E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra mjedisore në komunat e Tiranës

Xhemal Qefalia

Gjatë kësaj jave isha në takim me banorët e dy zonave të rrethit të Tiranës, madje në dy komuna që drejtohen nga kryetarë nga kjo mazhorancë. Në takimin me banorët e komunës se Zall-Bastarit gjendja e jetesës së këtyre banorëve është shumë e rëndë,  jetesa e tyre si në mesjetë, premtimet elektorale kanë mbetur në letër. Mungojnë rrugë, ura, shkolla, infermieri, mësues, por më kryesorja vëmendje për ti dëgjuar. Problemet janë të shumta, por është e pafalshme kur mëson se lëndën e matematikës e jep mësuesi i vizatimit dhe gjuhën ai i fizkulturës, apo ku në shumë fshatra nuk arrijnë dot të lidhen me shkollën sa herë bie shi e koha është e keqe. Mirë që fëmijët nuk çojmë në shkollë deri sa të hapi koha po çfarë duhet të bëjmë për të çuar një të sëmurë në spital. Dhe atë traktor që kemi nuk e përdorim dot se na harxhon shumë naftë dhe çmimi është rritur më tha një banor nga Vilëza. E pra bëhet fjalë për një komunë shumë afër kryeqytetit e cila në fushatë ishte premtuar të kthehej në zonë turistike. Por të jenë të bindur se këtë radhë nuk do të mashtrohen më pasi iu ka shkuar thika në palcë dhe askush nuk i takon e dëgjon sot, por vetëm ditën e votimit kujtohen. Një tjetër problem i rëndësishëm është në komunën e Paskuqanit ose të Babrrusë siç njihet nga vendasit. Para disa ditësh këshilli i komunës, shumica e të cilit i takon mazhorancës, ka vendosur vendin e grumbullimit të plehrave në një zonë të gjelbëruar e afër shtëpive të banimit. Kjo ka irrituar banorët e kësaj zone duke e kundërshtuar këtë vendim përmes protestave të përditshme. Ky vendim i marrë është në kundërshtim me ligjin sepse mungojnë, leja e Ministrisë së Mjedisit, studimi gjeologjik si dhe nuk është marrë mendimi i banorëve. Ndaj i bëj thirrje Prefektit që të tërheqë konformin si të ligjshëm të një vendimi të paligjshëm. Nga ana tjetër ministri i Mjedisit të shkojë apo të çojë ekspertët në vend dhe jo ta japi lejen nga zyra. Gjithashtu kryebashkiakut Lulzim Basha të mos i mashtrojë me zgjatimin e bulevardin në Paskuqan, por të gjejë zgjidhjen e këtij problemi që era e tymit të mos ndoti ajrin jo vetëm të banorëve vendas por dhe kryeqytetit. Së fundmi i bëj thirrje Kryeministrit: Mos dil me thasë në dorë për të mbledhur tapa shishesh e bishta cigaresh e mos i përdor këto njerëz vetëm për tu marrë votën sa herë të duhet, por të ndërhyjë për ta penguar një veprim të tillë arbitrar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›