Masakra e Tivarit, Shefqet Peçi: Ishte aksidentale

Enver Hoxha e Shefqet Peci
Raportet kontradiktore shqiptare e jugosllave për ngjarjen
Komanda e përgjithshme me në krye Enver Hoxhën ishte në dijeni, Peçi e Themeli raportonin nga vendngjarja
Nëse për vite me radhë është thënë se shteti shqiptar nuk kishte dijeni për masakrën e Tivarit, raportet e asaj kohe tregojnë të kundërtën. Përmes një sërë dokumentesh të botuara në librin “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, historiani Uran Butka nxjerr në dritë se Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë shqiptare, me në krye Enver Hoxhën, vihej në dijeni për gjithçka. Menjëherë pas masakrës së Tivarit dhe vrasjeve pranë bregut të lumit Buna në Shkodër, në drejtim të komandës shkojnë raportet e Shefqet Peçit e të Zoi Themelit, të cilat janë kontradiktore mes tyre. Peçi fillimisht raporton se gjithçka mund të ketë ndodhur “aksidentalisht”, ndërsa më vonë duhet të tregojë të vërtetën e asaj që ka ngjarë, duke u mbështetur mbi rrëfimet e dëshmitarëve okularë, të kosovarëve që kishin mundur t’i shpëtonin kasaphanës së Monopolit. Zoi Themeli, shefi i Mbrojtjes së Popullit në Shkodër, është më i qëndrueshëm në raportimin e tij. Ai raporton masakrën dhe vë në dukje urrejtjen mes kosovarëve dhe jugosllavëve, duke ua vënë fajin këtyre të fundit, por është e pajustifikueshme mungesa e reagimit të palës shqiptare, sidomos në ngjarjet në lumin Bunë, ku nuk bënë asgjë për ndaljen e vrasjeve. Pranë këtyre raportimeve Butka vë edhe raportimet e palës jugosllave, të cilët ua vënë fajin “reaksionarëve”, që u hodhën në revoltë. Ndërkohë që shprehin bashkëpunimin, madje “kujdesin” e palës shqiptare ndaj asaj jugosllave, gjatë kohës që ata kaluan në territorin shqiptar. al.mi
Masakra e Tivarit
Personaliteti i shquar shqiptar, Bajram Gola (luftëtar i Brigadës IV të Kosovës), i vë pikat mbi i-të dhe gishtin mbi ideatorët e gjenocidit ndaj shqiptarëve dhe mbi realizuesit e masakrës së Tivarit: “ishte atëherë çështja e shumë krimeve dhe për gjenocide të hegjemonizmit serbomadh racist, por populli kërkonte përgjigje për masakrimin e shqiptarëve në oborrin e monopolit të Tivarit… bëhet fjalë për një masakër brutale ndaj rekrutëve shqiptarë, që e bënë

Kopertina e librit Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar nga historiani Uran Butka
një pjesë e aradheve partizane serbo-malazeze, gjegjësisht Brigada X malazeze me komandant Goxha Markoviçin dhe komisar politik, Vladimir Roloviçin (shpallur hero i Jugosllavisë në vitin 1971). Por urdhri kishte ardhur nga lart… ushtarakët serbo-malazezë i vranë pa ndonjë faj apo arsye bashkëqytetarët e tyre të mobilizuar nën flamurin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kjo ironi tragjike zbulon shumë gjëra. Me konstatimin se ky është një krim barbar, nuk është thënë e tëra. Sepse, për ne është e rëndësishme që edhe në Maqedoni ka shumë raste të ngjashme, për të cilat duhet folur, sepse për ato deri tash është heshtur. Ata që deshën të thoshin diç për to, shumë shpejt i “hëngri nata”. Kriminelët nuk u nxorën as para gjyqit, ndonëse shqiptarët kishin luftuar për Maqedoninë”. Sipas Golës, krimi ishte planifikuar nga shteti, që të shfarosej një numër i madh shqiptarësh. Jo rastësisht u zgjodh vendi dhe ekzekutorët. Në pyetjen pse u mobilizuan vetëm shqiptarët për në frontin veri-perëndimor të Adriatikut dhe pse u depërtuan përmes rrugës Prizren-Shkodër-Tivar, përgjigjja e tij ishte: të masakroheshin pasivisht, madje në trojet e veta shekullore të okupuara nga serbo-malazezët. Po të ishte qëllimi për të luftuar kundër nazifashizmit, do të mobilizoheshin në këtë rrugë edhe serbët, malazezët, maqedonasit dhe nacionalitetet e tjera…
“Porsa u dorëzuan në duar të përcjellësve malazezë, ushtarët shqiptarë u gjetën në një situatë të rëndë dhe në fillim nuk mund ta kuptonin ç’po ndodhte, ishin ushtarë, apo pengje të luftës?! Mirëpo, shpejt u detyruan ta kuptonin se gjendeshin në duar të armiqve të përbetuar. Atë bindje ua krijoi sjellja arrogante-gjakatare, kur pas disa dhjetëra kilometrash, ranë viktimat e para. Ushtarët malazezë, që kishin ardhur për t’i “përcjellë” rekrutët shqiptarë, filluan t’i vrisnin rrugës ushtarët që mezi e përballonin atë marshutë, pas së cilës mbeteshin gjurmët e gjakut të të rinjve shqiptarë. Mbas marshimit të gjatë dhe deri në Tivar, do të mbeteshin gjurmët e pashlyeshme të gjakut”.
Dhe jo vetëm përgjatë rrugës Shkodër-Tivar, por edhe pas masakrës në Tivar, vazhdoi keqtrajtimi dhe asgjësimi i pjesës së mbetur të kolonës me rekrutë shqiptarë, me qëllim që asnjë prej tyre të mos mbetej gjallë…
Pasojat e masakrës ishin tragjike për shqiptarët, por u gjendën në hall edhe vrasësit: ç’do të bënin me kufomat që ishin bërë stivë dhe kishin mbushur plot gjithë oborrin, ndërtesën e monopolit të duhanit dhe rrugën që çon për atje?
“Pasi u bë masakrimi i 1700 ushtarëve shqiptarë, gjakatarët u gjendën në hall. Ku t’i fshihnin kufomat e të vrarëve? Oborri ishte mjaft i kufizuar si sipërfaqe për t’i fshehur nga opinioni, nga qytetarët e Tivarit, të cilët atëherë ishin 95% shqiptarë e myslimanë. Tërë paradites dhe natën u munduan me një trabakullë për t’i hedhur në detin Adriatik, por, kur zbardhi dita, tivarasit u trazuan dhe e bllokuan monopolin. Ua morën kufomat që kishin mbetur dhe i varrosën në varret e myslimanëve të Tivarit. Nga sa më kujtohet, janë varrosur 483 kufoma dhe Rankoviçi vetëm ata i konsideron si të vrarë në Tivar, por e vërteta është se u vranë 1700 ushtarë shqiptarë”….
Por masakra nuk ishte çuar deri në fund. Disa nga ata që shpëtuan nga plumbat dhe mundën të arratiseshin individualisht dhe disa në grup, u kthyen për në Shkodër dhe u kapën nga rojet ushtarake të Mbrojtjes së Popullit. Në raportin e Zoi Themelit drejtuar Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në Tiranë, datë 5.04.1945, ndër të tjera thuhet:
“Dje, rojet e Brigadës II të MP kanë qenë tek ura e Bunës. Dhjetë kosovarë, të cilët kishin ikur prej Tetove, vinin këtu. Kur i morëm në pyetje, këta na u përgjigjën kështu: “Gjatë gjithë rrugës që jemi nisur drejt Kosove, jugosllavët na kanë munduar dhe na kanë rrahur. S’na linin të pinim as ujë rrugës. Kur shkuam në Tivar, na futën në një rrugë të ngushtë, ku na kishin radhitur për katër. Në këtë kohë, ndërsa ne po s’lodheshim, dëgjuam të kërcisnin pushkë, bomba dhe mitraloza në të gjitha anët dhe që na shtinin neve. Neve na u duk si një gjë e papritur dhe s’dinim se ç’po ngjiste e përse po na vrisnin. Në këtë kohë, kur shokët që kishim përpara dhe prapa po vriteshin, ne u turbulluam dhe s’pamë tjetër se ç’ngjante, por ikëm nga mundëm. Nga kodrat e nga shtëpitë na shtinin neve që po shkonim. Të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë janë 500 veta. Të shpërndarë janë fare pak, kurse të vrarë e të plagosur janë shumë…”. Tani na lajmëroni për këta kosovarët që kemi kapur, t’ua dorëzojmë jugosllavëve, apo t’jua shoqërojmë ne deri atje”.
Shefi i Mbrojtjes së Popullit të Krahinës III
Zoi Themeli
Këto fakte ia raporto