E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcaktohen rregulla të reja për të bërë pasaportizimin

Për rastet që qëndrojnë në shtëpi me qira rritet numri i dokumenteve që duhen dorëzuar

Laureta Rryçi

Tiranë - Ligji i ri “Për Gjendjen Civile” ka ndryshuar rregullat për pasaportizimet. Duke nisur nga muaji shtator, të gjitha gjendjet civile do të zbatojnë procedura të reja për kërkesat që do të vijnë nga qytetarët për t’u regjistruar për vendbanim të ri. Ligji i ri parashikon kritere të reja edhe për rastet kur familjet ndryshojnë vendbanim duke marrë një banesë me qira në një qytet tjetër. Sipas rregullores së re, një qytetar, qoftë i vetëm, qoftë me familjen, mund ta bëjë pasaportizimin në qytetin kur ka marrë banesën me qira vetëm në rastin kur merr një vërtetim nga pronari i shtëpisë që konfirmon qëndrimin e personave në fjalë në banesën e tij. Pronari i banesës, madje, duhet të disponojë një dokument ligjor që provon që është realisht ai pronari i pronës së paluajtshme. Më konkretisht, ai duhet të ketë një kopje të aktit të pronësisë mbi apartamentin apo banesën që ka lëshuar më qira për personin që kërkon të bëjë pasaportizimin. Mirëpo, dosja për këta persona që jetojnë me qira nuk mbaron me aq. Atyre që duan të bëjnë pasaportizimin do t’u duhet të dorëzojnë edhe kontratën që kanë me pronarin e shtëpisë, në mënyrë që qëndrimi i tyre të konsiderohet brenda rregullores së re.
Procedura
Për të bërë pasaportizimin në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër ju duhet vetëm një muaj kohë. Për këtë mjafton që të bësh pasaportizimin në Tiranë dhe t’u nënshtrohesh disa procedurave ligjore, që nënkuptojnë; shkëputjen nga vendbanimi i mëparshëm dhe regjistrimin në një vendbanim të ri. Për shembull, nëse dëshironi të bëheni banori i Tiranës duhet të drejtoheni në një nga 11 minibashkitë për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm me të dhënat familjare dhe kërkesën për shkëputjen nga vendbanimi i mëparshëm. Pas dorëzimit të dokumentacionit në njërën nga njësitë bashkiake ku pretendon të jetosh, procedurat e tjera i takojnë njësisë përkatëse dhe njësisë së vendbanimit të mëparshëm për të bërë shkëputjen përfundimtare. Njësia e re ku aplikon dërgon të dhënat në njësinë e mëparshme, nga ku vijnë të gjitha materialet dhe bëhet regjistrimi i ri.
Dokumentet
Për të bërë regjistrimin e ri duhet të dorëzohen në njësinë e re një numër dokumentesh. Kështu, dokumentet që duhet të dorëzohen janë: një certifikatë familjare, që tregon përbërjen e familjes me të cilën do të ndahet banesa. Pjesë e dokumentacionit është edhe një vërtetim i noterizuar që tregon nëse personi që kërkon të bëhet banor i Tiranës ka shtëpi apo jeton me qira. Për këtë duhet që të njihet edhe vendndodhja e shtëpisë, qoftë pronë e personit apo pronë private. Kjo procedurë ndiqet sepse një pjesë e madhe e të ardhurve nga rrethet jetojnë në shtëpi me qira, ndërkohë që duan të jetojnë dhe të përfitojnë të gjitha të drejtat e punësimit apo jetesës në vendbanimin e ri. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se çdo muaj ka dhjetëra regjistrime të familjarëve që kërkojnë të bëjnë pasaportizimin në Tiranë. Sipas këtyre burimeve, numri i kërkesave për të bërë dokumentet për të qenë banor i Tiranës vitet e fundit ka pësuar një rënie të lehtë. Kjo sepse fluksi më i madh i shpërnguljeve ka qenë para viteve 2000, ose pas viteve ’90. Shumë banorë të zonave rurale apo dhe të qyteteve të vogla, të nivelit të dytë apo të tretë, kanë kërkuar që ta ndërtojnë jetën në qytetet e mëdha.

Rregulli i ri, kushtëzimi pas tre muajsh

Nëse largoheni nga banesa për tre muaj me radhë, atëherë duhet të deklaroni vendbanimin e ri në gjendjen civile në qytetin ku jeni vendosur për të jetuar. Rregulli më i ri që është përfshirë në ligjin “Për Gjendjen Civile” kushtëzon tani e tutje çdo shtetas shqiptar për të deklaruar vendbanimin e tij edhe kur merr një shtëpi me qira në një qytet tjetër. Në ligj thuhet gjithashtu se edhe në rastet ku largohesh për gjashtë muaj nga një vit kalendarik nga vendbanimi për një vendbanim tjetër duhet sërish të deklarosh vendqëndrimin në gjendjen civile në komunë a bashki, në varësi të qytetit ku keni vendosur të jetoni. Ky rregull duket se është i detyrueshëm edhe për shtetasit e huaj dhe ata pa shtetësi. Në këtë mënyrë specialistët që kanë hartuar këto ndryshime në këtë ligj kanë menduar se do të jetë më e monitoruar gjithë lëvizja e popullsisë nga fshati për në qytet. Po kështu, edhe për të huajt do të ekzistonte një informacion më i saktë duke qenë se numri i tyre sa vjen dhe rritet.

Deklarimi
Shtetasit kanë të drejtë të zgjedhin lirisht në cilën banesë të jetojnë zakonisht ose të shumtën e kohës. Banesa në të cilën shtetasi jeton zakonisht për më shumë se tre muaj, pa ndërprerje ose më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik, ka detyrim ta deklarojë si vendbanimin e tij. Regjistrimi fillestar i banesës dhe ndryshimi i vendbanimit bëhet në zyrat e gjendjes civile qofshin ato në komunë apo në bashki. Nëse keni më shumë se një banesë për përdorim duhet të deklaroni banesën në të cilën keni vendbanimin. Në raste të tilla nuk mund të deklaroni njëherësh të gjitha banesat që keni. Në rast ndryshimi vendbanimi, apo kur një banesë nuk përdoret më për përdorim vetjak apo të familjes, ky ndryshim është i detyrueshëm që të deklarohet në gjendjen civile. Regjistrimi fillestar i vendbanimit apo ndryshimit të tij duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në këtë vendbanim. I njëjti afat zbatohet edhe për deklarimin e banesave që nuk kanë statusin e vendbanimit.

Deklarimi i vendbanimit pranë punëdhënësit apo institucionit arsimor

Kur për arsye pune ndryshoni vendbanim, tani jeni të detyruar të paraqisni pranë institucionit shtetëror në çastin e fillimit të marrëdhënies së punës një nga dokumentet që vërteton vendbanimin. Në çdo rast ky dokument duhet të paraqitet jo më vonë se 30 ditë nga fillimi i detyrës, marrëdhënies së punës ose paraqitjes së kërkesës për vitin akademik të studimeve. Në rast se regjistrimi në vitin akademik bëhet automatikisht dhe ka kërkesë, institucioni duhet të bëjë verifikimin dhe njofton personin që brenda pesë ditësh duhet të dorëzojë dokumentacionin e vendbanimit. Institucionet shtetërore dhe arsimore, si dhe punëdhënësit janë të detyruar të informojnë brenda pesë ditëve zyrën e gjendjes civile që ka në juridiksionin territorial për shtetasit që ndryshojnë vendbanimin për arsye pune dhe që nuk e kanë paraqitur ende dokumentacionin që vërteton vendbanimin.

Në rastet kur jetoni në Tiranë dhe nuk keni pasaportizim, përballeni me këto probleme:
Regjistrimin në shkolla të ciklit të ulët dhe të mesëm
Regjistrimin në kopshte dhe çerdhe
Punësimin në institucione shtetërore
Kryerjen e kursit të patentës
Lidhjen martesore
Regjistrimin e fëmijës kur lind
Shërbimin shëndetësor, nuk keni mundësinë e mjekut të familjes
Pensionistët nuk e marrin pensionin në qytetin banues

Në rastet kur jeni banor i Tiranës:
Ju jepet e drejta për regjistrimin e fëmijës në shkollë apo kopsht
Ju jepet e drejta e punësimit në institucionet shtetërore
Ju jepet e drejta e kryerjes së kursit të patentës
Ju jepet e drejta për tërheqjen e pensionit në vendbanimin e ri
Ju jepet e drejta për të kryer lidhjen martesore
Ju jepet e drejta për shërbimin shëndetësor pranë lagjes dhe ndjekjen nga mjeku i familjes

Dokumentacioni i pasaportizimit
Certifikatë familjare
Kërkesë për t’u bërë banor
Akti i pronësisë së banesës ku jeton
Vërtetim nga pronari i banesës ku jeton me qira
Kontrata e nënshkruar me pronarin e banesës ku jeton me qira
Afati/ Një muaj nga nisja e procedurave

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›