çdo tre-katër vjet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›