E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakroi gruan me thikë, babai i 48-vjeçarit: Depresioni e detyroi të bëjë vrasje

TIRANE – Një ditë pas vrasjes që tronditi Tiranën një ditë më parë, ku një grua u masakrua me thikë në mes të rrugës, familjarët e 48-vjeçarit Genci Çarçanit hedhin poshtë mundësinë që shkaku i vrasjes të ketë qenë xhelozia. Në një prononcim për “Neës24”, babai i autorit të vrasjes, Selfo Çarçani shpjegon se i biri e ka kryer krimin në kushtet e depresionit dhe lodhjes.

“Lajmin e prita me tronditje të madhe. Genci nuk ka qenë natyrë që të arrinte deri aty. Lodhja dhe depresioni e detyruan të bëjnë vrasje. Nuk ka dhënë asnjë shenjë që do arrinte deri këtu. Arsyet e xhelozisë nuk janë të vërteta. ”- shprehet babai i 48-vjeçarit.

Më tej Selfo Çarçani tregon se djali i tij ka qenë njeri i rregullt dhe të gjitha të ardhurat që siguronte nga puna e tij ua jepte vajzave.
“Ai nuk ishte aventurier ka qenë njeri i rregullt. Apeli im për drejtësinë, të shikoj jetën e Gencit.”- shprehet ai.

NGJARJA
Një grua u godit për vdekje me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, me të cilin ishte divorcuar dy vite më parë. Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në rrugën “Tefta Tashko Koço” në Tiranë, teksa Valbona Çarçani, 46 vjeçe, po kthehej nga një shëtitje me qenin për në shtëpinë me qira ku jetonte me dy vajzat. Dëshmitarët thanë se gruaja bëri thirrje për ndihmë, por askush nuk mundi që ta shpëtonte atë.
Në pranga u vu ish-bashkëshorti i saj, Genci Çarçani, 48 vjeç, i cili pak minuta para se ta vriste kishte debatuar ashpër me viktimën. Çarçani, u tha hetuesve se e vrau gruan, pasi i kishte nxirë jetën. Sipas dëshmitarëve, grindjet e çiftit nuk kishin marrë fund dhe pas ndarjes. Ndërsa policia, në njoftimin zyrtar për ngjarjen thotë se motivi i dyshuar i krimit, është xhelozia.

VRASJA E GRUAS
Pasi ka përcjellë për në plazh dy vajzat e saj, njëra prej të cilave studionte në Itali, Valbona Çarçani, ka marrë qenin dhe ka dalë shëtitje. Fillimisht është ndaluar në një lokal që ndodhej në cepin e shtëpisë ku jetonte gruaja dhe pasi ka pirë një kafe ka nisur shëtitjen e saj. Dëshmitarët i thanë policisë, se burri ju afrua me hap të ngadaltë nxori thikën dhe e qëlloi katër herë në trup. Nëna e dy vajzave përkatësisht 20 dhe 18 vjeçe, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ish-bashkëshorti i saj, pasi ka kryer krimin është larguar qetësisht dhe nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese. Ai u ndalua pak minuta më vonë nga patrullat “Shqiponja”, që u njoftuan për krimin nëpërmjet një telefonate të bërë nga një dëshmitar okular. Trupi i pajetë i gruas qëndroi për më shumë se një orë në mes të rrugës, për shkak të vonesës së ekspertëve të mjekësisë ligjore.

DËSHMIA E ÇARÇANIT
“Më nxiu jetën”, kaq ka mundur tu thotë Genci Çarçani hetuesve lidhur me krimin e rëndë që kreu në mëngjes, teksa goditi me thikë për vdekje ish-gruan e tij. Nga hetimet e para rezultoi se çifti Çarçani ishte divorcuar dy vite më parë, kohë që përkon dhe me kthimin nga Italia të tyre, bashkë me dy vajzat. Ndarja nuk u kishte dhënë fund mosmarrëveshjeve mes tyre, që kishin si shkak jo vetëm anën ekonomike, pasi të dy ishin papunë, por edhe xhelozinë. Dje Genci Çarçani është takuar me ish-gruan dhe ka debatuar ashpër. Më pas janë ndarë dhe Valbona krejt qetësisht ka nisur rrugën drejt shtëpisë. Në këto momente, ish-bashkëshorti i është afruar dhe i ka marrë jetën nga katër goditje me thikë, njëra prej të cilave e kapi në zemër.

DIVORC PAS 23 VITESH, GJYKATA: ARSYEJA, VËSHTIRËSITË EKONOMIKE
Çifti Valbona e Genci Çarçani i kanë dhënë fund martesës, pas 23 vitesh të kaluara së bashku, ku pjesën më të madhe të jetës kanë jetuar në emigrim. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, ku është pranuar kërkesa për divorc e Valbona Çarçanit, thuhet se shkaqet e ndarjes janë të ndryshme, kryesisht vështirësia ekonomike, si dhe grindje të vazhdueshme. Sipas gjykatës, Valbona e Genci Çarçani, të dy me arsim të lartë, kanë lidhur martesë ligjore në datë 06.05.1988 dhe nga kjo martesë kanë dy fëmijë, të quajtur Giorgia dhe Barbara Çarçani. “Martesa e tyre në fillimet e saj ka funksionuar normalisht. Gjatë jetës së përbashkët, kanë lindur kontradikta të shumta për shkaqe të ndryshme si vështirësia ekonomike, vështirësia për të arritur në një vendim marrje të përbashkët, probleme komunikimi, grindje të vazhdueshme, shkaqe këto të cilat kanë bërë që martesa midis tyre të tronditet thellë dhe të humbasë funksionin e saj. Për sa më sipër, për shkak mosmarrëveshje të shumta, grindjeve të vazhdueshme, vazhdimi i bashkëjetesës është bërë i pamundur. Duke patur një situatë konfliktuale në familje, martesa e ka humbur qëllimin e saj dhe të dy palët kanë qenë të ndërgjegjshëm se nuk mund të vazhdohej më në këtë gjendje. Gjykata çmon se kjo martesë ka humbur qëllimin për të cilin është krijuar, marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur thellë e nuk mund të gjejnë rregullim, prandaj duhet të pranohet kërkesa e paditëses dhe në mungesë të provave për fajësinë kjo martesë duhet të zgjidhet pa faj”, thuhet në vendim. Gjykata e Tiranës ka vendosur që dy vajzat t’ia lërë për rritje dhe edukim të ëmës, për shkak të komunikimit të ngrohtë dhe të afërt që kanë me nënën, si dhe për faktin se nevojat aktuale të dy vajzave plotësohen më së miri prej nënës. Në përshtatje me faktin që figura e babait është e rëndësishme në mirërritjen e fëmijëve, gjykata urdhëron që ai të takojë dhe të mbajë në banesë fëmijët të shtunën e parë, të tretë dhe të katërt të çdo muaji nga ora 17:00 të deri në orën 13.00 të ditës pasardhëse si dhe për pushime vjetore nga data 16-31 gusht të çdo viti kalendarik. Ndërsa e detyron, Genci Çarçanin për të kontribuar për fëmijët, detyrimin ushqimor në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë në muaj për secilën prej vajzave.(marre nga GSH).

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Gruaja e masakruar në rrugë, komshija: Valbona ishte e papunë, burri i vinte natën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›