E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e vitit 1997

Seancë gjyqi për Qafë-Gjashtën

TIRANE – Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm dje Eduart Çipën, i dënuar me 15 vjet burg në Shkallën e Parë, si një nga autorët e “masakrës së Qafë-Gjashtës” të marsit 1997 në Sarandë, ku u vra e u dogj një polic dhe u mor peng një tjetër. Për nëntë të pandehurit e tjerë, Gjykata e Apelit la të pandryshuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, në 11 maj të këtij viti. Mbi të pandehurit e kësaj dosjeje rëndonin akuzat e “vrasjes me dashje” në bashkëpunim, ndaj punonjësit të policisë Gjergji Mehmeti. Gjithashtu, ata akuzoheshin për “vrasje me dashje” në bashkëpunim, mbetur në tentativë ndaj punonjësve të tjerë të policisë, Sokol Bizhga, Eduart Alija dhe Myzafer Blushi. Katër punonjësit e policisë së Vlorës ranë në një pritë të armatosur më 4 mars 1997, në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë, teksa po ktheheshin nga Saranda drejt Vlorës. Në një seancë gjyqësore ku ishin të pranishëm vetëm katër nga të pandehurit e parabugorsur, pesëshja gjykuese lexoi vendimin, i cili liroi nga qelia vetëm një prej tyre. “Gjykata e Apelit vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe pushimin e gjykimit ndaj të pandehurit Eduart Çipa”, thuhej në dispozitivin e lexuar nga trupa gjykuese. Në vijim, Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm e të pandehurit Eduart Çipa, nëse ai nuk mbahej i arrestuar për ndonjë vepër tjetër penale. Për pjesën tjetër të pandehurve, Apeli vendosi lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›