Masakër e re në Siri

Nëse numri i viktimave është i saktë, atëherë ky do të ishte një nga sulmet më të përgjakshme në zonë, që nga koha kur armëpushimi filloi në muajin prill.
Ndërkohë, shefi i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se opozita kontrollon pjesë të konsiderueshme të disa qyteteve.
Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, Bani Ki Moon tha se situata mbetet tejet serioze dhe u bëri thirrje shteteve që të mos përkrahin cilëndo nga palët në konflikt.
“Në Siri ndodh çdo ditë nivel i papranueshëm i dhunës dhe abuzimeve, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, të ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, si dhe vendosjes së rreth 270 vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në raport.
Ban ka vlerësuar se situata e përgjithshme në Siri mbetet jashtëzakonisht serioze dhe se përparim të vogël ka pasur vetëm në disa çështje.
Ai ka thënë se misioni i OKB-së në Siri ka parë “shkatërrime të konsiderueshme fizike”, që nga vendosja e tij në muajin prill.
Ai ka thënë se bombardimet e fundit që kanë vrarë dhjetëra njerëz, sugjerojnë se “grupet terroriste” janë aktive në vend.