E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhi 6.4 milionë lekë me 0900, pranga ish-zyrtares

Vojsava Nuraj, në kërkim për Call Center, i shoqi u dënua me 2 vjet burg

Ish-punonjësja e “Albtelekom”, Vojsava Nuraj, është arrestuar dje nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2006, me akuzën “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”. Nuraj është hetuar në mungesë gjatë procesit penal të dosjes “Call Center”, pjesë e të cilit ishte edhe bashkëshorti i saj Roland Makashi, i cili është dënuar me 2 vjet burg. Burime nga Policia thanë se 65-vjeçarja Vojsava Nuraj u arrestua në banesën e saj, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. E arrestuara Vojsava Nuraj, gjatë kohës që ushtronte detyrën e kryetares së Degës së Shërbimeve në Drejtorinë Transite të “Albtelekomit”, në bashkëpunim me të shoqin, Roland Makashi, i cili ishte administrator i operatorit “Call Center”, rezulton t’i kenë vjedhur “Albtelekomit” 6.4 milionë lekë të rinj. Historia nisi pas marrëveshjes midis dy kompanive telefonike, “Albtelekomit” dhe “Call Center”, që konsistonte ndarjen e thirrjeve telefonike, në bazë të impulseve që do të përdoreshin nga operatori që i drejtohej kompanisë. Thirrjet që vinin nga “Albtelekomi” te “Call Center”, ndaheshin 80 me 20 për qind në favor të subjektit të dytë dhe paratë e impulseve kalonin në llogarinë e bashkëshortit të së arrestuarës, Vojsava Nuraj.

VENDIMI I GJYKATES
Gjatë gjykimit të çështjes “Call Center”, ku ishin në hetim bashkëshortët Vojsava Nuraj dhe Roland Makashi, gjykata vendosi të veçonte çështjet penale. Në prill të vitit 2007, gjykata shpalli fajtor ish-administratorin e operatorit “Call Center”, Makashi, duke e dënuar atë me 2 vjet burg. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, vjedhja në bashkëpunim e bashkëshortëve i ka shkaktuar shoqërisë “Albtelekom” sh.a. një dëm prej rreth 6.4 milionë lekësh të rinj, të cilat kanë kaluar nga llogaria e “Albtelekom” sh.a., në llogarinë e shoqërisë “Call Center” Albania. Personi që ka pasur për detyrë të verifikonte matjen e trafikut të telefonatave në shoqërinë “Albtelekom” sh.a. si për operatorin “Call Center” Albania sh.p.k., ashtu edhe për operatorët e tjerë që kryejnë të njëjtin aktivitet, ka qenë Vojsava Nuraj, me detyrën e kryetares së Degës së Shërbimeve në Drejtorinë Transite të Albtelekomit (D.T.A). Për veprimet e mësipërme në lidhje me marrëdhëniet e krijuara midis “Albtelekom” dhe “Call Center”, shoqëria “Albtelekom” ka bërë kallëzim në Prokurori më 24 mars 2006.

6.4 milione
lekë të rinj është shuma e parave që Vojsava Nuraj ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën, gjatë kohës që ishte e punësuar në kompaninë “Albtelekom”, para të cilat i ka kaluar në llogarinë e bashkëshortit, administrator i operatorit “Call Center”.

VJEDHJA
Drejtoria e Transitit, ku Vojsava Nuraj ishte kryetare, në të cilën ndodhej serveri qendror, pasi mblidhte të gjitha thirrjet e “Call Canter”, në bazë të marrëveshjes së impulseve i dërgonte me anë të një fature drejt Departamentit të Interkonjeksionit. Ky i fundit rakordonte faturën e ardhur nga Drejtoria e Transitit të “Albtelekomit” dhe “Call Center”. Vosjasa Nuraj, e cila punonte prej kohësh në këtë departament, dyshohet se ka përfituar, duke depozituar shuma parash në llogarinë e kompanisë së bashkëshortit të saj, me fatura fiktive.

ARRESTIMI
Policia e Tiranës, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, informoi dje për arrestimin e Vojsava Nurajt. “Dje, nga Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë, në rrugën “Mine Peza” u kap shtetasja në kërkim Vojsava Lilo Nuraj, banuese në Tiranë, me arsim të lartë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin penal të datës 5 maj 2006 ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”. Nuraj është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Tiranës me shkresën nr.10200 të datës 10 maj 2006.

VENDIMI
Sipas vendimit të shpallur nga Gjykata e Tiranës, më 2 prill të vitit 2007, objekt i veprimeve të të pandehurit Roland Makashi ka qenë shtimi i numrit të minutave (impulseve telefonike) në të dhënat që ai ka dërguar si administrator i shoqërisë “Call Center” Albania sh.p.k. në “Albtelkom” sh.a. Këto të dhëna janë verifikuar dhe janë marrë të mirëqena nga kompania “Albtelekom” sh.a., ndërmjet veprimeve të së pandehurës Vojsava Nuraj. Si rezultat i këtyre veprimeve, shoqëria “Call Center” Albania ka përfituar shumën 6.4 milionë lekë të rinj.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›