E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekë për hipotetikën



Arian LEKA

Tashmë e di, ose më saktë ma kanë mësuar. Historive të mbyllura, ato që rëndom i quajmë e kryer e tejshkuar, nuk u pëlqejnë SIKUR-et dhe NËSE-të. Ndodh rrallë që historitë të përsëriten. Së paku, jo krejtësisht njëlloj dhe jo në të njëjtin vend, ku besohet se pas rrëzimeve, vonesave, lodhjeve, dështimeve, njerëzit mbledhin veten, ndajnë mendjen dhe gjejnë sërish forcë të ngrihen e të bëjnë përpara. Në fillim shpirtërisht. Jo fundi, por drejtimi është i rëndësishëm, kam dëgjuar të thuhet.
Dhe njeriu shpesh harron prej nga është nisur. Për të ka rëndësi vendi se ku do të mbërrijë.
Por kjo nuk mund të bëhet, duke i thënë në çdo hap njëri-tjetrit si plaku plakës së përrallës – po sikur, eh!
Jeta nuk ecën me kohën kthyer vetëm pas, duke numëruar ato që humbe, ato që të ranë rrugës dhe duke i qarë me lot ato që nuk do t’i kesh më. Ndarja me gjërat, shpesh, është shprehje e dëshirës për të ecur përpara. Thasët me rërë, aq të nevojshëm për ta mbajtur ballonin lidhur me tokën, bëhen pengesë pas ngritjes dhe duhen flakur gjithnjë NËSE e ke ndarë mendjen të ngrihesh lart. Nëse ecet kështu, dihet, por jo me siguri, se NËSE-të nuk të çojnë aq larg.
Por edhe unë vetë nuk dua që këto hamendje të më çojnë përtej 62 radhëve kompjuterike, të mjaftueshme për të mbyllur me nder e me lavdi këtë shënim të shkurtër, që m’u fanit duke filluar pikërisht me ato NËSE-të e Bulkthit - Grillo-s së Pinokios (disa arrijnë ta quajnë edhe Hoxhë Pishmani), që të bie hakut sa herë mbetesh fillikat, sa herë që mbyll sytë dhe zë të llafosesh me veten.
Është po ajo NËSE-ja, me të cilën R. Kipling shkroi poemthin If, që cili mund të lexohet pas këtij teksti me mendjen shuk se je nisur drejt një rruge pa krye, e cila të çon drejt Utopisë, aq të papëlqyer sot në kohën e esëllëkut dhe të hazërxhevapit, sidomos kur zëri i brendshëm të pyet, me atë kri-kri të qetë e të avashtë që ju të gjithë e njihni, si fjala bie:
- ǒdo ndodhte, NËSE do të kishim ca më shumë përkthyes, njerëz të dijes sesa vulëhumbur kulture, kyçur në zyra të ngushta si ndër qivure?
- Nuk e di. Ndoshta do kuptonim pak më shumë, bota do të na dukej më e gjerë dhe krejt e sheshtë, kur të mësonim se edhe të tjerët bëjnë gabime. Ndoshta do të kishim më shumë libra, më shumë gjurmë e më pak fjalë në erë, që na magjepsin ne vetë, por jo të tjerët.
- Dhe NËSE do kishim më shumë libra, ç’do të ndodhte?
- Ndoshta, rrjedhimisht, do të kishim më shumë lexues dhe njerëz që do të na njihnin.
- E ç’del NËSE ke më shumë lexues dhe njerëz që të njohin?
- Asgjë. Veçse njerëzit që lexojnë, ndoshta besojnë pak më shumë se dikur unë, ti dhe ky vend...
- ...po ç’kuptim ka, NËSE vazhdon të besosh se vdekja i shuan të gjitha dhe se frytet i merr jo ai që mbjell?
- Ndoshta kjo të ndihmon të besosh se, duke ndriçuar rrugën tënde nëpër errësirë, ti s’bën tjetër, veçse i ndriçon rrugën edhe dikujt tjetër.
- Po NËSE i ndriçon rrugën edhe dikujt tjetër, ç’vjen?
- Ndoshta e përballojmë më lehtë shkretimin që na afrohet përditë. Mbase ndihmon t’i shohim gjërat më qartë, sidomos sot, kur fati nuk është më Unë, por Ne.
- E ç’vlerë paska, NËSE i sheh gjërat më qartë dhe më mirë?
- Mund të qorrollepsesh më rrallë. Mund të ndodhë të të marrin për dore, por jo të të tërheqin për hunde, aq sa të ngatërrosh kudo dhe përherë fjalën të Vlerë me fjalën Vrer.
- E NËSE ngatërron fjalët, NËSE luan me to, ç’të keqe ka?
- S’është fundi i botës. Disa njerëz do ndihen më pak të lirë, më ngushtë, të thyer e si të huaj dhe kaq.
- E ç’ë pastaj, NËSE ndihemi të huaj? A nuk jemi, vallë?
- Do t’na kujtohet Xhelaledin Rumiu, që vdiq duke besuar se njerëzmi është një trup me shumë gjymtyrë dhe ajo që të ndodh ty, herët a vonë, do të më ndodhë edhe mua.
- E NËSE ajo që të ndodh ty, nuk më ndodh mua?
- Ky quhet fat, por kam dëgjuar se edhe fati lodhet duke mbajtur përherë nën sqetull të njëjtët njerëz, që të bëjnë të ndihesh i vonuar.
- E ç’të keqe paska, NËSE je vonë dhe i vonuar?
- Thjesht, për të mos bërë shpikje të shpikura. Për të parë ëndrra të skaduara. E për të mos u fshehur pas gishtit, duke thënë se kështu bën e gjithë bota mbarë.
- Përse u dashka të mos bëjmë gabime? ǒndodh, NËSE nuk gabojmë fare dhe kemi përherë të drejtë vetëm ne?
- Atëherë më duhet të të them, o miku im i mirë, se po na afrohet një Parajsë e paparë, e mrekullueshme, ku do të kemi më shumë kohë të dëgjojmë boritë e engjëjve. E aty, në orët e ngesë, të vetëkënaqur që ia arritëm më në fund ditës që të mos mendojmë e të mos e çajmë hiç kryet për gjithë sa themi e bëjmë, do të gjykojmë se vërtet fjala vrer dhe vlerë kanë diç të përbashkët, po aq sa ka dhe fjala gur e grur. Që aty mund të kujtohemi edhe për Migjenin melankolik, që mezi e besonte se këtu rron një popull që ndërton diçka krejt të re, për të bërë kaq shumë zhurmë për atë që u bë, për t’u vetëmburrur kaq shumë, për të pasur më shumë luftë mes veti, sesa me të tjerë dhe për të hasur në kaq shumë mëdyshje, me pse dhe nëse...

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›