E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Masakra e Srebrenicës, Meta: Dënimi i përpjekjeve për mohimin e gjenocidit, rruga për bashkëpunimin rajonal

Presidenti Ilir Meta, teksa kujton masakrën e Srebrenicës, thotë se dënimi i çdo përpjekje për mohimin e këtij gjenocidi është e e vetmja rrugë për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Me një postim në Facebook, Meta shkruan se fryma e urrejtjes dhe përçarjes nuk duhet të gjejë më vend në shoqëritë tona.

“Me pikëllim të thellë nderojmë sot kujtimin e viktimave të pafajshme të Srebrenicës, masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, që ndodhi 27 vite më parë, në zemër të Europës. Dënimi i çdo përpjekjeje për mohimin e këtij gjenocidi, përgjegjësve dhe frymëzuesve të kësaj masakre është e vetmja rrugë që garanton forcimin e bashkëpunimit rajonal, bashkëjetesës etnike dhe fetare, konsolidon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, për të ecur përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Europian. Fryma e urrejtjes, përçarjes, ndasive dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk duhet të gjejë më vend në shoqëritë tona, por duhet të marrë një dënim të merituar për të mos lejuar më të tilla masakra të përsëriten në të ardhmen!”, shkruan Meta.

Këtë 11 korrik bëhen 27 vjet që nga masakra e Srebrenicës, ku në të njëjtën ditë të vitit 1995 forcat serbe vranë më shumë se tetë mijë burra dhe djem myslimanë, duke shënuar kështu masakrën më të rëndë të ndërmarrë në tokën europiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›