Masa rigoroze në lëshimin e notave verbale

Ndryshimet në udhëzimin administrativ për lëshimin e notave verbale kanë kufizuar tej mase numrin e personave zyrtarë që mund t’u lëshohen ato për t’u pajisur me viza.
Masat shtrënguese vijnë pas raportimit të keqpërdorimeve në lëshimin e notave verbale sidomos nga kabinetet e ministrave.
Artan Behrami këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se udhëzimi i ri është më strikt dhe rregullon qartë kush dhe në çfarë forme mund të marrë notë verbale.
“Është një kategori e zyrtarëve të lartë prej presidentes e deri te niveli i drejtorëve të departamenteve nëpër ministri që mund të marrin nota verbale duke pas një ftesë apo një agjendë të caktuar për të udhëtuar”, ka thënë Behrami.
Por, kjo nuk do të vlejë më sipas tij për të gjithë zyrtarët e tjerë.
“Zyrtarët që janë nën pozitat e drejtorëve do t’u nënshtrohen masave më rigoroze që nënkupton se u kërkohet më shumë vërtetime dhe verifikim në procedura të cilat do të dëshmojnë se ata udhëtojnë për qëllime zyrtare”, ka thënë Behrami.
Për dyshim në falsifikimin e notave verbale për pajisje me viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është suspenduar më herët vetë drejtori i Departamentit për Çështje Konsullore.
Ndërkohë që Ministria e Punëve të Jashtme kishte gjetur edhe falsifikime të tjera të zyrtarëve që kërkohej t’u lëshoheshin notat verbale si pjesë e delegacioneve të ndryshme të ministrave në udhëtime jashtë vendit.