E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Masa e sigurisë ndaj Veliajt, Bardhi: Ministri i Brendshëm të sqarojë situatën e krijuar para SPAK

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi sot në seancën plenare thirrjen e Ministrit të Brendshëm për sqarime lidhur me situatën e krijuar para SPAK dhe GJKKO gjatë seancës për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt.

Bardhi tha se, “ministri dezinformoi publikun duke pretenduar se Policia nuk kishte dijeni për tubimin e organizuar para institucioneve të drejtësisë. Ministri i Brendshëm jo thjeshtë duhet të dorëhiqet, por duhet të shkarkohet nga Kuvendi, se ka gënjyer publikisht deputetët e Kuvendit kur tha se nuk ka patur asnjë njoftim. Madje, qëndrimi i Policisë së Tiranës ishte edhe më skandaloz. Policia thonte se tubimi ishte krijuar në mënyrë spontane. Tubimi në mënyrë spontane quhet i paligjshëm dhe Policia ka për detyrë të ndërhyjë. Por qëllimi i tubimit ishte që Edi Rama t’u jepte mesazhin prokurorëve dhe gjyqtarëve, që me punonjës administrate dhe policë të armatosur në tubim i kërcënon jetën çdo prokurori dhe gjyqtari që nuk i bindet urdhrave të tij”.

“Ju kërkoj, Kryetare, të sillni në seancë ministrin e Brendshëm së pari për mos veprimin e policisë dhe së dyti për mashtrimin institucional që i bëri Kuvendit dhe qytetarëve”, tha ai.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›