“Martohen dhe bëjnë jetë të dyfishtë!” Të jesh vetvetja, ja debati në “E diela jonë”

A mund të jesh vetvetja në shoqërinë tonë? Me këtë debat nisi “E diela jonë” me Ermalin dhe të ftuarit e tij.
Aktivisti Arbër Kodra tha se “në Shqipëri është shumë e vështirë të jesh vetvetja për shkak të paragjykimit të orientimit seksual“.
Ai vijoi duke thënë se shumë persona bëjnë edhe jetë të dyfishtë nga frika për të pranuar veten.
“Nuk më pëlqen të bëhet jeta paralele për shkak të orientimit seksual dhe këtu ka shumë që e bëjnë për shkak të paragjykimit. Martohen me gjininë e kundërt për shkak të mentalitetit dhe sepse duan të jenë të pranuar. Ka dhe nga ata që zgjedhin të ikin jashtë dhe mos ta bëjnë këtë jetë paralele,” u shpreh Kodra.
Nga ana tjetër Teuta Borova shtoi se “jeta paralele është bërë trend për të dyja gjinitë“.
Producenti Olsi Abazi tregoi në “E diela jonë”:
“Vendet e emancipuara të lënë të jesh i lirë për të ndërtuar veten nga mosha 1 deri 7 vjeç dhe njerëzit rreth teje të pranojnë për atë që je edhe kur gabon, ndërsa në vendet e prapambetura fillojnë kritikimet dhe paragjykimet.“
Sipermarrësja italiane, Roberta Zaninoni, e cila prej vitesh jeton në Tiranë, tha se ka dalë shpesh nga vetja për t’iu përshtatur shoqërisë shqiptare:
“Po bëhem si shqiptarët. Dikur kam qenë korrekte me orarin. Tani vonohem! Femrat shqiptare janë të gjitha njësoj, hundën e bërë, mollëzat, s’janë vetvetja.“
/rtsh.al/