Masakrat e sotme në Moskë, sulme vetëvrasëse të dy grave

Moskë, 29 Mars NOA - Autoritetet ruse thanë se Moska sot ishte shënjestër e sulmeve më vdekjeprurëse terroriste jashtë rajonit të Kaukazit Verior, që nga gushti i vitit 2004. Sulmet e dyfishta në metronë e Moskës, mëngjesin e sotëm, ndodhën në kohën më frekuentuese.
Vladimir Markin, zëdhënës i komitetit hetues të prokurorëve, tha se të paktën
34 njerëz u vranë sot nga ato që autoritetet ruse i quajtën sulme të ndara me
bomba në trenat e metrosë.
Siç raporton radio Evropa e Lirë, janë ndërmarrë hetime terroriste për
shpërthimet në stacionet Lubjanka dhe Parku i Kulturës.
Kryebashkiaku Juri Luzhkov tha se dy gra besohet se e kanë hedhur veten në erë,
sapo kanë hyrë në tren.
Sipas raporteve të para që i morëm nga Shërbimi Federal i Sigurisë, FSB, janë
përfshirë dy sulmuese vetëvrasëse. Ato tashmë janë identifikuar, tha Luzhkov.
Zyrtarët për zbatimin e ligjit mendojnë se gratë e kishin fshehur eksplozivin
në trupin e tyre.
Sipas Juri Sjominit, kryeprokuror i Moskës, shpërthimi në stacionin Lubjanka
ndodhi në orën 7:52, sipas kohës së Moskës, dhe u krye nga një sulmues
vetëvrasës, i cili e kishte fshehur eksplozivin në trup, afro tre kg TNT.
Sulmuesi i parë e aktivizoi eksplozivin në vagonin e dytë, në çastin kur treni
hyri në stacionin Lubjanka.
Zyrtarët thanë se të paktën 22 njerëz vdiqën dhe rreth 18 u plagosën në
shpërthimin në stacionin Lubjanka. Pamjet nga kamerat treguan kufoma që
shtriheshin në stacion.
Shpërthimi i dytë ndodhi në vagonin e dytë të trenit që mbërriti në stacionin
Parku i Kulturës, gjysmë ore më vonë. Të paktën 12 njerëz u vranë dhe 15 u plagosën
nga shpërthimi.
Shërbimi rus i radios Evropa e Lirë raportoi se ambulancat dhe zjarrfikësit e
kishin të vështirë të arrijnë në vendin e ngjarjes, për shkak të trafikut të
dendur.
Irina Andrianova është zëdhënëse e Ministrisë për Situata Emergjente: Të
plagosurit u dërguan në spitale. Dy helikopterë të Ministrisë së Emergjencës po
i dërgojnë të plagosurit në spitalet e qytetit, tha Andrianova.
Zëdhënësi i kryeministrit Vladimir Putin tha se kryeministri ndodhej në Siberi
në kohën e shpërthimeve dhe se është informuar për zhvillimet.
Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet. Por, dyshimet me
gjasë do të bien mbi grupet militante nga rajoni rus i Kaukazit Verior, ku
Kremlini po lufton kryengritjen islamiste në rritje.
Shpërthimet e sotme ishin sulmet më vdekjeprurëse në Rusi jashtë rajonit të
Kaukazit Verior, që nga sulmi ndaj dy aeroplanëve të udhëtarëve në vitin 2004,
kur u vranë 72 njerëz. Të dy aeroplanët kishin fluturuar nga aeroporti
ndërkombëtar i Moskës.
Sulm tjetër terrorist ishte ai i 27 nëntorit, 2009, në trenin e udhëtarëve
në linjën Moskë-Shën Petersburg, kur u vranë 26 vetë dhe u plagosën 100.
Herën e fundit, Moska u godit nga një valë sulmesh terroriste në gusht, 2004,
kur një sulmues vetëvrasës e hodhi veten në erë para një stacioni të metrosë,
duke marrë jetën e 10 njerëzve.