Masakrojnë emigrantin, pranga dy vëllezërve
GJIROKASTER - Dy vëllezër binjakë janë vënë dje në pranga nga policia e Gjirokastrës, pasi në një konflikt banal kanë rrahur me grushte e mjete të forta një emigrant që po udhëtonte me automjet në rrugë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orën 18:00 në Valare, 4 km në lindje të qytetit të Gjirokastrës. Emigranti Dhimitraq Tore, banor i fshatit Nokovë të komunës Valare, teksa po futej në rrugën hyrëse të fshatit me automjetin e tij ka shtypur një pulë. Pronarët e pulës, vëllezërit binjakë (24-vjeçarë) Miklovan dhe Lordijan Ngjelina, e kanë fyer dhe kanë ushtruar më tej dhunë me grushte e mjete rrethanore mbi emigrantin. Mësohet se emigranti ka qenë në makinë me gjithë familjen e tij. Pas njoftimit, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë ardhur forcat e policisë. Për shkak të rezistencës së vëllezërve (kundërshtuan patrullën), kanë ardhur dhe forca policore shtesë dhe i kanë shoqëruar dhunuesit për në komisariat. Binjakët akuzohen për "plagosje me dhunë" e "kundërshtim të forcave të policisë".
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)