Masakra, identikiti i të "katërtit"
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka arritur të krijojë identikitin e personit të katërt, i cili është shpallur në kërkim pasi mesditën e së premtes mundi t'i shpëtojë prangave të efektivëve blu gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët saktësuan se të dhënat e para mbi përshkrimin fizik të personit të katërt, që mundi t'i ikë policisë tashmë kanë dalë dhe po punohet për identifikimin e plotë të tij.
"Personi që mundi t'i iki policisë me ndihmën e plumbave të Dritan Dajtit që vranë agjentin Kastriot Feska, i cili po tentonte ta prangoste, kishte një gjatësi rreth 1.80 cm, i moshës nga 22 deri 28 vjeç. Me shpatulla të ngushta.
Nofullat e fytyrës pak të futura brenda, me hundë të gjerë si të thyer dhe me flokë gështenjë të prera shkurt)",- thanë burimet pranë akuzës, duke dhënë përshkrimin fizik të personit të katërt që mesditën e së premtes mundi t'i shpëtojë prangave sekondat e fundit.
Sipas këtyre burimeve, ky përshkrim është krijuar falë dëshmive të agjentëve që kanë marrë pjesë në operacionin e arrestimit të Dajtit dhe kunatit të tij Ergest Xhoxhi si dhe rrëfimet e dëshmitarëve që ndodheshin në ato momente në vendin e ngjarjes.
"Nga hetimet paraprake dhe provat e mbledhura deri më tani, grupi hetimor I Prokurorisë së Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Policinë ka arritur të krijojë këtë identikit të përafërt të personit të katërt që i shpëtoi policisë.
Ky përshkrim, i është shpërndarë të gjitha pikave të kalimit kufitar dhe Komisariateve përkatëse për mundësinë e identifikimit të këtij personi, që mendohet se është njëri nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë prej vitesh",-thuhet nga institucioni i akuzës.
Sipas saj, ky përshkrim është siguruar falë dëshmive të 9 agjentëve të tjerë të Njësisë së Operacioneve Speciale të Drejtorisë së Tiranës, të cilët bashkë me katër agjentët e vrarë tashmë morën pjesë në operacionin për arrestimin e Dajtit dhe kunatit të tij Xhoxhi.
"Përveç dëshmive të agjentëve për krijimin e identikitit kanë ndihmuar edhe dëshmitë e disa dëshmitarëve të tjerë në vendngjarje, në momentin e shkëmbimit të zjarrit mes agjentëve të policisë dhe të shumëkërkuarit Dritan Dajti",-thanë burimet pranë akuzës.