Poliklinika nr. 3 në Tiranë/Ministri Vasili përuron kabinetin e ri okulistik, priten 2 mijë vizita okulistike çdo muaj
Kabineti i okulistikës, i cili u është shtuar shërbimeve të poliklinikës së specialiteteve nr.3 në Tiranë ofron shërbim të specializuar për pacientët, falë infrastrukturës dhe teknologjisë së përparuar, çka e bën këtë investim të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me atë turke, ndër më modernët në rajon. Laboratori i ri do të mundësojë kryerjen e rreth 2 mijë vizitave okulistike çdo muaj
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka përuruar kabinetin okulistik në Poliklinikën nr. 3 në kryeqytet, një financim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Turke për Zhvillim. Ministri Vasili u shpreh se ky investim është bërë për një shërbim më cilësor. Sipas tij, laboratori u vendos në këtë poliklinikë nga fluksi i madh i pacientëve, i cili i tejkalon 2 mijë vizita në muaj. “Vetëm në këtë shërbim, çdo muaj trajtohen me vizita të thjeshta mbi 2 mijë pacientë”- u shpreh Vasili. Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria turke kanë investuar në këtë poliklinikë me aparatura të reja, të cilat siç theksoi ministri Vasili, bëjnë të mundur diagnostikim më të saktë brenda një kohe të shkurtër. “Falë mbështetjes së qeverisë turke ne kemi sot një kabinet okulistike tërësisht bashkëkohore, të një niveli që ka munguar. I ofron shërbimin mbi 2 mijë qytetarëve dhe pacientëve shqiptare, shumica e të cilëve janë të moshës së tretë, duke evituar në këtë mënyrë nevojën për të shkuar në qendrat spitalore tonat për të humbur kohë, për të pritur në radhë të gjata”, tha Petrit Vasili. Vetëm në poliklinikën qendrore Nr. 3 vizitohen tek okulisti më shumë se 2000 pacientë në muaj. Pacientët kanë shqetësime në sy duke nisur nga infeksioni i thjeshtë e deri tek sëmundjet që shkaktojnë verbim të plotë. Në laboratorin e okulistikës, të një niveli që ka munguar më parë, ofrohet shërbim i specializuar për pacientet, kryesisht të moshës së tretë, duke evituar në këtë mënyrë nevojën për të shkuar në qendrat spitalore, duke siguruar shërbimin më të mirë, shumë afër dhe në kohë të shkurtër. Në poliklikën e specialiteteve nr.3 në Tiranë, krahas kabinetit të okulistikës, janë në funksion kabineti i Fibroskopit, i Mamografisë, Citologjisë dhe Audiograma.