Vota e diasporës, Klosi: Opozita kërkon ndryshimin e rregullave të lojës në mes të procesit

TIRANË, 17 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se lidhur me votën e diasporës, opozita po kërkon të ndërrohen rregullat e lojës në mes të procesit.
Në seancë plenare, Klosi u shpreh se “sot që flasim janë 181 357 votues që janë regjistruar për të votuar në 11 maj”.
“Kur ka 36 ditë që regjistrohen votuesit, opozita vjen këtu dhe vë në diskutim procesin. Sepse kështu janë ndërtuar, kështu e mendojnë politikën, kështu funksionojnë, me hile dhe me ngatërresa. Kemi 181 mijë njerëz të regjistruar dhe tani kërkojnë të ndërrojmë procesin”, tha Klosi.
Klosi u shpreh se ndërkohë që ka 36 ditë që regjistrohen shqiptarët jashtë vendit opozita thotë “tani hajde të ndërrojmë rregullat e lojës”.
“Po si mund të ndërrohen rregullat e lojës në mes të një procesi? Vota e diasporës padyshim është një politikë kombëtare. Vendosja me vullnetin e PS-së, të Edi Ramës, deputetëve të saj, nuk është për qëllime partiake, por është haptazi për vendosjen e një marrëdhënieje të re të Shqipërisë me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit”, tha Klosi.
Ndërsa kujtoi se PS ka fituar 10 zgjedhjet e fundit, Klosi theksoi se nuk kishim asnjë arsye për të ndryshuar atë regjim vote, por vendosëm me vullnet të plotë për të vendosur këtë raport të ri të politikës shqiptare të vendit amë me emigrantët.
“Janë kaq shumë shqiptarë që duan të japin opinionin e tyre për Shqipërinë dhe të kenë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me politikën shqiptare”, shtoi ai.
Klosi theksoi se “tani shikojmë që fatkeqësisht edhe ky proces u bë pis nga politika, edhe ky proces u fut në përplasjet e paimagjinueshme dhe të pajustifikuara të politikës së zgjedhjeve të përfaqësuar nga krahu i opozitës”.
Vota e diasporës është Kushtetuese që para 4 vitesh, tha Klosi ndërsa shtoi se “ne vijmë këtu për të negociuar gjëra të fundit alla shqiptarçe edhe kur kanë ngelur më pak se 90 ditë nga dita e votimit”.
“Dy vjet mungoi Partia Demokratike në komisionin bipartizan që do të kishte pasur mundësinë të përcaktonte sistemin, të testonte e vendoste rregullat, të krijonte mundësi që çdo gjë të bëhej tamam, ashtu siç duhej të kishin mundësi të regjistroheshin sa më shumë shqiptarë dhe të përcaktonim qartazi se si dhe ku votohet. Por u munduam dy vjet në komisionin bipartizan duke iu larguar përgjegjësisë që ka pasur krahu i opozitës për këtë proces kaq konsensusal dhe për një gjë kaq të madhe siç është vota e diasporës”, nënvizoi Klosi.
/r.e/a.f/