“Masakra e Lushnjës”, Gjykata e Lartë lë në burg përjetë Laert Haxhiun

Gjykata e Lartë ka vulosur fatin e Laert Haxhiut, i akuzuar si organizatori kryesor i ngjarjes së rëndë të vitit 2017, e njohur ndryshe si “Masakra e Lushnjës”. Kolegji Penal ka lënë në fuqi dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për Laert Haxhiun.
Në dhomën e këshillimit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, mori në shqyrtim kërkesën e Haxhiut për rrëzimin e vendimeve të mëparshme.
“Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga i gjykuari Laert Haxhiu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit,” thuhet në njoftimin e gjykatës. Ky vendim pritet t’u komunikohet palëve brenda tre ditëve nëpërmjet shpalljes elektronike.
Konfirmimi i akuzave nga Apeli i Posaçëm
Ky hap i Gjykatës së Lartë mbështet plotësisht vendimin e datës 13 nëntor 2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Trupi gjykues i Apelit, i drejtuar nga Florjan Kalaja dhe anëtaret Saida Dollani e Tereza Merkaj, nuk gjeti asnjë arsye për të ndryshuar vendimin e shkallës së parë të prillit 2024.
Më parë, ishte Prokuroria e Posaçme (SPAK) ajo që më 4 prill 2024 lexoi pretencën e hekurt, duke arritur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm përfshirjen e Haxhiut në ekzekutimet e bujshme.
Një bilanc i rëndë krimesh
Vendimi i formës së prerë e shpall Haxhiun fajtor për një sërë veprash të rënda penale, të planifikuara dhe ekzekutuara me gjakftohtësi:
Vrasje në rrethana cilësuese, për ekzekutimin e viktimave Z.L., J.H., B.T., dhe M.Xh., ngjarje e kryer në bashkëpunim si një grup i strukturuar kriminal (dënuar me burgim të përjetshëm).
Vrasje e mbetur në tentative, për tentativën e vrasjes për motive hakmarrjeje ndaj objektivit kryesor, shtetasit Xh.Sh. (dënuar me 25 vjet burg).
Armëmbajtje pa leje, për mbajtjen dhe prodhimin e armëve dhe municioneve luftarake (dënuar me 10 vjet burg).
Grup i strukturuar criminal, krijimi dhe pjesëmarrja në këtë formacion (dënuar me 5 vjet burg).
Pasi i ka gjetur të provuara këto vepra, Gjykata e Posaçme i ka bashkuar të gjitha dënimet e veçanta në një vendim të vetëm kapital.
“Në aplikim të nenit 55 paragrafi i parë i Kodit Penal, bëhet bashkimi i dënimeve dhe dënimi përfundimtar i të pandehurit Laert Haxhiu me një dënim të vetëm, atë me burgim të përjetshëm. Vuajtja e dënimit të kryhet në një Institucion të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) të sigurisë së lartë,” theksohet në dispozitivin e vendimit që tashmë merr formë të prerë.
Gjithashtu, gjykata ka ngarkuar të dënuarin dhe bashkëpunëtorët e tij (O.B. dhe A.K.) me shpenzimet procedurale të fazës së hetimit dhe atij të gjykimit, duke i mbyllur kështu dosjen e një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të dekadës së fundit në Shqipëri.
/rtsh.al/