E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Marubi” në UNESCO, arkivi i Pietro dhe Kel Marubit në listën e “Kujtesës botërore”

UNESCO ka shpallur arkivën Marubi pjesë të “Memory of the world”, Kujtesës Botërore.

Arkiva përmban mijëra negativë fotografikë, pajisje historike, dokumente dhe objekte të përdorura nga marubët, të cilat dëshmojnë jo vetëm zhvillimin e fotografisë në Shqipëri, por edhe jetën, kulturën dhe shoqërinë shqiptare ndër vite.

Ajo konsiderohet si një nga trashëgimitë më të pasura të Ballkanit në fushën e fotografisë historike.

“Ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë. Është një moment historik edhe për artin shqiptar, gjithashtu është një hap i madh për kontributin  që Shkodra ka dhënë në kulturën e Shqipërisë”, u shpreh Luçjan Bedeni, Drejtor i Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.

Shpallja nga UNESCO e kthen Shkodrën në qendrën e parë në Shqipëri që ka një objekt të regjistruar në “Memory of the world”, duke e bërë qytetin një pikë referimi për ruajtjen e kujtesës vizuale kombëtare në nivel ndërkombëtar.

Kjo njohje i jep zë, dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike që përfaqëson jo vetëm artin e fotografisë, por edhe identitetin dhe shpirtin e një populli.

Gazetar: Mario Gjini 

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›